Bes Kallaku është një prej aktorëve të humorit më të njohur në Shqipëri. S’ka shumë që është kthyer nga Bullgaria ku ishte për xhirimet e filmit “The brave ones” (Trimat) një projekt filmik amerikan ku luan edhe ai. (shiko këtu)
Thotë se Shqipëria i ka dhënë shumë dhe s’e ka si qëllim karrierën ndërkombëtare, por të tilla projekte të mëdha nuk mund t’i lërë t’i ikin. Sepse, siç shpjegoi me një shaka Nard Ndokiane, Bes Kallaku ka ardhur deri këtu sepse ka synuar gjithmonë të shkojë larg.
I ftuar në “Tek Unë” me Arjola Shehun, aktori tregoi fillimet e tij në “Portokalli” kur me familjen jetonte në Fushë Krujë. Çdo të premte dhe të shtunë kur xhirohej spektakli, i duhej të vinte nga atje. Kur mbaronte shfaqja dhe nuk gjente më furgon për në Fushë Krujë, kthehej përsëri në këmbë tek Piramida kur kanë qenë dikur zyrat e “Top Channel” dhe e zinte gjumi mbi tavolinë.
“Po e them për herë të parë këtu.”, u shpreh ai, “Në fillimet e “Portokallisë” unë vija e shkoja me fugon për në Fushë Krujë. Kishte netë kur, pasi mbaronim “Portokallinë” të premten dhe të shtunën, shkoja deri tek “Zogu i zi” dhe nuk gjeja fugon. Atëherë kthehesha tek Piramida. Kishim aty një tavolinë ku diskutonim ç’do të bënim në “Portokalli”. Flija aty dhe për jastëk përdorja 3-4 dosje dhe të nesërmen zgjohesha prapë.”
E megjithatë, thotë se më mirë kështu sepse ia di vlerën gjithçkaje dhe kujtdo që ka qenë me të gjatë gjithë kësaj kohe.
“Nëse nuk ke vuajtur, nuk e di as çfarë do të thotë sukses, as çfarë do të thotë mirënjohje. Unë i jam shumë mirënjohës “Portokallisë” dhe të gjithëve atyre që më kanë ndihmuar.”, thotë dhe më pas: “Më fal, se u preka pak.”/anabel/


Leave a Reply