Skënder Sadri Kapiti
Këtë si pyetje po ia drejtoj të gjithë atyre dhe sidomos politikanëve e pushtetarëve, si p. sh. edhe Presidentit të Kosovës. H.Thaçi dhe Kryeministrit të Shqipërisë E.Rama, pseudohistorianëve e pseudopatriotëve “intelektualë” e “mediatikë” si dhe atyre që tradhtisht hapur e tinëzisht janë për “shkëmbim territoresh” e “ ndryshim kufijsh” të cilat çojnë në ndarjen e Kosovës. Nuk e di se çfarë kuptojnë ata me shkëmbim territoresh!? A mund të ketë shkëmbim territoresh midis shteteve, pa u ndarë pjesë të territoreve të tyre të cilat do të shkëmbeheshin?!
Sepse të deklarohesh për ndryshim kufijsh dhe për shkëmbim territoresh dhe të thuash se nuk je për ndarje të Kosovës kjo është e jashtëzakonshme, por më saktë, kjo përbën tradhti të maskuar me mashtrim, djallëzi dhe me hipokrizi. Serbia e pushtoi Kosovën në vitin 1912 me ndihmën dhe aprovimin e Rusisë dhe të Europës, e pushtoi Kosovën për Veriun e Kosovës dhe e shfrytëzoi atë dhe pasuritë e saj për 100 vite. Edhe në luftën më të fundit në Kosovë, Serbia kishte si qëllim final të saj, Veriun e Kosovës , pasi nëse Serbia do ta kishte Veriun e Kosovës nën administrimin e saj, siç i kishte dhe siç i ka akoma Preshevën , Medvegjën e Bujanocin mendoj se nuk do të ishte bërë luftë në Kosovë. Kjo pasi Serbia e Millosheviçit do ta donte vetëm Veriun e Kosovës ashtu sikurse edhe pasuesit e sotëm të tij, do ta njihnin menjëherë Pavarësinë e Kosovës, nëse Serbia do të arrinte ta merrte këtë hapësirë.
Pra, nëse Serbia merr territoret dhe burimet jetike ujore, ekonomike dhe thesaret e pasuritë minerale të Kosovës që janë në Veriun e Kosovës, pra, nëse Serbia e merr këtë në këmbim të njohjes së Pavarësisë së Kosovës, atëherë pse u bë edhe Lufta, dhe çfarë kuptimi do të kishte shtetësia e pavarësia e Kosovës pa Veriun e saj.
Popullsia, territori, pasuritë tokësore, nëntokësore dhe ujore, pozicioni gjeostrategjik dhe ekonomia janë thelbësoret për mbijetesën, ekzistencën dhe për zhvillimin e një shteti kombëtar.
Pra, në asnjë mënyrë nuk duhet, jo vetëm lejuar, por as nuk duhet biseduar, jo vetëm me serbët, por me asnjë ndërkombëtar, qoftë ai edhe aleat i shqiptarëve për ndarje të Kosovës, apo sikurse flitet për shkëmbim territoresh. Serbia po mori Veriun e pasur të Kosovës edhe mund ta njohë pastaj Kosovën, edhe Kosova pa Veriun e saj po të bashkohet pastaj me Shqipërinë nuk e shqetëson më as ky fakt Serbinë. Së pari, sepse kështu Serbisë i jepet mundësia për të formuar Serbinë e madhe brenda së cilës do të ishte edhe Veriu i Kosovës, por edhe gjysma e Bosnjës, së dyti, sepse po u nda Kosova dhe po mori pjesë të saj Serbia, atëherë asaj i lind e drejta që të marrë edhe Republikës serbe të Bosnjës, pra do të realizohej Serbia e Madhe pikërisht ajo se çfarë kishte synim edhe Millosheviçi.
Dhe kjo do të ishte humbje e madhe për shqiptarët, por edhe një diskreditim e dështim edhe për Perëndimin, nëse ata e lejojnë dhe e pranojnë këtë projekt serb.
http://shekulli.com.al/


Leave a Reply