Emisarja gjermane e CDU/CSU, Katja Leikert takohet me Presidentin për të gjetur rrugëzgjidhjen e krizës politike. Meta rithekson qëndrimin për domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve më13 tetor
Lindita Bushgjokaj
Ilir Meta iu ka dërguar një mesazh të fortë të gjithë politikanëve në vend, teksa iu ka kujtuar edhe njëherë 13 tetorin, si datë zgjedhjesh për t’i dhënë fund krizës së thellë politike. Në takimin me Zv. Kryetaren e Grupit Parlamentar të CDU/CSU, Katja Leikert, Meta ka thënë se politika shqiptare nuk duhet ta humbasë 13 tetorin, pasi kjo do të përshkallëzonte më tej krizën. Presidenti Meta ripërsëriti se e vetmja zgjidhje e kësaj krize janë zgjedhjet, dhe se 13 tetori është një mundësi që nuk duhet humbur pasi vetëm do e përshkallëzonte më tej atë. Në një kohë kur ndërkombëtarët kanë rifilluar negociatat me palët, presidenti Ilir Meta ka ripërsëritur apelin për zgjidhjen e krizës, kësaj herë duke ofruar shembullin e Kosovës. Nëpërmjet zgjedhjeve të 13 tetorit, sipas Kreut të Shtetit, do të shmangej përshkallëzimi i situatës në vend, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin. Presidenca thotë se kreu i Shtetit e falënderoi për angazhimin e posaçëm të Bundestagut dhe veçanërisht të grupit parlamentar CDU/CSU për parandalimin e thellimit të krizës politike, ku ndodhet vendi dhe theksoi se nëse do të ishin dëgjuar në kohë sugjerimet dashamirëse të drejtuesve të lartë të CDU, gjendja sot do të ishte krejt e ndryshme. Si propozim për zgjidhjen e krizës, Meta i përsëriti edhe zyrtares gjermane bindjen e tij se zgjidhja vjen vetëm nga zgjedhjet. Për ta përforcuar këtë bindje, Presidenti thotë se mjafton që të shihet jo më larg se në Kosovë. “Nëse politikanët vendas e kanë të pamundur të mësojnë nga vendet me përvojë të konsoliduar demokratike se si zgjidhen krizat, kanë rastin të mësojnë nga një shtet i ri si Kosova se si u jepet mundësia qytetarëve të thonë fjalën e tyre përmes zgjedhjeve të parakohshme për të ardhmen e institucioneve qeverisëse”, citohet Presidenti Meta.
Roli i ndërkombëtarëve tek kriza politike në vend
Ndërkombëtarët pritet të ndërmarrin një rol aktiv për sa i përket ndërmjetësimit për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Këtë rol primar duket se do ta luajë Gjermania dhe jo ndonjë shtet tjetër. Si pjesë e familjes së djathtë politike, të PPE-së, Leikert zhvilloi takimet para dy ditësh me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. Takimi me zyrtaren e lartë të CDU-së me Bashën ka zgjatur për më shumë se gjysmë ore. Pas largimit të Leikert, në zyrën e kryedemokratit ka shkuar ambasadori i Austrisë, Johan Sattler.
A po luajnë gjermanët rolin e negociatorit?
Kjo gjë nuk u mohua nga Basha, pas daljes para medieve ku foli pas këtyre takimeve me ndërkombëtarët. “Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar janë në bashkëpunim dhe koordinim të përditshëm me të gjithë faktorët ndërkombëtarë dhe ne e vlerësojmë shumë rolin e tyre, vëmendjen e tyre. Në këtë rast pa diskutim që vlerësojmë edhe rolin, interesin dhe ndihmën që Gjermania, Bundestagu gjerman, CDU-CSU si pjesë e Bundestagut, japin për të mundësuar që Shqipëria të mos mbetet prapa, mos të mbetet peng i krimit dhe korrupsionit, por të ecë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, të ecë drejt hapjes së negociatave. Pa diskutim që vendi mund të shkojë dhe do të shkojë drejt Bashkimit Europian duke u sjellë si një vend evropian, duke u sjellë si shoqëri evropiane, duke u sjellë si politikë evropiane dhe pengesa kryesore sot për këtë është kapja politikës, institucioneve dhe ekonomisë nga një grup i strukturuar kriminal që tashmë çdokush e ka identifikuar si Organizata e Rilindjes me në krye Edi Ramën”, theksoi Basha. Ndërsa zgjidhja për PD-në është që të mbahen zgjedhje të parlamentare të parakohshme dhe ato lokale njëherësh. Ky duket se është opsioni i opozitës, që ka rinxjerrë në skenë edhe krijimin e qeverisë tranzitore. Kryedemokrati nuk mohoi edhe faktin se nënkryetarja e CDU-së është negociatorja mes palëve, duke theksuar se ajo do të qëndrojë disa ditë në Shqipëri. “Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar është në komunikim të vazhdueshëm me faktorin ndërkombëtar. Pjesë e këtij komunikimi ishte edhe takimi i para dy sotëm me nënkryetaren e Grupit Parlamentar të CDU/CSU-së në parlamentin gjerman, zonjën (Katja) Leikert, komunikim i cili vazhdon intensivisht, në mënyrë pothuajse të përditshme, dhe do të vazhdojë, edhe në ditët e javët në vijim”, pohoi Basha. Disa ditë më parë, kryedemokrati Basha pati një takim me ambasadorin e ri të Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Zingraf. Ky ishte takimi i parë zyrtar i Peter Zingraf, pas marrjes së detyrës së tij si ambasador. Biseda mes tyre është mbajtur e fshehtë dhe nuk janë mësuar detaje se çfarë është diskutuar. Porse mendohet që Zingraf po bën të mundur vendosjen e kontakteve të deputetëve gjermanë me udhëheqësit politik shqiptarë. Në shtator në Shqipëri pritet të vijë një delegacion i Bundestagut gjerman, si dhe i deputetëve të Parlamentit Europian. Qëllimi i kësaj vizite shihet një mision fakt mbledhës përpara se të merret vendimi për çeljen ose jo të negociatave.
Takimi Rama-Leikert
Nënkryetarja e grupimit politik gjerman CDU-CSU ka zhvilluar edhe një takim me Kryeministrin Edi Rama dhe pjesë të kabinetit të tij qeveritar. Ministrja Elisa Spiropali ka postuar një foto nga takimi në Kryeministri me nënkryetaren e CDU/CSU për Europën Katja Leikert dhe një delegacion nga Bundestagu gjerman. Ndërsa në këtë takim kanë marrë pjesë dhe dy ministret Etilda Gjonaj dhe Elisa Spiropali. Kujtojmë se nënkryetarja e CDU/CSU Liekert ka takuar pardje dhe kreun e PD Lulzim Basha, në Selinë Blu. Delegacioni gjerman ka pasur si synim në këto takime menaxhimin e krizës politike në vend dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Natyrisht me largimin e Kancelares aktuale gjermane, Angela Merkel, nga posti i kryetares së CDU, stafi i ri i kësaj partie pritet që të ketë vizita të shpeshta në Ballkanin Perëndimor. Kjo për faktin se duhet të ketë më shumë njohje rreth këtij rajoni dhe Shqipërisë.
Katja Leikert, negociatorja e sprovuar e Ballkanit
44-vjeçarja Katja Leikert i është bashkuar CDU-së së Angela Merkelit në vitin 2012 dhe një vit më vonë arriti që të marrë mandatin e deputetit në rajonin Hanau. Shkallët e karrierës politike do t’i ngjiste me shpejtësi duke u bërë fillimisht anëtare e Komisionit të Shëndetësisë dhe më pas anëtare e Komisionit për Politikën e Jashtme të Bundestagut. Pavarësisht detyrave që kishte mbajtur në të shkuarën, diplomacia dhe politika e jashtme ishte specialiteti i saj. Në vitin 2006 ajo mbrojti doktoraturën me tematikë mbi politikën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara karshi Koresë së Veriut dhe Iranit. Që prej asaj kohe, punimi u mor dhe është publikuar disa herë dhe shndërruar në një pikë referimi të diplomacisë perëndimore përballë Penianit dhe Teheranit. Në zgjedhjet e 2017 ajo arriti që të mbrojë mandatin në Bundestag, megjithëse me një rënie prej 10 pikësh. Pas këtyre zgjedhjeve iu ngarkuar nga Angela Merkel detyra e vështirë për të qenë pjesë e delegacionit që do të bisedonte me socialdemokratët përë formimin e Qeverisë së re. Aftësia e saj negociuese në këtë delegacion spikati dhe CDU e zgjodhi në postin e nënkryetares së grupit parlamentar në Bundestag. Përgjegjësitë e saj në këtë detyrë janë politikat europiane, bashkëpunimi dhe koordinimi i qëndrimeve politike të së djathtës europiane për çështje të ndryshme në Europë, duke mos u kushtëzuar vetëm brenda BE-së. Megjithatë, deputetja e CDU-së nuk bën pjesë tek emrat që vendosin vendimet politike partiake mbi bindjen personale. Në vitin 2017, kur Bundestagu do të votonte për të miratuar ose rrëzuar martesat brenda së njëjtës gjini, Katja Leiker doli kundër vendimit të grupit parlamentar duke votuar pro këtyre martesave. Leikert zotëron gjuhën angleze dhe vlerësohet si një prej diplomateve të reja që njeh mirë politikën e jashtme amerikane, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore. Profili si “negociatore e zonja” dhe “njohëse e politikës së jashtme amerikane” sugjerojnë se Katja Leikert nuk ka mbërritur rastësisht në Shqipëri. Ajo mund të jetë emri i përzgjedhur nga Berlini për të negociuar krizën politike shqiptare, edhe si një “sfidë” ndaj Uashingtonit, me të cilin marrëdhëniet nuk janë më njësoj, që prej marrjes së detyrës nga Donald Trump.
Burimi/shekulli.com.al


Leave a Reply