Në vitin e njëqind vjetorit të lindjes së poetit të madh Millosh Gjergj Nikolla- Migjeni (1911-1937), nuk mund të mungonte me një libër kushtuar këtij fenomeni të papërsëritshëm të letrave shqipe shkrimtari dhe eseisti bashkëkohor Moikom Zeqo. Shprehja “nuk mund të mungonte” thuhet këtu për zakon, por është e papërshtatshme në kontekstin e prurjeve dhe ceremonive për Migjenin në njëqind vjetorin e tij. Në këtë përkujtim libri i Moikom Zeqos ishte kurora e përzishme e kurorave, të cilën ky, pasi e kishte përgatitur vetë me lule dhe gjethe të dekadave, kishte tagrin ta mbante dhe vendoste me duart e veta në ballin e poetit. Në fakt, “Migjeni, arkitekti i nëndheshëm i qiellit”, botuar nga shtëpia botuese “Erik”, është një nga librat më të veçantë e më të rëndësishëm në listën e librave që janë shkruar e kompiluar deri sot për Migjenin. Libri në vetvete përcjell përshtypjen e një ngjitje nëpër dëshmitë, artikujt, studimet dhe esetë e mëparshme, pra nëpër gjithë një lëndë të shoshitur e të asimiluar nga Moikom Zeqo nëpër vite, por duke kaluar ndërkaq përtej kësaj lënde, me mëtimin e përligjur për të vendosur një kuotë të re më të lartë në bibliografinë për Migjenit, mundësisht në lartësinë e veprës së tij.
“Migjeni, arkitekti i nëndheshëm i qiellit” është një libër i llojit të mishelanesë, ku janë përfshirë eseja prej nëntëdhjetë e pesë faqesh që i ka dhënë titullin librit, shënime dhe refleksione të autorit përgjatë viteve për Migjenin, komente të prozave dhe poezive të tij, shkrime të mëparshme, pjesë të epistolarit dhe një koleksion poezish të poetit për poetin.
Eseja e shkruar në vitin 2011 është zemra e librit. Kemi të bëjmë me një tekst lakonik e të ngjeshur, ku gjejmë të njësuar në një vështrim unik -në vështrimin moikomian do thosha- biografin, historianin, studiuesin, dijetarin, njohësin, filozofin, poetin, pra gjithë çfarë duhet për të rrokur e ndriçuar në gjerësi e thellësi profilin e një shkrimtari kaq të veçantë si Migjeni.
Migjenist par exellace, Moikom Zeqo është shfaqur prej vitesh si një oshënar i përkushtuar dhe i magjepsur i gjithçkaje të re e të panjohur që pema e kohës shkund apo zbulon nga jeta dhe vepra e idhullit të tij. Sende, letra, fragmente letrash, shënime, nënvizime, dëshmi, relikte të pakta që adhurimi për njeriun që i ka përdorur i shndërron në talismanë të atij që i gjen… Kudo ku jep shenjë një kujtim sado modest për Migjenin, Moikom Zeqo do të lerë gjithçka dhe do të jetë atje. Në librin e ri ai sjell refleksin e bisedave me Skënder Luarasin, që ka qenë buri i motrës së Migjenit. Është shumë i matur Luarasi në vlerësimet për Migjenin. Nga evokimi i bisedave me Lasgush Poradecin, vjen dëshmia se Poradeci kishte kopjuar me një kujdes kaligrafik të veçantë poezitë dhe prozat migjeniane dhe se këtë dorëshkrim e mbante në arkivin vetjak. Ka një rebus që nuk shpjegohet në këtë histori. Lasgushi, shkruan Zeqo, kishte një ndrojtje dhe një përvujtëri vëllazërore për Migjenin. Ka kopjuar me dorë krijimet migjeniane, por nuk ka lenë asnjë fjalë për autorin.
Eseja e re e Zeqos ka veçorinë se merret pak me dëshmi, të cilat vetëm sa i prek si reja shkëmbinjtë. Kësaj radhe atij i intereson ta zbulojë Migjenin në një mënyrë tjetër, duke u njësuar me të, duke u shndërruar në një farë kipsi të tij, duke ribërë jetën e tij dhe duke rrëfyer telegrafikisht e thelbësisht, si të ishte vetë Migjeni, kush ishte, si shkoi në shkollë, si ra në kontakt me librat, si filloi të shkruante, si “lindi” si shkrimtar në gjuhën shqipe të atit, si e braktisi rasën e priftit, si ndjeu shkrepjen e veprës së tij, si konceptoi afatin që i kishte dhënë sëmundja, si vdiq. Në këtë rrëfim marrin përgjigje pikëpyetje që kanë shoqëruar e vijojnë ta shoqërojnë biografinë e Migjenit Ka gjithnjë një pikë ku figura e Migjenit ndërlikohet, futet në një lloj enigme dhe terri. Është kontrasti midis jetës së tij të zakonshme që u konsumua shpejt në një provincë shqiptare shumë larg metropoleve të artit dhe veprës së tij universialiste. Si shkrimtar ai është një gjë tjetër nga ai që panë bashkëmoshatarët e tij në Manastir, një gjë tjetër nga ai djaloshi i imtë që shkonte e vinte me biçikletë në rrugën Shkodër-Vrakë e kthim dhe natyrisht një gjë tjetër nga ai mësuesi modest i shkollës së vogël të Pukës…Milloshi ndryshonte mbi letrën e bardhë, “rilindte” si personazh i poezive dhe prozave të veta në trajtat e një artisti të papërsëritshëm, bashkëkohor, kombëtar dhe universal Nga erdhi, nga zbriti, nga doli ky shkrimtar? Kush është? Ku shkon?
Moikom Zeqo ka qëndruar prej vitesh përballë këtyre pyetjeve. Eseja e tij është sinteza e afrimit të vazhdueshëm me poetin, pa humbur magjepsjen ndaj veprës së tij. Dhe është gjithashtu një depërtim në palimpsetin e këtij shkrimtari pa të ngjashëm në letrat tona, duke vështruar si në një rontgen, duke analizuar me metodën e krahasimit dhe me dijet e gjera filologjike tërësinë e veprës së Migjenit në relacion me librat që ky ka lexuar dhe me rrymat e letërsisë europiane të kohës.
Pjekuria që ka fituar përgjatë viteve si krijues e studiues dhe kultura e gjerë letrare dhe filozofike i kanë dhëne Zeqos fjalëkalimet për të hyrë më i sigurt se asnjëherë tjetër në “enigmën migjeniane”, që sipas Zeqos nuk është gjë tjetër veçse konceptualizimi nga Migjeni i idesë se “letërsia shqipe është e tillë vetëm nëse është letërsi botërore”. Në esenë e tij Zeqo ngulmon në tezën se më tepër se nga letërsia shqipe, Migjeni vjen nga letërsia botërore, duke rindërtuar në bazë të ingredientëve të krijimtarisë së Migjenit një listë të shkrimtarëve dhe filozofëve të mëdhenj botërorë që kanë lënë gjurmë në formimin dhe botëkuptimin e tij. Pra, nuk vjen nga brenda, por nga jashtë. Madje, sipas Zeqos, Migjeni nuk i ka njohur shkrimtarët shqiptarë. “Nuk duhet spekuluar me këtë nga jashtë”, shkruan ai, duke parandjerë keqkuptimet që mund të lindin nga një pohim i tillë. “Sepse ai (Migjeni-shënimi im) plotësoi një boshllëk në letërsinë shqipe”. Zeqo kompilon një listë shkrimtarësh e filozofësh që kanë ushqyer botëkuptimin dhe botëndijimin e Migjenit. Përmend Dostojevskin dhe Hygonë, Artur Rembonë dhe Bodëlerin. Zhan Zhak Rusonë dhe Fredrih Niçen…
Përveç tezës se Migjeni “vjen nga jashtë” më shumë “se nga brenda”, Moikom Zeqo nënvizon dhe mbështet me argumente faktin kuptimplotë se Migjeni krijoi apo themeloi bashkohësinë me shkrimtarët e mëdhenj të viteve tridhjetë, me rrymat dhe vizionet letrare-artistike të kohës si ekspresionizmi, simbolizmi, surealizmi e të tjerë. Duke veçuar thelbin e konceptuar të poezive dhe prozave të shkurtra të Migjenit, Zeqo gjen analogji mes tij dhe shkrimtarëve europianë të viteve ’30 të shekullit të kaluar. “Po të shihet me kujdes, vepra në prozë e Migjenit ka lidhje të dukshme me Franc Kafkën. Migjeni, si Kafka, është një shkrimtar konceptual para së gjithash”, pohon Zeqo. Ka gjithnjë një cak në zbulimin e një shkrimtari përmes të tjerëve që kanë jetuar para tij apo në një kohë me të. Manifesti i Migjenit është krijimtaria e tij autentike, pohon autori, duke shtuar se leximi sociologjik vulgar ka sjellë një deformim të pashmangshëm të tërësisë së veprës së tij.
Një tekst shumëplanësh, eseja në fjalë ka paragrafë të një thellësie e bukurie të rrallë për dy poezitë e vetme për dashurinë që shkroi poeti, veçanërisht për poezinë tronditëse “Ndeshja”, një nga lirikat më të bukura të botës. Eseja nuk lë jashtë vëmendjes, madje e nënvizon stoicizmin e poetit, qëndrimin e tij në pozicionin e pastër të shkrimtarit anikonjukturë.
Duke shkruar një ese të re për Migjenin si fenomen letrar dhe duke mos shmangur aktualizimin e vlerave që ai la në trashëgiminë tonë kulturore, Zeqo mbërrin natyrshëm në përfundime që në një anë kanë tingëllime polemiste me steriotipet mendore të sotme, nga ana tjetër kanë vlerën e sentencave universale të guximshme. Të tilla janë mendimet apo citimet e tij për disidencën, të cilën shkrimtari çek Milan Kundera e konsideron një tezë të thjeshtuar politike pa lidhje me artin dhe letërsinë, apo mendimi se teza e progresit në art është një tezë vulgare, e pavërtetë.
“Migjeni, arkitekti i nëndhëshëm i qiellit”, është një libër që lexohet me endje të madhe për informacionin dhe argumentet që sjell, por pa dyshim edhe për bukurinë e stilit didaskalik të Moikom Zeqos. Ky libër avancon në thellësi piketat e njohjes sonë me poetin pa parardhës, dhe “pa pasardhës”, siç thotë Moikom Zeqo.
Preç Zogaj
Mapo


Leave a Reply