E kujt është lahuta? Ne themi është shqiptare, serbët – është serbe. Malazëzët thonë se ata e krijuan. Kroatët thonë se është – kroate.
Instrumenti i lashtë muzikor Lahuta, mund të hyj në mbrojtje të UNESCo-s, mirëpo pasi lahuten e kanë perdorur edhe disa popuj tjerë të Ballkanit, nuk dihet cila lahutë mund ta gëzoj këtë fat e këtë mbrojtje. UNESCO është organizatë nderkombtare e OKB për Kulturë Shkencë e Edukim.
Lahuta është një nder instrumentet më të vjetër në Shqipërinë e veriut, Kosovë e Mal të Zi. Sipas kantautorit Fran Kodra, ajo vjen mbas lëpushtres, pipzës, zymares dhe borisë, in-strumente këto të ndërtuara me mjete rreth-anore natyrale. Sipas Kodrës, Lahuta ishte i vetmi instru-ment që u lëvrua nga rapsodia jone e vjetër, mbas Këngës maje krahu (akapelle).
Muzikologja Jelka Vukobratoviq ligjëruese në Universzitetin e Arteve Dramatike në Graz të Austrisë e cila është angazhuar në futjën e lahutës në UNESCo, ka shkruar qe perfshirja e këtij instrumenti në UNESCO do të shkaktonte edhe sot polemika në Ballkan.
Studiuesi Adem Zejnullahu, ka thënë se Lahuta është instrument i rëndësishëm kombëtar me të cilin janë kënduar këngët kreshnike legjendare, në të cilat janë përfshirë jeta dhe të dhënat e popullit tonë. Edhepse lahutë kanë edhe disa popuj tjerë ajo shqiptare është e veçantë, për arsye se është instrumenti më i vjetër i popullit tonë, ka theksuar Zejnullahu.
A janë bërë hapa serioz për futjen e lahutë në mbrojtje të UNESCO-s ? Studijuesi kosovar Ylber Vokshi thot qe, deri më tani nuk është në dijeni se janë marrë hapa konkretë nga institucionet e Shqipërisë apo Kosovës që Lahuta si artefakte autentike shqiptare të përfshihet në kuadër të Trashëgimisë Botërore (UNESCO). “Jemi dëshmitarë të kohës së globalizmit, i cili po i gëlltit kulturat e vjetra autoktone të vogla, ndaj urgjent duhet punuar në mbrojtjen e tyre si është Lahuta, si instrumenti thelbësor i muzikës së eposit, i cili gjithnjë e më shumë po del nga qarkullim, është në zhdukje”, ka deklaruar Vokshi në një intervistë të meherëshme.
Studijuesit shqiptarë nga Kosova, kur e quajnë lahutën instrument më të vjetër muzikor, sikur harrojnë okarinën e instrumente tjera qe lindën para lahutës.Por mund të jetë instrument më i vjetër harkor (?) Ata nga Shqipëria gjeografikisht lahutën e lidhin vetëm me Shqipërinë e Veriut duke harruar Kosovën e rajonet shqiptare të Malit të Zi.
“Të kujt realisht janë lahutat ” mba titullin një shkrim i i publikuar në Courrier des Balkans ? “Përfshirja e këtij instrumenti gjithmonë i nxehë gjakrat në Ballkan. Plus, tash edhe me konkurrentin e ri, Kosovën, përfshirja e lahutës dhe mundësia e propozimit do të shkaktojë polemika. Së fundmi u fol nëpër media se Kosovë, bashkë me Shqipërinë, do të kandidonin për ta futur lahutën në Listën e Mbrojtjes së Njerëzimit në UNESCO. Asgjë nuk është zyrtare, por edhe diçka e tillë do të ishte kontraverze” shkruan në këtë revistë Jelka Vukobratović.
Në nderkohë që popujt tjerë luftojnë për ta futur këtë instrument në mbrojtje të UNESCOs, ne vazhdojmë t’i biem lahutës tonë të polemikave pa bërë ndonjë hap serioz për mbrojtjën nderkombtare të këtij instrumenti.
Njëra ndër lahutat më të vjetra të ruajtura në Shqiperinë e Veriut, sipas kantautorit Fran Kodra është gjetur në fshatin Gjuraj-Pult. Ajo sipas deshmitarëve është rreth 22o vjeçe. Nga pjesët karkteristike të lahutës shqiptare Kodra në një shkrim të tij permend faktin qe trupi i lahutës është bërë nga druri i verrit i cili zakonisht rritet në brigje të lumejve. Trupi i lahutës mund të përbëhet edhe nga kungulli ose nga guaska e breshkës. Mbi çadër nga skaji i kasës vendoset një urë druri zakonisht e vendosur pak tërthorazi mbi të cilën mbështetet kordha e lahutës e cila quhet kamanec (Dukagjin) ose magjar (në disa vende të Shqipërisë Verilindore).
Lahuta, është instrument kordofon, përbëhet nga një kasë druri në trajtë vezake, të zgavruar përbrenda. Kjo zgavër e kasës mbulohet me lëkurë të regjur ose çapër, siç e quajnë në Malësinë e Madhe, e kapur anash me kunj druri. Harku i lahutës kryesisht punohet nga degët e drurit të thanës dhe me qime të bishtit të kalit. Në vend të telave, te lahuta vendosen deri në dyzet fije të bishtit të kalit të tërhequra, të cilat lidhen te koka e lahutës, kalojnë në një vrimë mes përmes kalit që punohet prej druri dhe vendoset mbi zhark dhe tendosen te bishti i lahutës
Si instrument Lahuta ndryshon edhe në formën e vetë, edhe në emërtim, në shtetet e ndryshme të Ballkanit. Lahuta shqiptare luhet nga rapsodët, ndërsa në Kroaci luhet nga hajdukët, qe ishin një lloj kaçakësh. Lahuta në Serbi është e formuar nga druri i panjes, dru i veçantë për këtë instrument. Në Mal të Zi, në anën tjetër, rëndësi e madhe i kushtohet pjesës së lartë, kokës, dhe shpesh gjenden lahuta me forma gjigante në pjesën e dekoruar të bishtit.
Lahutarët më të njohur shqiptar kanë qenë pasardhës të familjeve qe tradicionalisht kanë ruajtur e kanë kënduar me lahutë brez pas brezi. Studijuesi nga Prishtina Ymer Neziri në një publikim të tij, bëri këtë radhitje të lahutarëve të njohur : Rizë Beka-Alimusaj, Hysen Bajrami-Alimusaj, Smajl Zeqa-Selmanmusaj, Maliq Bajrami-Tishukaj, Bajram Zymeri-Avdullahaj, Halil Beka-Mehmetaj dhe Shaban Groshi-Husaj.Ndër lahutarët e gjallë të Kosovës më i njohuri është Isa Nikçi nga krahina e Rugovës. Në Krahinën e Sanxhakut (Serbi-Mal i Zi) në të kaluaren njihej lahutari me origjinë shqiptare Avdo Mexhedoviq. Në Shqipëri ndër lahutarët më të njohur ishin Hajdar Ahmati, Gjergj Pëllumbi, Gjon Nonaj, Kadë Ahmatja , Jonuz Delaj , Pretash Nilaj , Ahmet Duli , Rrok Preknoçaj , Mirash Ndou, Pjeter Matusha, Gjok Nonaj Syk Paplekaj, Zef Markokaj, Zef Beka, Sokol Mulaj, Gofile Paplekaj etj.
Në Muzeun e Instrumenteve në kryeqytetin europian, në Bruksel, ndodhet edhe instrumenti më i vjetër tradicional shqiptar, lahuta. Një shqiptar nga Kruja, i cili prej vitesh jetonte në Bruksel shprehu dëshirën , t’i dhuronte një lahutë drejtorit të muzeut të Brukselit, por sipas ligjeve të vendit, drejtori nuk mund të pranonte dhurata nga individ, përveçse nga shoqata.
Fran Kukajt, emigrant i brezit të dytë, i ati i tij mbërriti në vitet ’50-60 në Belgjikë i është dashur brenda një dite të vrapojë për të krijuar dhe regjistruar shoqatën. Por, rregulli tjetër ishte që instrumenti duhet të funksiononte në mënyrë që të mund të vendosej në muze. Ndërsa lahuta e krutanit edhe pse në pamje e bukur nuk mund të luante. Rregullat ishin të qarta, duhej të luhej harku mbi bishtin e Lahutës, e akordet duheshin ndërruar, por krutani nuk u dorëzua. Ndaj, ai niset drejt Krujës, blen një lahutë të re mbi të cilën harku i lahutës mbi kordhën e re lëshonte atë tingull që ne jemi mësuar ta dëgjojmë kryesisht nga pleqtë e veriut të Shqipërisë e Malësisë së Gjakovës, e që shoqëronte vargjet për kreshnikët.Kështu lahuta shqiptare u gjetvendosë në njërin ndër muzetë e njohura të Brukselit.
(Pergaditur nga Albumi AK)


Leave a Reply