![]()
Kush nuk ka dëgjuar në klasë apo në shtëpi një nxënës, një shok, vajzën apo djalin e vet të thotë: “Matematika është tepër e vështirë. Unë nuk jam aq i zgjuar sa të dal mirë.”
Por sipas studiuesit në fushën e psikologjisë Kou Murayama, është gabim të thuhet se dhuntia e famshme për matematikë është një e vërtetë e pandryshueshme.
Rezultatet e botuara në revistën “Child Development” nuk lenë vend për asnjë dyshim: suksesi në matematikë nuk varet aspak nga inteligjenca, por para së gjithash nga disiplina dhe puna e nxënësit, gjë që u jep një farë shprese të gjithë atyre torturohen në çdo ushtrim.
Strategjia e të mësuarit
Për ta kuptuar këtë gjë, Kou Murayama shqyrtoi rezultatet në matematikë të 3500 nxënësve gjermanë, të cilët i ndoqi për pesë vjet me radhë, nga klasa e pestë (10 vjeç) deri në klasën e dhjetë (15 vjeç).
Lajmi i keq është se disa nxënës janë shumë më të zgjuar se të tjerët dhe ata e mësojnë matematikën shumë më lehtë se të tjerët, por vetëm gjatë kohëve të para të mësimit. Dhe lajmi i mirë është se në një periudhë afatgjatë (në këtë rast, pesë vjet), nuk ka asnjë ndryshim. Vetëm puna, motivimi dhe disiplina bëjnë që nxënësi të jetë mirë në matematikë.
Për të pasur rezultate të mira në matematikë, nxënësit nuk duhet të mendojnë se nuk janë të zgjuar për atë lëndë, por është e rëndësishme dhe frytdhënëse që të mendojnë për strategjitë e përvetësimit.
Motivimi i brendshëm
Motivimi i brendshëm është dëshirë për t’u angazhuar me një detyrë të vështirë nga interesi për të, por edhe nga kënaqësia që ajo sjell kur kryhet. Kjo formë motivimi është në kundërshtim me motivimin e jashtëm, i cili është më i lehtë për t’u vënë në jetë, p.sh., nxënësi mund të motivohet duke u krahasuar me të tjerët ose duke u qortuar në rast se nuk punon mirë, por Murayama nuk e sheh këtë si formën e duhur. Nga studimi ka rezultuar se është më mirë që nxënësit të kenë motivim të brendshëm, edhe pse kjo gjë është e vështirë, pasi matematika është një lëndë abstrakte, por nuk është aspak një mision i pamundur.
Mësuesit dhe prindërit duhet t’i shpjegojnë p.sh., nxënësit rëndësinë e matematikës në jetën e përditshme. Ideja është që nxënësit të bëjnë lidhjen midis asaj që mësojnë, të ardhmes së tyre dhe realitetit të jetës së tyre.
Besimi
Gjithashtu, besimi në aftësitë e veta është një faktor i rëndësishëm për të dalë me sukses në matematikë. Prandaj studiuesi mendon se duhet të veprohet shkallë-shkallë. Dhe kur gjërat shkojnë mirë, nxënësi duhet përgëzuar, edhe në rast se përmirësimi është i vogël.
Të mësosh si të përvetësosh matematikën është kushti i domosdoshëm i suksesit në matematikë
Living.al
Per”Alba – Dansk” shkodrani


Leave a Reply