Dr Adil Mustafa 28-07-2026
Deklarata e Kryeministrit Hristijan Mickoski se ndryshimet kushtetuese nuk do të realizohen është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe një dëshmi se premtimet për barazi e integrim po zëvendësohen me politika të mohimit dhe bllokimit.
Edhe më shqetësuese është heshtja e drejtuesve të VLEN-it dhe veçanërisht e zëvendëskryeministrit të parë, Bekim Sali. Kur ishin në opozitë, ndryshimet kushtetuese dhe integrimi në Bashkimin Evropian ishin ndër premtimet kryesore të tyre. Sot, kur Kryeministri e ka mbyllur publikisht derën për këtë proces, ata zgjedhin heshtjen në vend të mbrojtjes së interesit të qytetarëve shqiptarë.
Heshtja në politikë është pajtim. Nëse VLEN nuk është në gjendje të mbrojë zotimet që ua dha qytetarëve, atëherë ka humbur legjitimitetin moral për të përfaqësuar shqiptarët.
Nëse ndryshimet kushtetuese nuk realizohen dhe procesi i integrimit evropian mbetet i bllokuar, u bëjmë thirrje publike të gjithë deputetëve shqiptarë dhe të gjitha partive politike shqiptare që të ndërmarrin një akt të qartë politik dhe moral: të lëshojnë mandatet e tyre dhe të mos bëhen pjesë e institucioneve që mohojnë barazinë, marrëveshjet e arritura dhe të ardhmen evropiane të vendit.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për përfaqësues që heshtin përballë padrejtësisë. Kanë nevojë për përfaqësues që mbrojnë dinjitetin, të drejtat dhe interesin kombëtar me guxim dhe përgjegjësi.
Koha e heshtjes ka mbaruar. Është koha e përgjegjësisë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply