Në Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi sot në mbrëmje kishte vendosur të ngrinte me efekt të menjëhershëm të gjitha funksionet e tij si drejtues i partisë duke ja deleguar ato dy nënkryetarëve dhe Sekretarit të Përgjithshëm, për të organizuar garën për kryetarin e PD-së sipas parimit një anëtar një votë, në të cilën ai qartazi theksoi se do të përfshihet për të kërkuar sërish drejtimin e partisë. Pak përpara daljes së tij publike, ndërsa procesi i numërimit të votave, sapo kishte përfunduar, anëtarë të ndryshëm të forumeve drejtuese të partisë, përmes dy deklaratave të ndryshme kërkuan dorëheqjen e tij të menjëhershme, pas humbjes së thellë që opozita rregjistroi në zgjedhjet e së dielës duke zbritur poshtë kuotave të vitit 2013, me 28 përqind të votave dhe me 43 vende në parlament, 7 më pak se aktualisht, pa llogaritur dhe tre mandatet e Partisë Republikane.
Por zoti Basha këmbënguli në mbrojtjen e “projektit për Republikën e re” mbi të cilin ndërtoi fushatën elektorale. “Këtë projekt timin – saktësoi ai – do ta vlerësojnë demokratët në një garë të ndershme dhe të barabartë. Gjëja më e lehtë do të ishte të largohesha, por mbaj përgjegjësi jo duke ikur por duke luftuar deri në fund me ta dhe për ta”. Duke ju përgjigjur atyre që kërkuan largimin e tij ai tha se “demokratët e shqiptarët meritojnë një bilanc të plotë e një ballafaqim mes atyre që luftuan me mish e shpirt dhe atyre që u ngritën kundër, sapo humbën kolltuqet. Se ku kam gabuar nuk e përcaktoj unë, dhe as ata, por demokratët”, u shpreh zoti Basha.
Sipas kryetarit demokrat, rezultati i zgjedhjeve ishte ndikuar nga paratë e pista dhe presioni i pushtetit. “Në zgjedhjet e 25 qershorit diçka tjetër ndodhi. Megjithë përpjekjet që bëmë, me betejën pa kompromis , me imponimin që i bëmë Ramës, sërish krimi e paraja e pisët, presioni i Shtetit nuk u ndal. Blerja e votës zëvendësoi alternativat, me para të pista droge e korrupsioni qeveritar. Kjo ishte një garë e pabarabartë po një garë ku nuk kam ndërmend të konkurroj me të njejtat mjete. Ajo që ndodhi ishte triumf i paligjshëmrisë. Mandatet për shumicën kanë dalë nga kthinat e krimit dhe bandave”, u shpreh zoti Basha, duke mos deklaruar megjithatë nëse do t’i njihte apo jo zgjedhjet.
Burimi/Zeri i Amerikes
Leave a Reply