Nga : Ilmi Kurti
Është ky titulli i një shkrimi të botuar në një portal mediatik në Itali vite më parë. Në shkrim flitej për një gjeni shqiptar, njëmbëdhjetëvjeçar, që po trondit botën e letrave në perëndim, me poezi, tregime, skica e libra të një niveli të çuditshëm artistik, të parrokshëm edhe për poetët e shkrimtarët e rritur. Sot, që ky djalë është 16 vjeç, ka ngritur lart famën e Shqipërisë, pasi po të klikosh në motorin e informacionit Google.com, do mrekullohesh me arritjet jo vetëm në fushën e letrave, por edhe në njohjet e sukseset në shkencat kompjuterike. Është emër shumë i njohur e i dashur në të gjitha portalet mediatike, agjencitë informative, gazetat, revistat e deri studiot e televizioneve kombëtare, që “zihen” kush ta ftojë në emision djaloshin Nilidon Pepushaj, talentin që elita e letrave dhe kulturës sonë, por edhe disa të mëdhenj te kulturës botërore, e njohin personalisht, nga afër. Në telefonin privat ka numra deri të producentëve të famshëm të Hollywood-it, ku komunikon shpesh me ta rreth temave të videove që publikon në kanalin tashmë famoz në gjuhën angleze në Youtube, Rambo Nei, diskuton rreth librave, tregimeve apo aventurave narrative të personazheve që i ka shumë të veçantë, të lirë në hapësirën e letërsisë që nuk ka cak.Shumë e njohin, shumë e adhurojnë, por pakkush e di prejardhjen e këtij gjeniu. Por vetë Nilidoni e tregon bukur në një poezi :
Kelmënd, je i mirë
n’verë më largon vapën,
Kelmënd, je i shtrenjtë
më ke lindur babën,
Kelmënd, t’bekoftë Zoti
ma ruaj t’pastër rracën,
edhe kur t’kem thinja
do ta puthi faqen,
arsyeja, e thjeshtë,
më ke lindur babën,
t’betohem n’besë t’sojit
s’të ndrroj me Parajsën,
arsyeja, e thjeshtë,
më ke lindur babën,
Kelmënd, t’bekoftë Zoti
Ma ruaj t’pastër rracën.
Pra, duhet ta parkosh spirancën e hulumtimit bash në Vukël të Kelmëndit, rrëzë Bjeshkëve të Nëmuna, në këtë fshat si amfiteatër të poshoq natyror. Veç prej këtu, duhet të përpiqesh të rrëmosh nëpër tis të shekujve, nëpër magjitë e këtij dheu qysh nga Muji e Halili, Zanat e Malit a Shtojzovallet siç u thonë vendasit, legjendat me Dragoj e Këngët e Kreshnikëve, e deri tek Nilidoni që qysh fëmijë kuvëndon me kaq mençuri e ndjenjë artisti me vëndin e vet :
Kelmënd, je i shtrenjtë
Më ke lindur babën,
Kelmënd, t’bekoftë Zoti
Ma reuaj t’pastër rracën…
Nilidoni ka kullën e babës së vet aty. I ati, Sokol Pepushaj, është njëri ndër gazetarët e njohur e të guximshëm. Ka kullat e axhave aty, të Ndue Pepushaj e Lekë Pepushaj, ka kullat e kushërinjve që janë shumë, prej mijëra vitesh në ato troje legjrndash e mrekullishë. Është një lagje e tërë që quhet Pepushaj, shtoi këtij fisi edhe lagjen Grabom që banohet nga Pepushaj, apo Qafën e Predelecit ku ka shumë nga fisi, apo Koplikun, Vrakën, Shkodrën, Lezhën e qindra vënde, deri në Amerikën e largët që jeton fisi i Nilidonit.Kjo kullë malësore është bash përballë shpellës së Heroit tonë Kombëtar Prek Cali. Kjo pra, është shpella, ku në janar të vitit 1945, u fortifikuan në barkun e saj, gjenerali i luftës Prek Cali me heronjtë e Malësisë së Madhe, nga ku luftoi kundër Brigadës së kriminelit Mehmet Shehu e strategut të rinisë komuniste Ramiz Alia, duke shkruar një nga historitë më brilante të tokës shqiptare. Prek Cali e trimat malësorë, pas një qëndrese të pashoqe, qenë dorëzuar në besë, pasi nuk donin pushtimin e Kelmendit nga komunistët kriminele. Por besën ia thyeu diktatori Enver Hoxha dhe e pushkatuan strategun Cali, i cili kishtë bërë shumë për kufijtë e shtetit, kishte apeluar e fituar mbi vëndimin e marrë nga Konferenca e Londrës e vitit 1913, ku fuqitë e mëdha kishin vëndosur që Kelmendin ta njihnin si tokë serbe. Sot Kelmendi është tokë shqiptare, falë mënçurisë e trimërisë së Prek Calit.Kjo shpellë historike, nesër mund të jetë një vend i vizitueshëm nga kuroizët e historive të medha. Është një reliev që është zor ta gjesh me të bukur e më ekzotik në Botë. Nga Kulla e Nilidonit ajo shihet qartë me sy, por duhen mbi katër orë rrugë te shkosh në zgafellën e saj që as kush nuk e di sa e thelle është. Askush në shekuj nuk ka mundur ta eksploroje dhe askush nuk mund të thotë vlerat që mund të zbulohen aty. Brënda, shpella ka ujë e “nuk ka fund”, dhe është e vëndosur çuditshëm në një shkëmb që zgjat kryet mijëra metra përmbi fshatin që e përshkon lumi Cem mespërmes.E tillë është natyra, shkëmb graniti, thep përpjetë me mijëra metra, e që të ngjan se i ke përmbi kokë; shpellën, historinë, malet thikë drejt si mur kalaje, ujin që buron e harbon atje, apo pemët e lashta sa mali, bimët e shumta medicinale e kafshët e egra që lodrojnë për qef të tyre…Po po, në këto anë ku malet rrokin Qiellin e këmbët i kanë ngulur fort në dy lumenj të pastër si loti, që pasi gjarpërojnë dy luginat, të Nikçit e të Selcës, vijnë e bashkohen tek Ura e Tamarës, për të vazhduar turravrapin neper Titograd, Tuz, Ulqin deri në detin Adriatik, në këto troje kreshnikësh, njerëzish të zgjuar që bëjnë histori e shëndrisin, tradita malësore ka ruajtur rregulla, por edhe ka thyer rregulla. Ka ruajtur e percjellë brez pas brezi traditën e mire, por edhe ka thyer rregullat e kohërave, duke lindur, pse jo, mbinjerëz. Dikur quheshin Dragoj a Shtojzovalle, e legjendat e Mujit e Halilit nuk lindën rastësisht këtu, sot quhen gjeni e Nilidoni ka rrokë hapësira të paimagjinueshme për një fëmijë të kësaj moshe. Nuk ka ndodhur deri sot në Botë një rast i këtyre përmasave. Kam degjuar para ca kohësh shkrimtarin, poetin, babain e dramës shqiptare Fadil Kraja që para një auditori të zgjedhur me personalitete të letrave, në momentin që i dorëzonte djaloshit kelmendas Nilidon Pepushaj çmimin e parë si shkrimtari i ri më i mire në Veri të Shqipërisë, deklaroi se Nilidoni shkruante poezi e fliste anglisht para se të hyjë në klasë të parë.Që në moshën 8-vjeçare ka botuar shumë skica, poezi dhe tregime që janë vlerësuar nga gazeta e revista prestigjioze. Në gazeten “Tribuna” që botohet në Athinë (Greqi), ka botuar që 8 vjeç. Redaksia, që në fillim i ka shoqëruar botimet e tij me komente speciale dhe ka shperndarë herën e parë të botimit 10.000 kopje gazete falas, për nder të një talenti të veçantë, siç e ka cilësuar.Me qindra janë botimet e talentit të pashoq deri sot në Botë, Nilidon Pepushaj, në gazetat print apo online mbarëbotërore, enciklopedike – informative, që nga SHBA, Athinë, Romë, Londër, Paris, Egjipt, Iran, Kanada, Australi, Tiranë, Prishtinë, Shkup e deri në Kinën e largët. Çdo portal apo oragan shtypi, Nilidonit i boton çdo tregim, çdo skicë, çdo poezi. Krijimet e tij, deri para katër-pesë viteve, dhe të mos harrojmë, ka lindur më 09. 11. 2001, shumë mediume prestigjioze ia kanë botuar edhe të pa korrektuara, me gabimet normale ortografike të një fëmije, për të ruajtur e përcjellë origjinalitetin e artit, duke ia shoqëruar me komente redaksionale. Ka rastisur që edhe një udhëtim i Nilidonit, thjesht se po shkon ne x vënd, të bëhet lajm për mediat prestigjoze.

Më 9 nëntor 2011, pikërisht ditën që ka mbushur 10 vjeç, nga shtypshkronja e shtëpisë botuese ‘Atë Gjergj Fishta” ka dalë në shitje libri i pare i tij me titull “Zoti i Zi në Shtëpinë e Bardhë”. Nga parathënia e librit të parë, shkruar nga poetja e shkrimtarja e njohur Fatime Kulli shëputim:“ Nilidon Pepushaj ishte vetëm 8 vjeç kur tërhoqi vëmëndjen e dhjetëra shkrimtarëve dhe studiuesve për talentin, për gjetjet dhe tematikat e shkrimeve. Por sot, Nilidoni bën një tjetër surprizë për lexuesin këtej e përtej Atlantikut. Fantazia krijuese e Nilidon Pepushaj shkon larg…, shumë larg…, në botën e qytetëruar demokratike…, në Amerikë. Pikërisht, Ai vjen me librin “bombë” në treg (shqip-anglisht), “Zoti i Zi në Shtëpinë e Bardhë”. Gjeniu i vogël me ide të mëdha, shkrimtari krejt i veçantë për moshën, ku akoma nuk i ka mbushur 10 vjeç, thotë çfarë nuk mund të shprehim ne shkrimtarët e rritur, madje me një stilistikë që do e dëshironin edhe kolosët ë letrave. Ndoshta është e paimagjinueshme, që një fëmijë kaq i vogël, të shkruaj një libër kaq “provokues…”, me ide e vizione të mëdha për jetën shoqërore, sociale dhe atë politike. Autori përshkruan mjeshtërisht qëllim-dëshirën e Pengupegës për të hyrë në politikë, (siç ndodh rëndom edhe në jetën tonë social-politike, ku politikanët dalin nga fijet e barit, mbetur nëpër baltën e zhuritur për të qenë “diell”):“Pengupega vendosi të kandidonte për President të Amerikës. Pengupega është 9 vjeç, sa autori i këtij libri. Me moshën e njerëzorëve them. Prandaj mos ua merrni për keq as autorit, as Pingupegës që është një Penguin, i cili kishte në fillim krahët e Pegasusit, por që i humbi”. Pas “humbjes”, Pengupega (hero i librit) paraqet ide të reja para popullit paqësor e besimtar, ndaj gënjeshtrave të politikanëve që duan t’i drejtojnë ata: “Pengupega lufton që t’i sigurojë Botës një jetë më të mirë. Patjetër, që i vetëm ai nuk mund ta bëjë gjithë punën, sepse për ndryshimin e Botës duhen shumë dhe shumë njerëz të tjerë. Pingupega mendon të ndihmojë të varfrit, ata që nuk kanë punë dhe shtëpi. Ai mendon t’u japë më shumë dollarë atyre që janë të varfër. Për këtë ai po punon pa pushim ditë dhe natë. Asnjë në këtë Botë nuk do të vuaj më nga varfëria. Çdo njeri do të ketë aq shumë para sa të mos ua zërë as kasaforta”.“Zoti i Zi në Shtëpinë e Bardhë” është një libër shumë interesant, jo vetëm nga gjetja e fabulës, por nga ndërtimi i strukturës letrare, nga ironia e hollë e elegante e dialogëve të personazheve, por më së shumti, nga idetë e shkrimtarit më të ri, 9 vjeçar, që është i vetëdijshëm për ato që mendon në pavetëdijen e tij, (pasi është shumë i vogël) për të bërë një libër që do çudisë jo vetëm bashkëmoshatarët e tij (që nuk e kuptojnë), por edhe të rriturit. Ai ka ditur për të ecur letrarisht (si një shkrimtar i madh) me fillimin e ngjarjes, duke i ndarë ato në pjesë të caktuara kohore të veprim-mendim-qëllimit. “Aventurat e Pengupegës” dhe “Zoti i Zi në Shtëpinë e Bardhë” janë në një linjë të shtruar me dëshira të çuditshme, por jo të parealizuara për personazhin kryesor të librit, Pengupega. Autori i ka përshkruar aventurat e heroit të librit si aventurat e një pende të hollë, e një shkrimtari që ke dëshirë ta lexosh me një frymë, dhe kështu u zgjodh “President i Amerikës”. Nilidoni është një shkrimtar që do ta dëshironte çdo komb, ta mbante si idhull në gjirin e vet”!Por mrekullia e madhe ndodhi kur Nilidoni shpërtheu me romanin “ 15 minuta lojë me kohën”, një roman vërtet jo vetëm i arritë artistikisht, por edhe krejt i veçantë në fabulen dhe fantazinë, një roman ku shrimtari e botuesi Dashamir Cacaj në recensen e tij shprehet:
“Mua dhe ndokujt tjetër, në hapin me kolor të ndrrimit të mijëvjeçarëve, na ka shkuar nëpermënd litari i ankthit e i shpresës, për mrekulli të vogla e të mëdha të mileniumit në lindje e siper. Dhe nëse kemi besuar se po, në pak vite jemi bindur se shekulli i 21- të ka filluar mbarë. Njëra nga këto mrekulli, e dhëntë Zoti aspak të vogla, gjakoj të jetë zbulimi i një lëvruesi letrash të fisme. Ngjitem tek ky pod për të dhënë këtë kumt, pasi kam lexuar një kapule me vjersha dhe proza të shkurtëra të perafërta me paradigmat, të adoleshentit me të ardhme. Midis vandakut të krijimeve përfshij edhe romanin e kalibruar me finesë nën titullin mbresëlënës e rrezatues “15 minuta lojë me kohën”. Autori i gjithë kësaj ploje letrare është një njëmbëdhjetë vjeçar, që edukohet dhe arsimohet në institucionin akademik “Zëmra e Krishtit”, e që quhet Nilidon Pepushaj.Mbresa shumëpelenshe e krijuar nga leximi me laps në dorë që mbart tension e vëmëndje, po të gërvishtet pak, guxon të thotë për Nilidonin: Ky djalosh ka lexuar një mal me libra dhe është konsultuar me poaq autorë, të gjallë e të vdekshëm. Një miku im i letrave, Frederik Reshpja, këshillonte nistorët e letrave që të hidhnin në leter frazën a vargun e parë, vetëm pasi të kishin lexuar e përtypur si kali tagjinë, jo më pak se njëmijë tekste. Unë kam bindje se Nilidon Pepushaj e ka kapërcyer këtë stekë, në mos qoftë ngjitur më lart saj. Lundrimi në prrejtë e veprave letrare e vozitja në impiantet mediatike virtuale, të cilat edhe tek ne vërshuan me shkulme jo të vogla, e bën të pranueshme e të besueshme krijimtarinë që ka krijuar ndërkohë shtrat si të Prokustit, të Nilidon Pepushajt. I gjithë ky mision sa i ndërkryer po aq ekuilibrues, krijon vaun fisnik në të mirë të autorit dhe lëndës letrare që sitë e kalibron Ajkune a Penelopë.Libri më i ri i Nilidon Pepushajt, është një prozë e zhdërvjelltë të cilën ke dëshirë të mos ja prekësh fundin. I plotëson asetet e konstruktit të romanit klasik e modern. Në armaturat e veprës letrare ka musht, palcë e klorofilë. Në kry të herës aktorë dhe vektorë të ngjizjes narrative, janë tre shokë. Jo në moshën e Patris Holman e dy shokëve të saj në romanin “Tre shokët” të Remarkut. Por vetëm njëmbëdhjetë vjeçarë, nxënës të një shkolle me taban e tavan. Ata të tre, e nisin aksionin si në një dalje të lirë në një ditë të bukur, me shumë dritë e pak diell. Dalin për shëtitje në njërën nga rrugët e zhurmëshme e me trafik të rënduar të metropolit permanent të Shqipërisë Londineze, Tiranë. Adoleshentët me emra të kuptimshëm e aspak të zvetnuar në Godinën e herojve të letërsisë së kultivuar, kryejnë një veprim që të çon ndërmënd aktin e martirizimit. E ndalin kohën. Akrepët e orëve të tyre ndryshken atëbotë, kinse e gjithë gamilja e skorieve të globit pati rënë papritmas përmbi ta.E ndalin kohën, më saktë e stopojnë vetëm sa për një vrap atkine, sall një çerek ore. Por, kjo grimëherë ju mjafton për tu harruar në aq dekada, sa iu afrohen qindit. Personazhit real që identifikohet me autorin e narrativës rrënqethëse e pozante njëherësh, i duhet ky pesëmbëdhjetëminutësh, për një frymëmarrje të lirë, për një hutim a shfrim, për një pritje e një soditje, për një makth që nuk ka gjasa të mbruhet si i këtillë në magjen e persiatjeve. Ndërsa dy vajzave, u mjafton kjo kohë e ndaluar, në dukë, rreptësisht xhuxhe, u nevojitet për tu bërë gra. Dhe jo vetëm. U del boll për tu hallakatur, për paranojë, për humbje e gjetje të vetvetes, për ngritje në pikiatë e për zbritje në zgafellë, për orgji e për krushqi, për prikë e për skamje. Autori në moshën vetëm njëmbëdhjetë vjeç, bie në ujdi me fansat e vet (nënkupto: lexuesit) për ta njëmendësuar vetëdijen, për ta sprucuar e observuar një prozë vërtet intriguese e mbresëlënëse, ding e për majë me maksima, thua se i ke mbledhur nga titanët e kohëve moderne të botës ndërkombëtare të letrave të kultivuara, pas skadimit të kohërave të pergamenës.
Tre shokët janë të vetëdijshëm se duhet të takohen, sepse dhe koha e ka një trill të vetin. Koha ndalet jo in finito, siç mund të rreket ta ndalojë një sharlatan i shekujve me terrinë meskine e habitat të skajshëm. Takimi ndërvedi ju duhet për të shprralluar jetën virtuale të përjetuar në botë të tjera, heraherës aspak të ngjashme me jetën mbi globin tokësor, jetë që e shprrallin me dhëmbë e me shkelma. Koha ka tagrin e ristartimit të vet e kjo leje që nusëron lëvizjen, ju krijon guximin personazheve ta sheshojnë vakumin e ekzistencës së tyre në dy botët me pole të ndryshëm, asaj reale dhe asaj virtuale.Si frymë e si shpirtra, tre shokët me moshë siç e cekëm jo të Patris Holman e versënikëve të saj, pohojnë se çdo ndodhi, me pak mërtekë si konstrukt apo e sofistikuar sa Pallati Mbretëror i vëndit tim, e shfaq dikur, edhe pas pesëmbëdhjetë minutash të rrasta, një dritë jeshile me gjelbërim pikant si të kopshteve ku rehatia përkundet si në shilarëset e Mesopotamisë a brigjeve të Senës së sotshme. Një grimëkohë, është e mjaftueshme për të tre, për të veshur setrat e rrugëtimit për larg. Nilidon Pepushaj me gjasë ka ndermënd ta pickojë jo pak herë lëkurën e kohës në fërgëllimin e mijëvjeçarit të ri, kohë që nuk i bishton surprizave të njelmëta e të frikshme deri në asht. Në pritje të prurjeve të reja, mokrat e bluarjes janë në vaktin e këngëzimit të tyre.Një prozë si kjo e “15 minutave lojë me kohën” sitet nën astarët e memories njerëzore. Është një mënu në kulinarinë e narrativës moderne të përshkuar në jo pak filtrime të dobishme, e cila nuk përton për të marrë formën e orkides, për të thënë se jam këtu në trajtën e aromës së veshur me këmishë drite, për të gjithë atë tubë lëxuesish që do ta ndjekin në çdo vllajë krijimtarinë e bereqetshme, të Nilidon Pepushajt”.
Ky djalë me të ardhme si drita e maleve nga ka prejardhjen, ka shumë kulme në jetën vetëm 16 vjeçare. Libri me poezi “Qesh e qaj me mijëra djaj” është vlerësuar nga kritika dhe janë përpirë nga tregu të 4000 kopjet e tij. Është ky libër që është vlerësuar me çmimin e parë nga shtëpia botuese “Helena Kadare”. Janë me dhjetëra çmimet, të para natyrisht. Piktorë shqiptarë e të huaj i kanë bërë portrete dhe jane miliona nëpër botë qe e ndjekin e komentojnë.Në Website-n, ndër më të famshmit në Botë www.amazon.com , ky djalosh shet librat e tij në gjuhën angleze. Po të kërkosh në www.youtube.com kanalin Rambo Nei, do shikosh se në një periudhë të shkurtër ai kanal është bërë i famshëm me rreth gjashtë milion shikime në gjuhën angleze. Dhe ky kanal që sjedh të ardhura financiare, është i Nilidonit.Ditët e pushimeve verore i shfrytëzon në maksimum. Vjen në Kelmënd tek axha i vet Ndue Pepushaj, shijon bjeshkët, freskohet në lumin Cem aty në Vukël, gjuan troftë, lexon libra, luan me moshatarët e vet dhe shkruan.
Pra, kalon kohë në trevën ndoshta më të bukur të tokës. Gojëdhënat thonë se lugina e Cemit të Vuklit, me ujë të pastër si loti e plot troftë të egër, një kanon i pashoq që gjarpëron përmes maleve mijëra metrash lartësi, në një gjatësi prej rreth 30 kilometrash nga fshati Nikç e deri në Grabom ku kalon në Titograd, është krijuar në vitin 43 pas Krishtit nga një çarje e madhe e maleve mijëravjeçare. Edhe lugina tjeter e Kelmendit, nga Selca ku buron Cemi tjeter e bashkohet me Cemin e Vuklit tek Ura e Tamares, është një kanon po kaq i gjatë e kaq i mrekullueshëm. Këtu në Vukël, në një kodër që quhet Ryec, gjen gjurmë të muranave të një qytetërimi prehistorik . Ka shpella të paeksploruara, madje ne shkëmb, unikale. Janë dy të tilla në fshatin Selcë, në një shkëmb thikë perpjetë, 70 metra nga toka e 70 metra nga maja e shkëmbit. Në to duken gjurmët e jetës njerëzore, madje me mur mijëra vjeçar në ballë të tyre, ku askush nuk ka arritur të futet në to. Gjurmë të punimit të qeramikës gjen në këto troje, çka tregon për një histori mbi dymijë vjeçare. Këto pra janë trojet e prejardhjes së Nilidonit, i cili ka në përfundim një roman mjaft interesant kushtuar presidentit të SHBA-së Donald Trump me titull “Mbreti i UFOVE’.
Kësaj vepre po i jep “latimin” e fundit dhe është gati për ta çuar tek një shtëpi butuese. Romani që ka në dorë ky adoleshent, ky talent vërtet i përmasave unike, është një vepër që i tejkalon gjithë magjitë e një mëndjeje të deritashme, besoj jo vetëm për moshën. Ka të pabotuara shumë tregime e poezi, ka dëshirë pikturën, muzikën, futbollin, por në krye të vëndit ai vëndos shkencat kompjuterike. Në gjithë hapësirën mediatike ne kemi lexuar mrekullitë e tij si gjeniu i kompjuterave dhe i besuar i stafit të facebook-ut, ku ka ndihmuar shumë njerëz në botë duke u mbyllur llogaroitë false në emer të tyre, apo edhe duke u rikthyer llogaritë e vjedhura nga piratët apo të mbyllura për arsye të ndryshme.
Është interesant një fakt. Emri Nilidon vjen nga bashkimi i dy lumenjve, lumit Nil në Afrikë që është më i gjati në botë dhe lumit Don në Rusi që është lumi më i qetë në botë. Njëri bashkon dy kontinente e tjetri ndan dy kontinente.Po të klikoni në www.Google.com, nuk gjen një emer tjeter si ky deri sot. Është emër që të atit i është shfaqur në ëndërr, duke diskutuar 36 Kardinalë n’Vatikan për t’gjetur një emer të veçantë për një fëmijë të veçantë që do lindë. Kjo ka ndodhë para se të dihej që nëna e Nilidonit, Veronika, ishte shtatzënë.Pra, ky fëmijë, sot një mrekulli e artit t; letrave e shkencës komjuterike, duket se ka ardhur në jetë si vullnet i Hyjit për të shëndritur në këtë Tokë. Dhe nisja nuk ka si të jetë më rrezatuese .
Burimi / http://revista-fjala.com


Leave a Reply