Më shumë se 20 veta u vranë dhe mbi 100 u plagosën gjatë të shtënave në një festival të muzikës në Las Vegas të dielën vonë, tha sherifi i Las Vegasit.
Një duzinë patrullash të policisë shkuan në vendin e ngjarjes pas njoftimeve se një person është duke shtënë me armë zjarri në festival. Policia e Las Vegasit tha më pas se një i dyshuar “është qëlluar”, por nuk dha më shumë hollësi.
Pjesëmarrësit në koncert thanë se kishin dëgjuar të shtëna me armë automatike.
Kodiak Yazzie, 36 vjeçar, tha se ai dhe mikesha e tij, po ndiqnin paraqitjen e Jason Aldeanit kur dëgjuan krisma si të fishekzjarrëve.
Mijëra u larguan pasi breshëria e te shtënave mund të dëgjohej për më shumë se pesë minuta, tha Yazzie.
Dëshmitarët thanë se kanë parë disa viktima dhe duzina autoambulancash afër vendit ku mbahej koncerti. Disa nga pjesëmarrësit u mblodhën më pas ne bodrumin e kazinosë së hotelit Tropicana.
Oficerët e policisë të armatosur me pushkë hynë në hotelin dhe kazinonë Mandalay Bay dhe mbyllën zonën përreth.
Fluturimet nga aeroporti ndërkombëtar McCarran, u pezulluan përkohësisht për shkak të shtënave thanë autoritetet nëpërmjet rrjetit twitter.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply