Presidenti i vendit Ilir Meta vlerësoi disa nga legjendat e sportit korçar por edhe atij kombëtar, të cilët kanë shkruar historinë më të ndritur të klubit “Skënderbeu” në të gjitha disiplinat.
Presidenti Meta vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”: atleten e shquar dhe kampionen e Europës, Pavlina Evro, futbollistin Teodor Vaso, atletin dhe trajnerin e paharruar Piro Kasati (pas vdekjes) dhe mbrojtësin Koço Dinella.
Ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” Presidenti i Republikës çmoi (pas vdekjes) basketbollistet Zamira Koleci, e Tamara Nikolla dhe futbollistin Dhimitër Xhambazi.
Në fjalën e tij Meta u shpreh se shembulli i tyre është frymëzues për fëmijët e të rinjtë për të arritur rezultate të larta dhe për të qenë të suksesshëm, jo vetëm në sport, por edhe në jetë.
“Titujt që akordojmë sonte këtyre personaliteteve të sportit të Korçës e të “Skënderbeut”, janë një vlerësim i punës, sakrificave, rezultateve, respektit, miqësisë, thjeshtësisë dhe korrektësisë, që ka karakterizuar të gjithë këta sportistë, që janë një pasqyrë reflektimi e frymëzimi për të gjithë sportistët tanë, sidomos për të ardhmen.
Sidomos për brezin e ri, jo vetëm vajzat dhe djemtë korçarë, por të mbarë vendit, në mënyrë që t’i përkushtohen më shumë sportit, të kenë më tepër besim te vetja, që të guxojnë të arrijnë rezultate më të suksesshme”.





(gazeta-Shqip.com)


Leave a Reply