Edi Rama, edhe kësaj here, e ka disi të vështirë ta mbajë i vetëm “timonin” e kryeministrit të Shqipërisë, pavarësisht faktit se e ka sigurue shumicën parlamentare me 74 mandate. Atij, ndoshta, i duhet me e ndá “tepsinë” me të tjerët, me aleatë politik të vjetër apo të rinj. Kjo nuk është e kushtëzuar vetëm nga “Reformat e mëdha” si: a)- Kushtetuta e Re, Kodi Zgjedhor, ecuria e Reformës në Drejtësi, ndoshta rishikime në Ndarjen Administrative në bashki e rajone, etj. b) – as nga ndonjë Marrëveshje e hapët apo e fshehtë Rama-Basha. c)- as nga ndonjë porosi apo kusht i ndërkombëtarëve për antarësim në BE, etj.
Në Qarkun e Tiranës, në ma të madhin qark të Shqipërisë, Partia Socialiste del në Opozitë, sepse nuk e ruan dot shumicën e derisotme të këshilltarëve në katër bashkitë e saj: në Tiranë, Kamëz, Kavajë e Vorë. Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka 61 mandate këshilltarësh, çka do të thotë se me daljen e LSI e PDIU në Opozitë të Re si numrat e Opozitës së Vjetër me PD e aleatët e saj, e lánë Partia Socialiste veç me 25 mandate e me një aleat të vetëm të saj FRD me 1 këshilltar. Pra, Partia Socialiste në Këshill Bashkiak mbetet me më pak se gjysmën e këshilltarëve. Ndodh ngjashëm si në kohën e Lulzim Bashës në Bashkinë e Tiranës, ku me ikjen e LSI nga pushteti qëndror PD me aleatët, në mbi dy vite rá në opozitë, në vështirësi vendim-marrjeje. Ndaj, prapë provohet ajo thania urtnore e përjetshme: çka t’ia bajsh ti dikujt ta ban dikush ty. Gjithashtu, Këshilli Bashkiak i Kamzës i ka 41 këshilltarë gjithsejt, ku me daljen në opozitë të re të LSI e PDIU, forca politike Partia Socialiste me aleatët e saj ka vetëm 10 këshilltarë. Tjetra: Këshilli Bashkiak 31 vendësh i Kavajës do të ketë 18 vende të PD me aleatët dhe me LSI e PDIU. Edhe në Këshillin Bashkiak të Vorës, me 21 vende, për Partia Socialiste me PASH mbeten vetëm 4 këshilltarë.
Njejtësisht edhe në Qarkun e Durrësit, në tri bashkitë e saj: Durrës, Krujë dhe Shijak. Këshilli Bashkiak i Durrësit me 51 vende do t’i kenë 31 vende PD me PR dhe me LSI e PDIU, ndërsa në Këshillin Bashkiak të Krujës me 31 vende do t’i kenë 18 prej tyre PD me aleatët dhe LSI, kurse në Këshillin Bashkiak të Shijakut me 21 vende opozita e vjetër dhe e re, PD me aleatët e saj dhe LSI, do t’i kenë 11 vende.
Pasqyra e Zgjedhjeve Vendore të vitit 2015 tregon se me numrin e këshilltarëve të PD e aleatëve të saj, si dhe me ikjen nga koalicioni i derisotëm mazhoritar i LSI e i PDIU, forca fituese e vetme e Zgjedhjeve Parlamentare 2017, Partia Socialiste në pushtetin qëndror dhe lokal, del në Opozitë në pushtetin vendor pothuaj në të gjithë Shqipërinë.
Partia Socialiste mbetet në shumicë vetëm në dy bashki të mëdha, në Vlorë e në Korçë e në disa bashki ma të vogla si: Kuçovë, Poliçan, Bulqizë, Gramsh, Librazhd, Prrenjas, Këlcyrë, Kolonjë, Mirditë, Pukë, Himarë, Konispol. Pra, vetëm në 14 bashki nga 59 të tilla që ka e gjithë Shqipëria gjithsej, pa e llogaritë bashkinë e Pustecit në Qarkun e Korçës dhe atë të Finiqit në Qarkun e Vlorës, që kanë në shumicë të qeverisjes lokale parti të komunitetit të tyre etnik.
Sigurisht, kjo do të jetë humbja ma e madhe e Partia Socialiste në të gjithë historinë politike të saj në vitet e Tranzicionit Shqiptar. Një humbje e thellë. Humbje e papaparë e forcës së pare politike të së majtës në Shqipërinë postkomuniste.
Ende askush nuk i ka hyrë publikisht kësaj çështjeje të kësaj humbjeje katastrofë për Partia Socialiste, sepse ende nuk kemi një konfigurim real zyrtar të forcave politike të mazhorancës dhe të opozitës.
Çështja shtrohet qartë: Partia Socialiste e Edi Ramës do të qeverisin e vetme në mazhorancë dhe të pranojë të jetë humbëse e madhe në Opozitë në Pushtetin Vendor apo do të qeverisin në koalicion me forca të tjera politike të së majtës apo të djathtës që të jetë në shumicë në të dyja pushtetet e saj aktuale, çka do t’i sillte ma shumë lehtësi në kryerjen e reformave dhe ia garanton të rrijë në qeverisje qendrore me një mandat të plotë katërvjeçar?!
Përndryshe: E dyta: Partia Socialiste ia ka mbrri të sigurojë e vetme një fitore jo krejt reale në Kuvendin e Shqipërisë me 74 deputetët e saj, e cila është një fitore e tepërt në fuqinë e saj, që i jep tepri force Kryeministrit të Shqipërisë e kryetarit të kësaj force politike – e para në vend. Në pamje të jashtme duket e lehtë krijimi i qeverisë së re të Partisë Socialiste në shtator 2017, në mandatin e dytë të saj, por kjo do të jetë mjaft e vështirë pavarësisht numrave e figurave të saj. E dyta: në të djathtë – PD me aleatët e saj me 43 deputetë dhe në të majtë – Lëvizja Socialiste për Integrim me 19 deputetë do të jetë opozita ma e madhe dhe ma e fortë në historinë e Parlamentarizmit Shqiptar, që me opozitën e tyre do ia mbrrijnë që në ma pak se dy vite do ta çojnë Shqipërinë në Zgjedhje të Reja; në se nuk do të ketë marrëveshje e bashkëpunime politike kombëtare për reformat e mëdha dhe arritjet e reja të Shqipërisë dhe në se nuk do të ketë aleancë me ndonjëren nga forcat politike të së majtës apo të djathtës; në se Partia Socialiste do të mbetet në opozitë katastrofë në pushtetin lokal në të gjithë Shqipërinë. Megjithatë, gjithçka mund të ndodhin në Shqipërinë tonë Zonjë e Madhe e një nga mrekullitë planetare, në këtë “vend të çudirave” e “të papriturave”. Ndaj, si i thonë asaj fjalës: të rrojmë e ta shikojmë, të jetojmë e ta provojmë çdo të vërtetë të këtij realiteti të ri politik.
Ramiz LUSHAJ
Tiranë, 24 korrik 2017
Burimi – Facebuk


Leave a Reply