26-vjeçari, Eni Picalli tregon pasionin e tij për botën e teatrit. Regjia, si një ëndërr e ndërprerë pas ndarjes nga jeta të mësuesit të tij Agim Qirjaqit, si dhe një projekt special që promovon talentet e reja dhe teatrin si vlerë
Anila Dedaj
Që në vegjëli i tërhequr pas botës së kinematografisë dhe teatrit krijoi një qasje të veçantë ndaj skenës, aktrimit, idesë për të shfaqur jetën e një njeriu para një publiku të gjerë… Në vitet e mëvonshme, kur ishte pothuajse adoleshent, Eni Picalli, do të zbulonte se dëshira për të mësuar më shumë rreth kësaj magjie skenike kishte të bënte me pasionin e tij të fshehur, regjinë. Sot 26-vjeçari i diplomuar për Shkenca Politike e me ëndrra të mëdha për të dhënë kontributin e tij në krijimin e një shoqërie me vlera e të orientuar drejt artit e kulturës, tregon përpjekjet vetjake që krijojnë një qasje të të rinjve shqiptarë me teatrin. Bëhet fjalë për një projekt që synon zbulimin e talenteve të reja në aktrim e regji, por mbi të gjitha, përmes angazhimit të tyre të afrojë të rinjtë shqiptarë me teatrin. Për Enin kjo është një mënyrë edhe për të nxitur të rinjtë e talentuar që ta shikojnë teatrin, si një mundësi më shumë, qoftë si profesion të dytë ose pse jo me kohë të plotë. Pasi sipas tij mes tyre mund të gjenden “xhevahire” të pazbuluara, që ndoshta sot i mungojnë Universitetit të Arteve. Gjithashtu, për ata që kanë qenë edhe më herët të angazhuar ose që ushqejnë një pasion të fortë për aktrimin ose regjinë, ky projekt bëhet një mundësi për t’iu ofruar mundësinë e krijimit të një rrugëtimi artistik, atë që vet i riu dikur e la përgjysmë… Ishte pothuajse adoleshent, kur i nxitur nga të njohur që kishin evidentuar talentin e tij ai do të kontaktonte aktorin dhe regjisorin Agim Qirjaqi, që prej tij të mësonte sekretet bazë të këtij profesioni. Nisi kështu të trajnohet për të qenë një regjisor i ardhshëm me mjeshtrin. Sot pas më shumë se një dekade ai e kujton me nostalgji dhe emocion: “Ishte një artist i rrallë dhe njeri shumë i mirë. Ndihem i nderuar për aq kohë sa pata mundësi të mësoja prej tij. Shëndeti i rënduar i aktorit dhe më pas ndarja e tij nga jeta në mënyrë të parakohshme në 2010-ën, duket se do të krijonte edhe një krisje në bindjen e të riut për ta parë regjinë si profesionin e tij të ardhshëm. “Pasi profesori ndërroi jetë unë u shkëputa nga fusha e teatrit dhe kur mbarova gjimnazin zgjodha të vazhdoja studimet për Shkenca Politike”. Pavarësisht një zgjedhje të tillë të riun do ta shoqëronte dëshira për të frekuentuar sa më shpesh teatrin, për të qenë i informuar rreth zhvillimeve që ndodhnin në këtë fushë. “Kam ndjekur pothuajse shumicën e shfaqjeve, madje nuk jam mjaftuar me aq”. Këtë pasion të tij, që e shtynte për të qenë sa më pranë botës së teatrit Picalli ka dashur ta përçojë tek një grup sa më i madh njerëzish, duke sajuar mënyra sa më atraktive e bashkëkohore për të drejtuar vëmendjen e tyre drejt shfaqjeve. Kështu ai mendon të realizojë disa prej spoteve më interesantë të shfaqjeve të ndryshme që mbaheshin në Teatrin Kombëtar dhe atë Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Një kontribut krejtësisht vullnetar, ku Eni ka mundur të përfshijë që nga njerëzit e thjeshtë e deri tek aktorë të huaj, si ata të serialeve më të ndjekur turke për të dhënë një mesazh special në gjuhën shqipe: “Ejani në teatër!”. “Në vazhdë të një ideje të tillë, i nxitur edhe nga situatat që janë krijuar për shkak të protestave të studentëve, unë mendova që të realizoj një projekt që konsiston në zhvillimin e konkurseve midis universiteteve publike e jo publike, për të evidentuar talente të reja dhe për të sensibilizuar të rinjtë që të afrohen teatrin”. Projekti tanimë i dorëzuar në Ministrinë e Kulturës në kuadër të një konkursi për të rinjtë, ku fituesi i idesë më të mirë do të mbështetet financiarisht ka nisur të jetësohet që në tetor të vitit që lamë pas. Duke angazhuar edhe emra si pedagogia dhe gazetarja Ernestina Halili (shefe e klubit të dramës në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë), emra premtues si aktorja dhe regjisorja Anila Balla, regjisori Ledio Shehaj dhe të riun e talentuar Kejdi Demnerin. Gara do të zhvillohet mes Fakultetit të Mjekësisë, të Historisë dhe Filologjisë, si dhe universiteteve jo publikë si “Ufo”, “Marlin Barleti” dhe “Metropolotani”. “ Qëllimi im primar ka qenë gjatë gjithë kohës të afroj të rinjtë shqiptarë me artin e kulturën, për t’i larguar sadopak nga gjithçka që nuk ofron asnjë perspektivë për të ardhmen e tyre, ose aq më keq që e cenon atë. Pra unë dua t’ju them: Ejani të shkojmë e të prekim botën e teatrit! Mos rrini në kafe, por frekuentoni shfaqjet, pasi do të merrni shumë prej tyre”. Projekti i Picallit, siç ai tregon mund të bëhet shkas për të evidentuar një pasion apo talent të pazbuluar, pasi sipas tij, edhe pse Universiteti i Arteve i jep formë dhuntive të studentëve, nuk ka pse përjashtohen nga kjo fushë njerëz me prirje të forta që mund të shkëlqejnë, ashtu siç historia e teatrit dhe kinematografisë e ka treguar me artistë të mëdhenj, si Kadri Roshi. 26-vjeçari rrëfen dëshirën e tij për ta kthyer këtë projekt në një traditë, dhe nëse gjen mbështetjen e duhur edhe nga ana e Ministrisë, të realizohet çdo vit.
Projekti për teatrin
Në projektin e Eni Picallit dorëzuar Ministrisë së Kulturës do të përfshihet edhe një juri profesioniste, e cila do të përzgjedhë shfaqjen më të mirë . Po ashtu aktori më i mirë do të shpërblehet me një çmim simbolik, si dhe nuk përjashtohen vlerësime të tjera. Secili nga 5 universitetet në garë do të luajë përmes të përzgjedhurve nga një shfaqje si “Mosmarrëveshja” nga Albert Camus, “Me dyer të mbyllura”, “Shtëpi kukulle” si dhe dy drama në shqip. Gara do të zhvillohet përgjatë 5 ditëve dhe në fund do të shpallen fituesit. “Në konkurset që kemi mbajtur studentët kanë shfaqur interes dhe ka pasur një pjesëmarrje të gjerë. Disa prej tyre kanë pasur edhe disa eksperienca të mëparshme, nga mundësitë që iu janë dhënë në gjimnaze, apo në evente të tjera dedikuar teatrit”, shprehet Picalli. Duke besuar fort se projekte të tilla i bëjnë mirë shoqërisë sonë dhe se projekte të ngjashme janë të pakta Eni shprehet se: “Uroj të financohet, pasi çdo gjë është gati që projekti ynë të krijojë një urë më shumë lidhëse mes të rinjve dhe teatrit!”
“Debati për kufijtë” tek Biblioteka Kombëtare
Me rastin e aktivitetit “Mbrëmja e ideve”, me temë “Ballafaqim me të tashmen”, Ambasada Franceze në Tiranë organizon në 31 janar në orën 18:00 një debat mbi temën e kufijve, në prani të Znj. Pauline Couteau, pedagoge në Universitetin e Bourgogne, dega filozofi, si dhe të profesor Mark Marku, shef i departamentit të Gazetarisë dhe të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Në kuptimin e parë ose figurativ, kufijtë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në zemër të agjendave politike dhe atyre shoqërore, dhe kjo, në rastin kur bëhet fjalë për t’i mbyllur ose për t’i kapërcyer ato: kufij të shkelur, kufij të nxehtë, kufij midis popujsh, kufij fetarë, gjuhësorë, kulturorë. Cila është marrëdhënia jonë me kufijtë në shekullin e XXI ?
“Sherlok Holms dhe langoi i Baskervillëve”
Vijon këtë të shtunë dhe të diel “Sherlok Holms dhe langoi i Baskervillëve”, në orën 19:00. Pjesa e Ken Ludwig do të jepet në sallën Shekspir të Metropolit me regji dhe përkthim nga Shkëlzen Berisha dhe lojën e aktorëve: Amri Hasanlliu; Ermir Hoxhaj; Klodjana Keco; Mirela Naska; Roerd Toçe, Rozi Kostani, Shkëlzen Berisha. Në këtë shfaqje disa prej aktorëve luajnë dy deri në trembëdhjetë karaktere. Langoi i Baskervillëve bashkon dy zhanre letrare popullore: përrallën gotike dhe trillin e letërsisë detektive, duke mbajtur kështu kureshtjen e publikut të ngacmuar nga suspanca për të lidhur fijet e ngjarjeve dhe shijuar në maksimum procesin e zbulimit. Regjisori Berisha ka punuar për një spektakël dinamik, plot ngjyra dhe gjallëri, plot energji që shpërthen nga ironia e situatave, në të cilat pritshmëria dhe realiteti janë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Ritmi, ngjyrimi dialektor, puna me gjuhën dhe theksat, harmonia mes fjalës dhe gjestit tek individi dhe pastaj mes ansamblit kanë qenë sfidat e këtij procesi mjaft të pëlqyeshëm. “Çdo gjetje apo element duhet të bazohet në saktësi dhe harmoni’, thotë ai, ndaj procesi ka angazhuar potencialet edhe të njohura edhe të panjohura të aktorëve, për të bërë të pandjeshme ngarkesën dhe arritur një nivel profesional të pëlqyeshëm dhe mikpritës nga publiku”. Romani përdor temat dhe simbolet tipike gotike: një mallkim familjar dhe një legjendë për një qen paranormal dhe djallëzor, një hero i bllokuar në një vend të çuditshëm, shkelja e tabuve morale, shqopishtat e zymta që mbajnë sekrete të këqija, hijet e errëta, dhe peizazhe të tmerrshme, të mbuluara nga mjegulla. Sherlok Holms sulmon legjendën e mallkimit Baskerville me armën e arsyes dhe të metodave shkencore të vëzhgimit, analizës dhe përfundimit. Megjithatë, kur Sherlock Holmes nuk është në tregim dhe Dr.Watsoni drejton komplotin, elementët gotikë e marrin përsipër rrjedhën e tij. Si do ta zgjidhë enigmën e vrasjes së Sër Çarllsit, dedektivi i famshëm Sherlok Holms?
Holmsi: Hmmm, epo, kjo pyetje tashmë nuk është problem, apo jo? Unë besoj se rrota u kthye prapë edhe një herë – dhe tani t’i kthehemi punës!
http://shekulli.com.al
Leave a Reply