Silda Anagnosti*
Sot është e hënë pranvere. Mëngjesi ka atë aromën dehëse të prillit të ngjyer në vesë, që të bën të të duket çdo njeri i bukur dhe i mirë. Kafeja e mëngjesit shijon si rrallëherë ndërsa nis e mendon se sa e bukur është jeta.
Kamarieri çon kafen te tavolina ngjitur dhe çifti i pleqve i ulur aty, ndërsa gjerbin kafen me lezet, i kujtojnë njëri-tjetrit se nesër është 11 prilli, dita kur vdiq Enveri. Dhe i tregojnë njëri-tjetrit për të kushedi-se-sa-të-satën herë se ku ekzaktësisht ndodheshin kur morën vesh lajmin.
Mua menjëherë më pushton një ndjenjë paniku. Sot është 10 prilli! Sot është afati i fundit që partitë politike të regjistrohen për zgjedhjet e 18 qershorit. Sot do të dëgjojmë të shara, ankesa, të qara, kompetentë, burrecë, llafazanë e maskarenj, tek diskutojnë për fatet e vendit me të njëjtën mendjelehtësi siç mund të tregosh se ku ishe kur vdiq Enveri. Njëri bën si fëmijë, njëri si babaxhan, tjetri sikur nuk kupton, një tjetër fle me mullixhiun, ai tjetri bën si filozof. Sot do të shikojmë se si një tufë burrash me mentalitet shpellari i vendosin prapë shkelmin të ardhmes së fëmijëve tanë (se tonën e mori lumi) duke menduar secili për karrigen e tij. Dhe me një arrogancë të papërsëritshme nuk duan të na lënë të vendosim edhe ditën e vetme kur mund të bëjmë demokraci, ditën e votimit.
Ngre kokën lart e shoh që sythat janë kthyer në gjethe e ne nuk e kemi vënë re. Sepse na keni lodhur shpirt e mendje, o politikanë maskarenj!
Kthehem sërish të gjerb kafen me shpresën e shuar se të paktën sot doja të jetoja një ditë të mërzitshme, në një vend të mërzitshëm, ku politikanët janë shërbëtorë të mërzitshëm por të palodhur e të pakompromis të qytetarëve të mërzitshëm të një vendi normal.
*Eksperte sigurie, ish-shefe e Kabinetit të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri (2013-2017).
Leave a Reply