Kjo është pyetja thelbësore e jetës së tij. Vetëm nëse dimë se ajo që ka vërtet rëndësi është e pakufishmja, mund të shmangim përqendrimin tek gjërat e kota dhe tek qëllime që nuk janë vërtet të rëndësishme.
Kështu, ne kërkojmë që bota të na njohë për cilësitë që ne i konsiderojmë si pronë personale, si gjendje: talentin apo bukurinë.
Sa më shumë njeriu i jep rëndësi zotërimeve të rreme dhe sa më pak ndjeshmëri ka për thelbësoren, aq më pak e kënaqshme bëhet jeta e tij.
Ai ndihet i kufizuar sepse ka qëllime të kufizuara dhe rezultati është zilia dhe xhelozia.
Nëse kuptojmë dhe ndjejmë se këtu, në këtë jetë, kemi tashmë një lidhje me të pafundmen, dëshirat dhe qëndrimet ndryshojnë.
Në fund të fundit, ne vlejmë diçka vetëm për shkak të thelbit që mishërojmë dhe nëse nuk e mishërojmë atë, jeta është e humbur.
Edhe në marrëdhëniet tona me të tjerët, pyetja vendimtare është nëse në atë marrëdhënie shprehet një element i pakufishmërisë.
Kufizimi më i madh për njeriun është “vetja” (egoja); kjo shfaqet në përvojën: “Unë jam vetëm kjo!” …
Në një epokë që është përqendruar vetëm në zgjerimin e hapësirës së jetesës dhe rritjen e njohurive racionale me çdo kusht, është një sfidë e madhe t’i kërkohet njeriut të bëhet i vetëdijshëm për veçantinë dhe kufizimin e tij.. ..
Veçantia dhe kufizimi janë sinonime të njëra tjetrës. Pa to, nuk është i mundur asnjë perceptim i të pakufishmes dhe për rrjedhojë, nuk ka ardhje në vetëdije; por vetëm një identifikim iluzor me të, i cili merr formën e një dehjeje nga numrat e mëdhenj dhe një etjeje të pangopur për pushtet politik….
Epoka jonë e ka zhvendosur theksin vetëm tek “tani dhe këtu” dhe për rrjedhojë ka shkaktuar një demonizim të njeriut dhe botës së tij. ….
Fenomeni i diktatorëve dhe gjithë mjerimi që ata kanë shkaktuar buron nga fakti që njeriut i është hequr dimensioni i transendencës, nga dritëshkurtësia e super intelektualëve…..
… Për aq sa ne mund të kuptojmë, qëllimi i vetëm i ekzistencës njerëzore, është të ndezë një dritë në errësirën e qenies së thjeshtë. …
Carl G. Jung
Pjese e shkeputur nga vellimi “Kujtime, Endrra, Refleksione.”
Burimi/Facebook


Leave a Reply