Është zbardhur sot pas 39 ditësh pritje nga Gjykata e Parë për Krime të Rënda vendimi i dënimit ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Kujtojmë që vendimi për dënimin me 3 vite shërbim prove, pa të drejtë ushtrimi të funksioneve publike, u mor më 19 shtator nga gjyqtarët Flora Hajredinaj, Ardit Mustafaj dhe Irena Gjoka.
Gazetarja e “Shekulli”-t Xhentila Gjoshi ka siguruar vendimin me 140 faqe, sipas së cilit Saimir Tahiri dënohet vetëm për shpërdorim detyre, ndërkohë që rrëzohen akuzat e trafikut të drogës në bashkëpunim dhe grup të strukturuar kriminal, për të cilat Prokuroria kishte kërkuar 12 vite burg.
Sipas vendimit: “Nuk u provua që marrëdhëniet mes Tahirit dhe Moisi Habilaj të kenë qenë në nivelin e bashkëpunimit për kryerjen e trafikimit të narkotikëve”.
Mes të tjerash në vendimin e gjykatës thuhet: “Pikërisht, pasojat që gjykata evidentoi këtu janë konkretizimi i rrezikshmërisë shoqërore të mosveprimit me dashje në kundërshtim me ligjin të të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, për të cilat ata ngarkohen me përgjegjësi penale sipas nenit 248 të K. Penal. Gjithashtu, meqenëse vepra penale e “Grupit të strukturuar kriminal” e parashikuar nga neni 33/a paragrafi i dytë të K. Penal, është vepër penale më vete për të cilën akuzohet i pandehuri Saimir Tahiri, gjykata, ndodhur në kushteve e përmendura më sipër, vlerëson se nuk provohet që i pandehuri ka kryer këtë vepër penale, prandaj bazuar në nenin 388, pika 1, germa “d” të K. Penal, duhet ta deklarojë atë të pafajshëm”.
Burimi/shekulli.com.al


Leave a Reply