Eco, shkrimtari dhe semiologu i famshëm, shndërrohet në një avokat të revolucionit seksual, që sipas tij do të na bëjë më në fund të gjithëve “europianë”
Jashtë dritares së zyrës së Umberto Eco-s në Milano shfaqet peizazhi, brenda të cilit ndodhet edhe kështjella e famshme Sforzesco, që u kujton të gjithëve luftërat e kohëve të shkuara. Dikur, aty, në shekullin e 14, ndodhej porta e famshme Castrum Portae Jvis (porta e kështjellës së Jupiterit) – që u shkatërrua nga jetëshkurtra Aurea Republic më 1447-n. Mes këtyre mureve, Leonardo da Vinçi dhe Donato Bramante kanë punuar për njëfarë kohe dhe vetë Napoleoni po dikur i pushtoi për njëfarë kohe. Dhe pikërisht përtej hendekut – tashmë një zonë që është e “pushtuar” vetëm nga turistët që vijnë për të parë “Mëshirën” e Mikelanxhelos – trupat austriake të marshallit Radecki bombarduan qytetin në revoltë në vitin 1848.
“Kur vjen fjala te kriza e borxheve, thotë Eco, dhe jam duke folur si dikush që në të vërtetë nuk kupton asgjë në lidhje me ekonominë, ne duhet të mos harrojmë se është kultura, jo lufta, ajo që çimenton identitetin tonë europian. Francezët, italianët, gjermanët, spanjollët, britanikët kanë kaluar shekuj të tërë në përpjekje për të vrarë njëri-tjetrin. Sot kemi 70 vjet që jemi në paqe dhe askush nuk e kupton sa e mrekullueshme është një situatë e tillë. Të gjithë e marrin si të mirëqenë paqen e kuptuar se sa e rrallë dhe e çmuar, por edhe vështirë dhe e trazuar ka qenë. Në fakt, edhe thjesht ideja e një lufte mes Italisë dhe Spanjës, ose Italisë dhe Gjermanisë shkakton ilaritet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin nevojë për një luftë civile, për t’u bashkuar siç duhej, edhe njëherë e përgjithmonë. Unë vetëm shpresoj që kultura dhe jo lufta do të shërbejnë në fakt për të bashkuar Europën”. Eco pi i qetë filxhanin e tij të ekspresit, të cilin e pëlqen shumë. Ai sapo është kthyer nga Parisi në Milano, ku Presidenti francez Sarkozi i ka dhënë gradën e tretë të titullit të “Legjionit të Nderit”. “Një nga avantazhet e të jetuarit në Europë për mua është se marr kartolina për ditëlindje nga Presidenti gjerman Wulff apo Kryeministri spanjoll Rajoy, të cilët nuk i njoh aspak personalisht. Më në fund, pasi ia kemi nxjerrë sytë për shekuj njëri-tjetrit, jemi të gjithë europianë të kulturuar”. Po cili është sipas Eco-s identiteti europian në vitin 2012. “Për këtë po përdor një fjalë në anglisht, që nuk ka të njëjtin kuptim si në italisht ‘superficiale’, por që është diçka mes fjalës ‘sipërfaqe’ dhe ‘thellë”. Ne duhet ta ndryshojmë një gjë të tillë, para se kriza të majisë gjithë Europën. Programi universitar i shkëmbimeve Erazmus zakonisht përmendet shumë pak e megjithatë Erazmus ka krijuar brezin e parë të europianëve të rinj. Unë e quaj atë revolucioni seksual: një katalan i ri takohet me një vajzë valone dhe ata dashurohen, martohen dhe kështu shndërrohen në europianë sikundër në europianë shndërrohen edhe fëmijët e tyre. Ideja e Erazmusit nuk duhet që të përqendrohet vetëm te shkëmbimet arsimore, por për të gjithë, për shoferët e taksive madje, mekanikët dhe punëtorë etj. Me këtë dua të dal tek ajo që të gjithë duhet që të kalojmë kohë në vendet e tjera, të njihemi me njëri-tjetrin dhe të integrohemi”.
Kjo është një ide shumë tërheqëse e megjithatë, krenaria në Europë duket se i ka dhënë rrugë populizmit dhe armiqësive brenda Bashkimit Europian. “Kjo është arsyeja se përse identiteti ynë është i përciptë. Etërit themelues të Europës – Denaueri, De Gasperi dhe Monnet mund të kenë udhëtuar shumë më pak gjatë jetëve të tyre. De Gasperi fliste vetëm gjermanisht, sepse ai kishte lindur brenda kufijve austro-hungarezë dhe nuk kishte sigurisht akses në internet për të lexuar shtypin e huaj. Europa reagoi ndaj luftës dhe ata i ndanë burimet për të ndërtuar paqen. Tani ne duhet që të ecim më tej, për të ndërtuar një identitet më të thellë. Kur propozova në një takim të kryebashkiakëve të Bashkimit Europian idenë e krijimit të një programi Erazmus edhe për zanatçinjtë dhe profesionistë të fushave të ndryshme një kryebashkiak nga Uellsi më tha: “Qytetarët e tij nuk do ta pranojnë kurrë një gjë të tillë! Ndërsa kur dola për një ide të tillë në televizionin britanik, e pashë padurimin e drejtueses së emisionit, e cila e kishte gjithë hallin dhe sikletin të më pyeste për krizën e euros, apo për idenë e një Europe superkombëtare dhe për qeveritë teknike të Papadhimos dhe Montit. Edhe para krizës së borxheve, identiteti i dobët europian ishte me shumë probleme. Kjo për shembull u pa kur Kushtetua u refuzua nga referendumet e Francës dhe të Holandës në vitin 2005. Ishte një dokument i shkruar nga politikanët dhe nuk ishte diskutuar kurrë më parë me votuesit. Edhe kur Papa Vojtila ishte ende gjallë, kishte shumë debate për pranimin e Kushtetutës europiane dhe rrënjëve të saj të krishtera. Në këtë rast predominuan sekularistët dhe ata nuk bënë gjë për këtë. Kisha protestoi. Por kishte ndërkohë edhe një rrugë të tretë, më të vështirë, por një rrugë që sot do të na jepte forcë. Ky do të kishte qenë debati për Kushtetutën dhe për të gjitha rrënjët tona greko-romake, hudaike dhe të krishtera. Në të shkuarën kishim Venusin dhe kryqëzimin, Biblën dhe mitologjinë nordike, të cilën e kujtojmë përmes pemës së Krishtlindjeve apo festivaleve të shumtë të Shën Lusit, të Nikolasit apo Santa Klausit. Europa është një kontinent që ka qenë në gjendje të thithë shumë identitete dhe të mos i bëjë lëmsh. Pikërisht kështu e shoh unë të ardhmen. Sa i takon feve duhet të kemi kujdes. Shumë njerëz që nuk shkojnë më në kishë, përfundojnë pre e supersticioneve. Dhe janë të shumtë ata që edhe pse nuk janë praktikantë, mbajnë me vete në kuletat e tyre fotot e Padre Pios”, thotë Eco. Ati i semiologjisë, shkencëtar me një kulturë jashtëzakonisht të madhe, autor esesh për elitën dhe romaneve që janë shndërruar në bestseller globalë, Eco ka mbushur 80 vjeç dhe me humor thotë: Eh nuk jam më një i ri 70-vjeçar. Ai megjithatë nuk është pesimist: “Me të gjitha defektet e tij, tregu global e bën luftën më pak të mundshme madje edhe atë që mund të ndodhë mes Kinës dhe SHBA-së. Europa nuk do të jetë kurrë Shtetet e Bashkuara të Europës, pra një vend unik me një gjuhë të vetme dhe për këtë, sa më shpejtë të bindemi aq më në paqe do të jemi me SHBA. Ne kemi shumë gjuhë, shumë kultura dhe ideja e një Europe unike është një utopi”.
shkodraloce.wordpress.com


Leave a Reply