Shfaqja e radhës e kryeministrit në Bazën e Farkës është vetëm një tjetër fasadë e kuruar propagande për t’i hedhur hi syve një populli që përballet çdo ditë me pasojat e keqmenaxhimit. Ndërsa në ekran flitet për mjete ajrore që do të vijnë “dikur”, realiteti në terren mbetet trishtues: Shqipëria është i vetmi vend në rajon e Europë pa asnjë avion zjarrfikës në pronësi shtetërore. Punonjësit tanë të heroizuar të emergjencave braktisen të përballen me detin e flakëve me kova, kazma e degë pemësh si në mesjetë, ndërsa makineritë e ujit dhe blindat përdoren vetëm mbi sheshe kundër qytetarëve që protestojnë për të drejtat e tyre.
Ku janë sot satelitët Albania 1 e Albania 2? Na u shitën si teknologji hapësinore për monitorimin e territorit, por u zhdukën njësoj si te afera e inceneratorëve, ku milionat vazhdojnë të dalin nga taksat tona për impiante e projekte fantazmë që nuk japin asnjë rezultat. Paratë publike ikin në tenderat më të shtrenjtë të Europës dhe në shpenzime miliona eurosh për koncerte e propaganda me administratën e tërhequr me zort, ndërsa për mbrojtjen e pasurisë kombëtare e pyjeve nuk ka kurrë fonde.
Masakra që po ndodh me Pyllin e Sodës, Zvërnicën dhe mushkëritë e gjelbra të vendit tregon një filozofi të kalbur pushteti. Me ligje me porosi e statusin e investitorëve strategjikë, tokat e djegura po përgatiten të kthehen në piramida betoni për oligarkët. Atyre që përdorin fjalor përçmues ndaj qytetarëve protestues duke i etiketuar si “sorra” e “korba”, u bëjmë me dije se arroganca nuk e fsheh dot panikun e një pushteti të mbërthyer nga korrupsioni.
Durimi qytetar ka mbaruar. Nuk do të lejohet asnjë betoniere e asnjë gozhdë mbi shkrumbin e pishave të djegura. Kjo revoltë popullore për mbrojtjen e tokës, pasurisë kombëtare dhe të ardhmes së fëmijëve tanë nuk ndalet më deri në llogaridhënien e plotë përpara drejtësisë.
— Paulin Maçaj, Shkodër
Burimi/Facebook


Leave a Reply