“Ja zgjidhjet për krijimin e Ligës mbarëkombëtare të futbollit”
“Jemi në pritje të çdo justifikimi tjetër nga ana juaj. Ju premtojmë që punën do ta bëjmë ne. Nga ju do të nevojitet vetëm nënshkrimi”
Altin Manallari
Kanë qenë pikërisht grupimi më i famshëm shqiptar, “Tifozët Kuq e Zi”, iniciatorët e krijimit të Ligës Mbarëkombëtare të Futbollit të Shqiptarëve dhe Kryeministri Sali Berisha vetëm pak ditë më parë jua ka njohur këtë meritë, por duket se palët nuk ndajnë mendime të njëjta. Pikërisht këtë e kanë bërë të ditur dje mbështetësit më të zjarrtë të Kombëtares kuqezi, të cilët nëpërmjet një komunikate për shtyp, kanë kërkuar projekte konkrete, jo vetëm fjalë të thëna për interesa të caktuara në momente të caktuara.
Precedenti i hidhur – “Me vëmendje të madhe po i ndjekim zhvillimet e fundit për krijimin e një kampionati kombëtar gjithëshqiptar”, shkruhet në komunikatë, ku më tej theksohet se “Tifozët Kuqezi janë thellësisht të zhgënjyer me disa federata, por në veçanti Federatën e Basketbollit të Kosovës, e cila kishte kërkuar nga ne që të përkrahnim nismën për një ligë të përbashkët të basketbollit, derisa pak muaj më vonë pas pranimit (me kushte të skuadrës së Prishtinës në Ligën Ballkanike), u tha se nuk u intereson më bashkimi në një ligë, pasi qëllimi tashmë ishte arritur, që të bëhej trysni te FIBA!”. Grupimi më fanatik dhe modern njëkohësisht i tifozëve të përfaqësueses e ka konsideruar një sjellje të tillë “dyfytyrësi” dhe “thikë pas shpine” për Tifozët Kuqezi, të cilët përkrahin çdo iniciativë qëllimmirë për bashkimin e sporteve andej e këndej Morinës, dhe jo vetëm.
Kundërshtimet – Për t’u rikthyer te futbolli, “Tifozët Kuqezi” konsiderojnë se Kategoria Superiore e Shqipërisë, “nuk mund të quhet ‘Kampionati Kombëtar’ përderisa në gjirin e saj ka vetëm ekipe nga 29.000 km e saj. Kampionati kombëtar përveç ekipeve nga Shqipëria e Kosova duhet të përfshijë edhe ekipet shqiptare në Iliriadë dhe ato në Mal të Zi”. Më pas kundërshtimet shkojnë edhe për politikën: “Nuk është hera e parë që ju drejtohemi, politika, qeveritë dhe federatat janë informuar prej kohësh si realizohet kjo pa i marrë leje askujt! Pse nuk e realizojnë të përgjigjen ata. Duam vepra, Jo fjalë!”.
Pengesa FIFA – Për të treguar që Tifozët Kuqezi nuk janë organizëm që japin vetëm kritika, por që ofrojnë edhe zgjidhje për kritikat që japin, ata parashtrojnë edhe një zgjidhje konkrete. “FIFA nuk lejon vende dhe klube joanëtare të luajnë me vende dhe klube anëtare. Kosova nuk është anëtare”, citohet statuti i FIFA-s. Por sipas grupimit më të njohur të tifozëve shqiptarë, zgjidhja do të ishte: “Mjafton që klubet e Kosovës të regjistrohen në Republikën e Shqipërisë. Klubi Prishtina ka kërkuar prej kohësh te kryeministri, ministri dhe federatat, por ende nuk ka marrë përgjigje?”.
Çështja “Prishtina” – Duke dashur t’i paraprijnë problemit, që mund të ngrejë FSHF, sipas të cilës në një rast të tillë Prishtina do të duhej të regjistrohej si një klub i Kategorisë së Tretë (që sot është e Dyta”, japin një zgjidhje edhe për këtë: “Klubi Prishtina është shumë më i mirë sesa gjysma e klubeve të Superligës në Shqipëri. Si nivel futbolli, si nivel financiar dhe si nivel tifozerik. Të pranohet Klubi Prishtina me vendim të KE të FSHF së bashku me të paktën 4 klube nga Kosova me buxhet më të lartë se ato të Superligës së tanishme në Shqipëri. Jemi në pritje të çdo justifikimi tjetër nga ana juaj. Ju premtojmë që punën do ta bëjmë ne. Nga ju do të nevojitet vetëm nënshkrimi”, përfundon komunikata e Tifozëve Kuqezi.
Zhgënjimi
Tifozët Kuqezi shprehin zhgënjimin për Federatën e Basketbollit të Kosovës, e cila u kërkoi mbështetje dhe i shfrytëzoi për t’i bërë presion FIFA-s
Somario
Autor: Altin Manallari
Per”Alba – Dansk” Shkodrani



Leave a Reply