Kryeprokurori i Spanjës po kërkon të ngrejë akuza për rebelim dhe kryengritje kundër udhëheqësve politikë të Katalonjës, pasi shpallën pavarësinë javën e shkuar. Akuzat mund të çojnë në burgim deri në 30 vjet.
I shkarkuar – por sfidues. Ish Ministri katalanas për Marrëdhënie Territoriale mbërriti të hënën në Barcelonë dhe premtoi të vazhdojë detyrat e tij.
Por pak më pas, ai u largua nga ndërtesa – i shoqëruar nga policia nën brohoritjen e mbështetësve të tij.
Ai është një nga shumë udhëheqës katalanas që përballen me arrestime të mundshme ndërsa kryeprokurori i Spanjës tha të hënën se do të kërkojë të ngrejë akuza për drejtuesit e ish qeverisë katalanase.
“Për krimet e rebelimit, trazirave dhe përvetësimeve të kryera nga udhëheqësit kryesorë politikë të autoritetit rajonal të Katalonjës, të cilët me vendimet dhe aktet e tyre në këto vitet e fundit kanë prodhuar një krizë institucionale”, tha kryeprokurori Jose Manuel Maza.
Akuzat mund të çojnë në burgim deri në 30 vjet. Një gjykatës do të shqyrtojë tani kërkesën e prokurorit.
Ish presidenti i Katalonjës Carles Puigdemont – mes atyre që përballen me akuza të mundshme është në Belgjikë, së bashku me ish anëtarë të tjerë të kabinetit. Madridi mund të kërkojë të kufizojë lëvizjen e tij, thotë blogeri politik Luis Cornago.
“Mendoj se kjo lëvizje është kundër-produktive, pasi rrit shanset që ai të burgoset. Megjithatë, ka disa njerëz që sugjerojnë se kjo është ajo që ata po mundohen të arrijnë – të bëhen martirë.”
Zyrtarët e partisë së zotit Puigdemont thonë se do të marrin pjesë në zgjedhjet rajonale të dhjetorit të kërkuara nga qeveria spanjolle në përgjigje të krizës.
“Ne do të përballemi me këtë përpjekje për të çrrënjosur institucionet katalanase”, thotë Marta Pasca, me partinë demokratike.
Por këto zgjedhje nuk kanë të ngjarë ta zbusin krizën, thotë analisti Cornago.
“Mendoj se duhet të ketë negociata mes qeverisë katalanase dhe asaj spanjolle. Dhe kjo duhet të ndodhë në një kohë të caktuar. Në se kemi të njëjtin rezultat dhe në se partitë pro-pavarësisë së Katalonjës fitojnë përsëri shumicën si në vitin 2015 – kjo do të jetë problematike”.
Kampet rivale pro-pavarësisë dhe pro-unitetit kanë zhvilluar demonstrata të mëdha gjatë ditëve të fundit – duke vënë në dukje ndarjen e thellë në shoqërinë katalanase dhe atë spanjolle.
Kjo javë ka sjellë një qetësi të bezdisshme. Qeveria spanjolle varet tek besnikëria e forcës policore katalanase për të ruajtur paqen.
Madridi shpreson se zgjedhjet e planifikuara do ta ulin temperaturën politike. Por pak presin një fund të shpejtë të krizës.
Burimi/Zeri i Amerikes
Leave a Reply