Në Shkup po zhvillohet një takim mes drejtuesve shtetërorë dhe politikë për të shqyrtuar propozimet rreth çështjes së emrit të Maqedonisë, që ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara Mathew Nimetz i ofroi para dhjetë ditësh.
Me nismën e ministrit të jashtëm Nikolla Dimitrov, takohen presidenti Gjorgje Ivanov, kryeministri Zoran Zaev dhe kryetarët e BDI-së Ali Ahmeti dhe VMRO-DPMNE-së Hristian Mickovski.
Greqia kërkon një zgjidhje“ Erga Omnes” sipas autoriteteve në Athinë, për përdorim të përgjithshëm, edhe për vetë Shkupin edhe për përdorim ndërkombëtar.
Në Shkup mbretëron një atmosferë se zgjidhja e çështjes shumëvjeçare është më pranë zgjidhjes se kurrë më parë, por ekziston një lloj druajtje se ndryshimi i emrit të vendit do të prekte edhe identitetin e popullit maqedonas.
Sipas medias në Athinë dhe në Shkup, referencat për emrin e ri të Republikës së Maqedonisë janë: “Republika e Maqedonisë Veriore”, “Maqedonia e Epërme”, “Maqedonia e Re”, apo “Repubika e Maqedonisë – Shkupi”. Kjo e fundit duket se është më e pranueshme për autoritetet në Shkup, por nga ana tjetër politikanët konservatorë në Athinë ngulin këmbë që emri i ri i vendit fqinj të mos ketë fare fjalën Maqedoni.
Nëse gjendet një zgjidhje brenda këtyre muajve, para samitit të pritshëm të Natos, Maqedonia mund të bëhet anëtarja më e re e Aleancës Veriatrlantike, eventualisht të fillojë edhe bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply