Dom Artur Jaku
“Kush nuk e njeh sot këtë burrë të vogël, kaq të gjallë e të ëmbël, këtë ‘cristiano da choc’ që ka hyrë në jetën publike pa i dhënë asgjë pushtetit të parasë dhe pa humbur asgjë nga natyra e tij askete?”
Kur më 29 qershor 1955 e përditshmja franceze “Le Monde” shkruante për Giorgio la Pira, Italia e njihte tanimë si kampion të paqes dhe të drejtave të njeriut.
Vatikani e kishte pajisur më 1943 me një kartë si ‘anëtar stafi’ i “L’Oservatore Romano” për ta ruajtur pas kritikave të mëdha që i bëri fazhizmit La Pira.
Pas lufte, ai qe një nga hartuesit e Kushtetutës italiane, duke propozuar që në hyrje të saj të shkruhej “Në emër të Zotit”.
Të parët që e kundërshtuan qenë miqtë e tij: “A do që të vësh në votim Zotin, me rrezikun që në këtë asamble Zoti të jetë në minorancë?”
Me dorën në zemër, ai u ngrit në këmbë. “Jo,- u përgjigj La Pira, -kërkoja konvergjenca, jo divergjenca”.
Si kryebashkiak në dy mandate i Firences, u bë një prej politikanëve më të dashur në Itali, për ndihmën e madhe që u dha të varfërve të pastrehëve në Italinë e pasluftës duke ndërtuar ato që u njohën si minishtëpitë. Po atë kohë, kur e kundërshtonin se nuk ishte e drejtë që të jepeshin fonde nga bashkia për bamirësi, ai u përgjigjej se nuk ishte bamirësi por “drejtësi”.
Ai mendonte se “veprimtaria politike është impenjim plot humanitet e shenjtëri; është impenjim, që duhet të drejtojë të gjitha përpjekjet e një jete, të endur me lutje e meditim, me urti e forcë karakteri, me drejtësi e dashuri”.
Papa Françesku ia ka njohur tanimë virtytet heroike, duke parë te ai njeriun e drejtë që ka njekur Krishtin si model sublim të jetës së vet ndaj Girogio La Pira së shpejti do të ngjitet në altarët e shejtë, siç e kishin quajtur njëherë pas ndarjes nga jeta qytetarët e Firences “kryebashkiaku i shenjtë”.
Qoftë jeta dhe puna e tij frymëzim për breznitë politike


Leave a Reply