
Nr._____, datë_________
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 13, të ligjit nr.16/2018, “Për diasporën”,
të nenit 116, të ligjit nr.97/2013, “Për mediat audio-vizive në Republikën e Shqipërisë”, të
ndryshuar, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në
Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën,
Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Prodhimin, transmetimin dhe financimin nga buxheti i shtetit të emisioneve të posaçme
televizive, për mësimin e gjuhës shqipe dhe për kulturën shqiptare, të dedikuara për
diasporën, si pjesë të programit “RTSH3”, të Radiotelevizionit Shqiptar (RTSH).
2. Emisioni i posaçëm televiziv për mësimin e gjuhës shqipe prodhohet e transmetohet
nga Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH) dhe financohet nga buxheti i miratuar për
Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
3. Emisioni i posaçëm televiziv për kulturën shqiptare, si prodhim i pavarur i Ministrisë
së Kulturës, transmetohet nga Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH), me financimin e
buxhetit të miratuar për ministrinë.
4. Përmbajtja e programeve të emisionit të posaçëm televiziv për mësimin e gjuhës shqipe
do t’u kushtohet interesave të arsimimit për komunitetet shqiptare jashtë vendit, sipas
kurrikulës së përbashkët të realizuar për këtë qëllim, në bazë të marrëveshjes me
qeverinë e Republikës së Kosovës.
5. Platforma e programeve të emisioneve të posaçme për mësimin e gjuhës shqipe,
kulturën shqiptare dhe identitetin kombëtar të përgatitet nga një grup pune
ndërinstitucional, që ngrihet me urdhër të Kryeministrit, me përfaqësues të ministrive
përgjegjëse për arsimin, kulturën dhe diasporën.
6. Transmetimet e programeve të miratuara do të inkurajojnë mësimdhënien on-line dhe,
pas transmetimit periodik në “RTSH 3”, do të vihen në dispozicion të publikut të
interesuar pa pagesë.
7. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Kulturës, për prodhimin,
transmetimin dhe financimin e emisioneve të posaçme, sipas pikave 1, 2e 3, të këtij
vendimi, të lidhin marrëveshjet përkatëse me Radiotelevizionin Shqiptar (RTSH).
8. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Kulturës dhe ministri i Shtetit për
Diasporën, brenda fushës së tyre të përgjegjësisë, në bashkëpunim me
Radiotelevizionin Shqiptar, të marrin masat e nevojshme për realizimin e emisioneve
të posaçme dhe transmetimin e tyre, duke filluar nga viti i ri mësimor 2019-2020.
9. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Kulturës dhe ministri përgjegjës për
diasporën të mbështesin Radiotelevizionin Shqiptar (RTSH) për zbatimin e
marrëveshjes me Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) për realizimin, brenda vitit 2019,
të programit të përbashkët televiziv mbi bazën e interesave të diasporës shqiptare.
10. Ngarkohen ministri i Shtetit për Diasporën, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe
Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Burimi – diaspora.gov.al/


Leave a Reply