TIRANË – Pas një maratone seancash gjyqësore,Gjykata e Apelit në Durrës vendosi që ish-vila e Enver Hoxhës, e cila ndodhet në rezidencën qeveritare në plazhin e Durrësit ti jepet familjes Kapedani. Dje në mesditë trupi gjykues me relatore Meriban Mullaj ka dhënë vendimin lidhur me pronësinë e ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha të cilën ja ka njohur familjes Kapedani në Durrës. Kishte kohë që kjo vilë kërkohej të kalonte në pronësinë e familjes Kapedani,Ambasadës Serbe në Tiranë si dhe në probësinë e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare po në Tiranë.
Pas shumë seancash të shtyra,më në fund në seancën e djeshme janë dëgjuar ekspertët e thirrur si nga trupi gjykues ashtu edhe nga palët e interesuara të cilët sollën fakte lidhur me trajektoren që kishte kaluar pronësia e kësaj vile që nga momenti i ndërtimit të saj deri më sot.
Ndërtimi i Vilës
Vila u ndërtua nga familja Kapedani në fillim të viteve ’30 dhe në vitin 1936 ju shit ambasadës serbe në Tiranë. Në vitin 1945 vila u sekuestrua nga qeveria komuniste që sapo kishte ardhur në pushtet dhe i kaloi Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare. Deri në vitin 1991 ajo u përdor nga familja e Enver Hoxhës. Pas ndryshimeve politike vila u kërkua të merrej nga familja Kapedani, e cila pretendonte pronësinë mbi të e po kështu atë e kërkonin edhe ambasada serbe si dhe drejtoria e shërbimeve qeveritare. Në këto kushte cështja u kalua për gjykim. Disa muaj më parë dy shkallët e gjykatave ja kishin njohur këtë pronë familjes Kapedani por Gjykata e Lartë e dërgoi atë për rigjykim në Apel.
Kjo e fundit kërkoi mendimin e ekspertëve për të vërtetuar aktin e shitblerjes së vilës në vitin 1936.Edhe pse në sallën e gjyqit u paraqit i transkriptuar akti i shitblerjes së vilës ,trupi gjykues vendosi tia japë atë familjes Kapedani. Nga ana e tyre avokatët e palës serbe si dhe ata që përfaqësonin Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare u shprehën se do të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë menjëherë sapo zbardhet vendimi i gjykatës së apelit. Kjo kërkon 3 javë kohë,bëjnë me dije avokatët.
Është blloku i fundit i mbetur nga koha e komunizmit. Zona rezidenciale në plazhin e Durrësit, ndërtuar në kohën e mbretit Zog, që u përzgjodh më pas nga nomenklatura komuniste për të kaluar pushimet dhe ku qytetarët e thjeshtë nuk mund të hynin, pas 25 vitesh demokraci ende vijon të mbetet e mbyllur për publikun. E rrethuar nga një pyllnajë e dendur dhe e mbrojtur nga ushtarakë të Gardës, ende sot, ashtu si dhe para 30 vjetësh, për të hyrë aty të duhet një leje e posaçme.
Kjo zonë vazhdon të konsiderohet si zonë qeveritare, edhe pse, nga 29 vila, ku dikur kalonin pushimet verore Enver Hoxha dhe ministrat e tij, vetëm gjashtë prej tyre kanë mbetur ende në pronësi të shtetit. 23 të tjerat, që nga viti 1993, janë privatizuar dhe pjesërisht rikonstruktuar, duke u kthyer në vende pushimi (nën mbrojtjen e Policisë së Shtetit) për biznesmenë dhe VIP-a shqiptarë. Paradoksi në atë, që ka qenë dikur nje prej simboleve të pushtetit dhe privilegjeve të Enverit, është se e vetmja vilë e mbetur ende totalisht e braktisur është pikërisht ajo, ku banonte ish-diktatori.
Është Vila numër 5, me sipërfaqe 500 metra katrorë, me dy kate, në breg të detit, me një pamje mahnitëse, ndërtuar në fillim të viteve ’30, me parket në dysheme dhe mermere luksoze italiane në shkallare dhe madje edhe në banjat, por që tani është lënë në degradim dhe braktisje. Kjo, jo pse asnjë nuk interesohet për të. Përkundrazi, vila e diktatorit është bërë objekt i të paktën dy plaçkitjeve: asaj të vitit 1997, kur vandalët e sulmuan, duke vjedhur mobilje dhe duke shqyer nga muret madje edhe kaloriferët. Por edhe i asaj të gjyqtarëve, të cilët, që nga viti 1995 e deri më sot, vazhdojnë të debatojnë lidhur me atë se kush është pronari i saj i vërtetë.
Si shumë ndërtesa të tjera me vlerë në Shqipëri, edhe ish-vila e Enver Hoxhës në Durrës ndodhet në fakt në qendër të një konflikti të ndërlikuar gjyqësor mes shtetit dhe ish-pronarëve (të pretenduar) të saj. Pronësinë e vilës e kërkon Shyqyri Kapedani dhe tetë familjarë të tjerë, të gjithë trashëgimtarë të Sulejman Kapedanit, kreut të një familjeje të pasur të Durrësit, pronare e shumë trojeve, si dhe gjysh i Admir Kapedanit, i cili në vitin 1995 ishte zëvendësministër dhe kryetar i Partisë Demokratike të Durrësit, kur vendin e drejtonte Sali Berisha.
Leave a Reply