Kërkoi nga shteti Shqiptar pension dhe shitjen e 10 hektarëve tokë që Mbreti i kishte dhuruar me tapi në Xhafzotaj
Odiseja për të gjetur valltaren e kabareve. Dëshmia e shoqes: E kërcënuan shqiptarët pasi nxori një libër për Oborrin Mbretëror
Leonard Veizi
-Një histori e rrallë, pak e njohur për shqiptarët, në mos aspak: Historia e dashurisë së mbretit Zog me një kërcimtare kabareje. Diplomati Idajet Hoxha, ish- Sekretar i Ambasadës së Shqipërisë në Francë, është dhe personi që është marr me problemin ‘Visirova’. Ai sjell këtë histori interesante për lexuesit e “Shekullit”…
Jeni njohës i një fakt pak të njohur, bashkëjetesën e Ahmet Zogut me një kërcimtare parisiane?
Kjo lidhet me aktivitetin tim si diplomat, përkatësisht gjatë kohës që kam qenë në detyrën e Sekretarit të Ambasadës së Shqipërisë në Paris. Gruaja e parë e Ahmet Zogut është një rumune me emrin Tanja Visirova që ka bashkëjetuar, apo siç thuhet‚ ka qenë e martuar pa kurorë. E njoh këtë histori që nga vitin 1975, kur ish-gruaja e parë e Mbretit Zog erdhi në ambasadën tonë në Paris për problemet e saj që lidheshin me faktin e të qenit dhe përfitimet që ajo kërkonte si ish-gruaja e Ahmet Zogut. Tanja Visirova, pas katër vitesh u braktis nga Ahmet Zogu, e ju rikthye jetës së dikurshme të kabareve të Parisit. Por u rrënua. Jetonte në vështirësi. Këtë kohë erdhi në ambasadën tonë.
Çfarë kërkonte nga Ambasada?
Kërkonte lidhjen e një pensioni nga shteti shqiptar si ish-gruaja e Mbretit Zog, si dhe ndërhyrjen për të shitur një sipërfaqe toke që Zogu ia kishte dhuruar me dokument të rregullt, në Xhafzotaj. Me këtë problem, u mora unë. Por historia e Tanja Visirovas, është publikuar në një monografi që hapi shumë probleme për të e ne diplomatët shqiptarë që atë kohë u morëm me shqetësimin e saj. Këtë libër, unë e bleva për ambasadën kundrejt faturave, e dorëzova legalisht në Ministrinë e Jashtme, por çuditërisht nuk di se si ‘humbi’, ky libër. Tashmë, vonë, unë e kam siguruar një kopje të tij… Mua më ndihmoi ditari i shënimeve që mbaja atë kohë, si dhe kujtesa… Gjithashtu, kam vuajtur jo pak për të kontaktuar Tanja Visirovën lidhur me letrën që ajo dorëzoi në ambasadë.
Deklarimet tuaja kanë një baze të dokumentuar?
Mbështetem në dokumentet zyrtare të kohës, në praktikën e punës në ambasadën tonë në Francë, në kërkesën që Visirova dorëzoi në ambasadë si dhe në shënimet e mia që kam mbajtur atë kohë… Ahmet Zogu i Parë, mbreti i shqiptarëve ka qenë i martuar (jo zyrtarisht) dhe ka bashkëjetuar me Tanja Visirovën për rreth 4 vite. Jo vetëm kaq, por Zogu i ka falur Tanjas një sipërfaqe 10 hektarë tokë në Xhafzotaj të Durrësit…
Kur ka ardhur Tanja Visirova në ambasadën shqiptare në Paris dhe cila ishte kërkesa e saj?
Erdhi një ditë dhjetori të vitit 1977 vjen në ambasadën tonë në Francë. Unë ato çaste nuk ndodhesha aty. Ajo u prezantohet, pohon se është ish-gruaja e Ahmet Zogut, duke paraqitur dhe problemet që kishte. Kur u ktheva nga shërbimi, gjeta një shënim në librin e Ambasadës sonë në Paris që ishte lënë posaçërisht në një tavoline ku ishte telefoni i punës. Në dokumentin zyrtar të ambasadës shënohej: “Zonja Tanja Visirova kërkoi një informacion nga Ambasada, nëse ishte e mundur të vihej në shitje një parcelë toke, pronë e saj që ndodhej në Xhafzotaj të Durrësit”. Zyrtarisht, isha i detyruar që ta ndiqja këtë problem. Por me thënë të drejtën, shënimi i lënë në librin e ambasadës ishte i shkurtër, me pak të dhëna e më krijonte shumë vështirësi ta ndiqja si problem. Pas disa ditësh nga ardhja në ambasadë, Visirova kishte marrë përsëri në telefon dhe personi që kishte qenë në shërbim në ambasadë, i kishte dhënë porosinë që të përshkruante në një letër kërkesën e saj, duke dhënë dhe adresën e saktë dhe numrin e telefonit, për të komunikuar direkt me Konsullin kur të ndodhej në Ambasadë. Nuk di sa kohë kaloi, por duhet të ketë qenë muaji shkurt i vitit 1978. Ambasadori Dhimitër Lamani më thërret në zyrën e tij dhe më jep një letër në të cilën kishte vënë shënimin: “Po kjo! Ç’do kjo!? Çfarë pensioni kërkon kjo?!”
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply