Prokuroria për Krimet e Rënda bëri të ditur, gjatë pasdites së të shtunës, zbulimin e një strukture kriminale për të mbledhur shuma parash me anën e dhunës, kanosjes dhe kërcënimeve. Ky grup vepronte në tregjet e lira të qytetit të Shkodrës, kryesisht në Tregun e Zdrales, të Rrugës së Gjerë të Kirasit, etj.
Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata për Krimet e Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për pjesëtarët e grupit kriminal ndërsa, në orët e mbrëmjes, policia e Shkodrës njoftoi arrestimin e 7 pjesëtarëve të strukturës kriminale, mes të cilëve edhe kreun e saj, 25 vjeçarin Muhamet Mustafa Lici, i dënuar më parë për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak”.
Gjatë kontrollit në banesa, të arrestuarve iu gjetën dhe sekuestruan edhe një fletore ku shënonin emrat e tregtarëve dhe pagesen e gjobave, 6 uniforma kamuflazhi si dhe sasi të lëndës narkotike.
Ne arrestimin e tyre morën pjesë forcat speciale “Renea” dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Prokuroria ka zhvilluar një hetim disa mujor, në bazë të informacionit të përcjellë nga ana e Drejtorisë së Policisë Vendore Shkodër, duke ngritur dyshime për veprat penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie” dhe “Krijimit të Grupit Kriminal”.
Sipas organit të akuzës anëtarët e grupit janë përsona që kanë njohje dhe lidhje midis tyre si dhe kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin në kryejn e shumë veprave penale me qëllim fitimi, si shtrëngimi me anën e kanosjes për marrjen e pasurisë. Drejtuesit e grupit, pasi u jepnin porositë anëtarëve, i dërgonin me makinë në zonën e tregut dhe këta takoheshin me çdo tregtar duke u marrë “gjobat” mujore, madje duke shënuar në një bllok emrat e tregtarëve që paguanin. Ky aktivitet kriminal, sipas prokurorisë, është provuar se është shtrirë nga muaji tetor 2016 deri në muajin shkurt 2017.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply