Rrëfimi i panjohur i aktorit të paharruar Kadri Roshi, i cili sfidoi vështirësitë e të folurit, për tu bërë yll i kinemasë dhe teatrit. Intervistat e fëmijërisë, që i dhanë shtysë dokumentarit “Butrinti i Gjallë”
Petrit Ruka
“Nuk kam lindur gagaç, po gagaçërinë e fitova aty nga mosha tetë – nëntë vjeç. Kishim komshi një familje të madhe me tetë fëmijë. Familjen e L.B. Të dy prindërit e kësaj familjeje ishin gagaçë… Për çudinë e të gjithëve edhe të nëntë fëmijëve u mbahej për ibret goja. Një ditë, nuk e di pse e imitova njërin prej tyre para shokëve të mëhallës dhe u habita shumë, kur pashë sesi të gjithë u shkulën së qeshuri. Qeshnin sa u delnin lot prej syve, u shkuleshin zorrët nga barku. Fjala mori dhenë dhe filluan të ma kërkonin këtë gjë të gjithë. Kënaqeshin pa masë ata, por edhe unë kënaqesha. I imitoja sa ngopesha. Dhe ja kështu, ditë për ditë,… aq sa edhe mua filloi të më mbahej goja. M’u bë zakon dhe ec e hiqe…”. Kjo është një nga dhjetëra intervistat e zbardhura për fëmijërinë e Kadri Roshit, që unë i mora përpara se të filloja xhirimet për dokumentarin “Butrinti i gjallë”, kushtuar atij. Shumëkush nuk e di që për vite të tëra ai ka qenë një gagaç, një njeri të cilit i mbahej goja.
Nuk kanë sesi ta besojnë një çudi të tillë, sepse e kanë dëgjuar qindra herë ligjërimin e tij me një shqipe të kulluar e të mahnitshme. Do të mjaftonte ta dëgjoje vetëm njëherë në skenë ligjërimin e tij, që gagaçëria e Kadri Roshit të të duket shpikja më e çartur e botës. Por është pikërisht kështu. E pohojnë shokët e tij të fëmijërisë, kolegët e parë që e kanë njohur qysh në vitin 1945, kur ai sapo kishte hyrë në dyert e Teatrit të Shtetit. Kishin kaluar dhjetë vjet qysh nga “shfaqja e parë në rolin e gagaçit” që ai pati luajtur në një rrugicë të Ballshit dhe më 1945 vijonte ende të ishte një belban. Kishte bërë të pamundurën për ta shkulur këtë ves, pati bërë përmirësime të mëdha, por goja ende i mbahej. Dhe vetëm një vullnet i “çmendur” si i Tij mund të arrinte deri aty sa të bëhej shqipfolësi më i kulluar që kam dëgjuar ndonjëherë në jetën time. Përpiqem ta mendoj sesi ka ndodhur.
…Ishte qershor, bënte vapë dhe në Ballsh ishin pjekur qershitë. – Ka ardhur dreka, – tha Meleqi dhe doli nga lumi. – Po nuk më gjeti në shtëpi babai, do më pijë e zeza. Me thupër thane ka për të më rrahur. Ata dolën një e nga një në zallin e Gjanicës, të pestë. Kërcihollë dhe pa brekë. Bibilushët e vegjël u qenë mbledhur sa një krimb i bardhë plehu nga të ftohtit e ujit. – E mo, ti frikaç, bba- bba-bba-i, se mos bësh çiçin… Sadushit i qe mbajtur goja nga të dridhurat dhe të gjithë ia shkulën të qeshurit. – Iiii, o gagaç, o kulaç t’u mor goja si djemtë e Resulajve, – tha Kadriu dhe filloi të flasë si djemtë belbanë, që sot nuk kishin ardhur në Gjanicë.
Fëmijët ia plasën të qeshurit dhe Kadriu aq deshi, nuk pushonte.
Kadriu i vogël u habit që të tjerët u mekën nga të qeshurat, filloj t’i imitoj një nga një fëmijët e Resulajve. Të nesërmen, në oborrin e shkollës fjala mori dhenë dhe në pushimin e gjatë një tufë djemsh më të rritur iu mblodhën përreth e filluan t’i luteshin. – O Kadri, pa na i bëj një çikë djemtë e Resulajve. Djali nguroi për një çast, se turma e fëmijëve qe si shumë e madhe. Kur të gjithë filluan t’i luteshin, ai nuk e mposhti dot tundimin. Ia fillojë imitimit dhe grumbulli i madh, u mpak për disa çaste, pastaj e qeshura plasi si një shkumbë e madhe dallge e detit të trazuar. E mbushi tej për tej oborrin. Të tjerë fëmijë vrapuan aty dhe filluan të çajnë me bërryla për të parë rreth kujt ishin mbledhur. Vazhdonte të bënte mrekullisht gagaçin dhe të ndiqte me bisht të syrit masën e spektatorëve, e përpirë nga një e qeshur që nuk kishte të sosur. Po u dilnin lot prej syve.
Befas, instinktivisht ndjeu dehjen e njeriut që zotëron fuqinë e pashpjegueshme të zotërimit mbi të tjerët me anë të fjalës. Ky ishte roli i tij i parë në jetë si aktor. Dhe ndoshta më i miri. Një rol që nuk është shënuar padrejtësisht në listën e pafund të roleve të tij brilantë. Ndërkohë ai nuk e kish dëgjuar mbase asnjëherë fjalën magjike; aktor. Tek dera e shkollës së vogël ish shfaqur mësues Feim Loloçi me thupër në dorë. “Feimi i tmerrshëm që na bënte edhe talimin (fizkulturën) Për të rrahur të rrihte… a ba – ba – baaa. Të rrihte, po mësimin ta ngulte si me gozhdë në kokë. Kur kam bërë atë filmin “Lulëkuqe mbi mure”, ju kujtohet ai gjesti me dorë që u thotë fëmijëve; pa hajde këtu, hajde?! Ja, atë kam imituar unë.”
Monologu
Dikush pëshpëriti emrin e tij dhe shfaqja mbaroi. Monologu i Kadriut ish prerë si me thikë. Por as mësues Feimi nuk i kish rezistuar dot kureshtjes dhe pas mësimit e kish mbajtur vogëlushin mënjanë. – Tani pa ma bëj një çikë edhe mua atë gagaçin, ta dëgjoj sepse më thanë që e qan me lot. Djali filloj të dridhej duke parë me bisht të syrit thuprën prej thane, po mësuesi i kish dhënë kurajë, duke shtuar se e kuptonte që ishte vetëm një shaka kalamajsh dhe kaq. Donte s’donte ai ia kish nisur rolit të tij të parë edhe njëherë. Mësuesi mbeti i shtangur. Ia plasi të qeshurës me të madhe sa i dolën lot nga sytë. E kështu fjala mori dhenë. Ia kërkonin gjithandej. Ai, i dehur prej suksesit të papritur nuk nguronte. Filloj të luajë për njerëzit ngado në rrugët e mëhallës, për shokët, për djemtë më të rritur, për plakat e lagjes të mbledhura në oborrin e shtëpisë ku pihej një kafe e zezë.
I pëlqente shumë ky sukses i paparë.
Burimi/shekulli.com.al


Leave a Reply