Zëdhënësja e Komisionit europian Maja Kocijancic ritheksoi sot qëndrimin kritik të Brikselit ndaj vendimit të opozitës shqiptare për të hequr dorë nga mandatet parlamentare .
Në një konferencë për shtyp, zonja Kocijancic rikujtoi qëndrimin e shprehur nga përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn, sipas të cilëve vendimi i opozitës “pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri, duke qenë se parlamenti është vendi ku reformat dhe zhvillimet përkatëse duhet të diskutohen dhe të çohen përpara, jo të bojkotohen. Këto vendime – tha më tej zonja Kocijancic – janë kundërproduktive, shkojnë kundër zgjedhjes demokratike të qytetarëve shqiptarë dhe minojnë progresin që ka bërë vendi në udhën drejt Bashkimit Evropian”. Zëdhënësja e Komisionit, ripërsëriti se Brukseli pret që “qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime konstruktive me qëllim që ta kapërcejnë situatën politike aktuale”.
Opozita nga ana e saj ka theksuar se nuk do të ketë kthim pas. Sot kryetari demokrat Lulzim Basha, pati një takim me partitë aleate, ndërsa pasdite mësohet se do takohet me drejtuesit e degëve të partisë së tij në Tiranë. Opozita ka paralajmëruar një seri protestash të reja në javët që vijnë.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply