Familjarë, miq dhe ish kolegë ishin në mesin e qindra njerëzve që morën sot pjesë në shërbimin përkujtimor për Senatorin e Arizonës John McCain, në Katedralen Kombëtare të Washingtonit.
Dy ish presidentë, Republikan George W. Bush dhe ai demokrat Barack Obama folën në ceremoninë, që McCain e kishte planifikuar që gjatë periudhës kur ai luftonte me kancerin në tru. Zoti McCain nuk mundi të sigurojë emërimin e partisë së tij republikane në vitin 2000, që e fitoi zoti Bush dhe në vitin 2008 ai i humbi zgjedhjet presidenciale ndaj rivalit të Partisë Demokrate, Obama.

Presidenti Bush tha se Senatori John Mc Cain do të kujtohet me mirënjohje për shërbimin e tij ndaj vendit, si një burrë me kod moral, për tiparet e tij, kurajon, ndershmërinë dhe dashurinë që kishte për lirinë. Ndërsa ish-presidenti Barack Obama tha se ai dhe George W. Bush ishin me fat që konkurruan me John McCain-in për Shtëpinë e Bardhë. “Ai na bëri presidentë më të mirë, ashtu siç e bëri Senatin më të mirë, ashtu siç e bëri më të mirë këtë vend”. “Kanceri nuk e frikësoi”, dhe “…ai kurrë nuk humbi optimizmin e tij, për jetën”. tha presidenti Obama.

Përveç presidentëve Obama and Bush, fjalime lamtumire mbajtën Senatori Lindsey Graham, ish Sekretari i Shtetit Henry Kissinger, që ishte edhe këshilltari i Presidentit Nikson për Luftën e Vietnamit anëtarë të familjes së Senatorit McCain. Në fjalimet e tyre ata theksuan kontributin e zotit McCain për vendin dhe cilësitë e tij të veçanta morale.

Kortezhi u nis të shtunën nga ndërtesa e Kapitolit, drejt Katedrales Kombëtare dhe bëri një ndalesë tek Memoriali i Luftës së Vietnamit, ku bashkëshortja e zotit Mc Cain vendosi një kurorë për nder të atyre që humbën jetën në këtë luftë.
Dje, qindra anëtarë të Kongresit ndoqën ceremoninë, përpara arkivolit në Kapitol, një nder që u është rezervuar vetëm 30 amerikanëve në të gjithë historinë e vendit.
Arkivoli mbështetej mbi një katafalk prej druri, që u përdor për herë të parë në vitin 1865, për të vendosur arkivolin e presidentit të vrarë Abraham Lincoln. Presidenti Donald Trump nuk u ftua në ceremoninë e së premtes, apo në funeralin që mbahet të shtunën, një vendim që është parë nga shumë njerëz si kritikë ndaj zotit Trump.
Në ceremoninë e Kapitolit, foli megjithatë nënpresidenti Pence, ndërsa zyrtarë të tjerë të administratës ishin të pranishëm. Të pranishëm ishin edhe e veja e zotit McCain, Cindy, shtatë fëmijët e tij dhe nëna e tij 106-vjeçare, Roberta McCain. “Gjithmonë do të kujtojmë se John McCain i shërbeu vendit dhe se i shërbeu me nder vendit të tij,” tha zoti Pence.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan e përshkroi senatorin McCain si “një nga shpirtrat më të guximshëm që ka prodhuar ndonjëherë Amerika”.
Pas ceremonisë të së premtes, trupi i senatorit McCain qëndroi në Kapitol për homazhe nga publiku. Pranë arkivolit të mbuluar me flamurin amerikan qëndronte një roje nderi e Kapitolit.
Ish aviatori, i cili u burgos në Vietnam për më shumë se pesë vjet, do të varroset nesër në kolegjin ku studioi, në Akademinë Detare të SHBA-së në Annapolis të Merilendit. Mekejni vdiq të shtunën e kaluar në moshën 81 vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin e trurit.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply