Gjithmonë ka qenë e vështirë të trajtohen temat që lidhen me besimin fetar, sepse janë çështje sensibile, por akoma më e vështirë është në ditët e sotme.
Megjithatë, besimi fetar është kthyer aktual dhe çështje kyçe për të kuptuar proceset dhe situatat si në raport me individin, edhe në raport me shoqërinë, apo në raport mes kombeve dhe civilizimeve.
Trajtim i besimit fetar në një dimension ndërkombëtar është një çështje e vështirë dhe, mbi të gjitha kërkon njohje të mirë të historisë e po ashtu edhe të politikave ndërkombëtare.
Ndoshta trajtimin e besimit fetar në nivel ndërkombëtar do ta bej në një shkrim tjetër, por mua me intereson më shumë për ta këtë temë trajtuar në raport me individin (shqiptarin), në raport mes individëve (shoqërinë) dhe ne raport me kombin (aty ku ka shqiptarë).
Shqiptarët, ndoshta për shkak të historisë dhe ngjarjeve për mbijetesë të Kombit, sidomos në Rilindje nuk i kanë kushtuar shumë rëndësi fesë, por ka qenë besimi fetare dhe kontributi i disa klerikëve që kanë ndihmuar shtetformimin shqiptar.
Kjo për shkak se besimi fetar identifikohet si pjesë e huaj dhe jo e natyrshme e shqiptarëve.
Madje, disa fqinj tentuan të përdornin besimin fetar për copëtimin dhe shkatërrimin e Kombit shqiptar.
Pas shpalljes së Pavarësisë, besimi fetar mbeti si një raport emocional dhe intim me individin, duke mos u marr me çështje shtetërore e duke mos ndikuar drejtpërdrejtë në jetën sociale.
Kjo, ndoshta, lidhet edhe me faktin se vendet fqinje, ashtu si n,e kishin problem kristalizimin e shtetit të tyre nacional e për këtë arsye nuk kishin mundësi të ndikonin përmes kulteve te tyre tek kultet tona.
Në fillimin e viteve ’30 gjerat filluan të ndryshonin në Rajon dhe feja u përzie me nacionalizmin dhe me politikat afatgjata të pushtimit dhe agresionit të fqinjëve. Këtu kemi parasysh Kishën Ortodokse Serbe dhe atë Greke.
Megjithatë, Zogu kishte forcuar lidershipin e tij dhe kishte nën kontroll territorin dhe arriti të izolonte ushtrimin e politikave pushtuese të fqinjëve tanë përmes besimit fetar.
Kështu, mbreti Zog arriti të ndante fenë nga shkolla dhe në Jug mbylli shumë shkolla me orientim propagandistik helen të “Megala Idea”.
Ndërsa Turqia. në këtë kohë, ishte e interesuar për neutralitet dhe nuk i futi shumë hundët në xhamitë shqiptare.
Me ardhjen e komunizmit, ndodhi ajo që nuk duhej të kishte ndodhur: Kisha e xhami u shembën dhe klerikët u dënuan, pushkatuan dhe u internuan në punë të detyruar. Dëshmitar të këtij brezi ishin At Zef Pllumi, Ernest Troshani, Hafiz Haxhi Sabrikoci e mjaft të tjerë.
Disa prej këtyre, pas viteve ’90, drejtuan kultet tona fetare në linjën e identiteti kombëtar, duke larguar besimet tona fetare nga radikalizmat dhe nënshtrimin e tyre në shërbim të huajve.
Nuk duhet harruar kontributi i jashtëzakonshëm i Hafiz Haxhi Sabri Kocit, kontributi i Dom Rrok Mirditës, At Zef Pëllumbit me dëshmitë e tij apo edhe i Dom Ernest Troshanit etj etj.
Pra, u dukej se Shqipëria nuk do të kishte probleme radikalizmi. Megjithatë, kjo gjë nuk po dukej se po ndodhte në Kosovë.
Kosova ka pasur një grup të madh intelektualësh që, për nga natyra dhe aksioni, mund të quhen rilindësit e dytë të Kombit e këto janë, padyshim, Adem Demaçi, Ibrahim Rugova, Femi Agani, Rexhep Qosja e mjaft të tjerë që besimin fetar e kaluan në planë të dytë, duke lënë në plan të parë vetëm çështjen kombëtare.
Kontributin më të jashtëzakonshëm në këtë drejtim e ka dhënë Rugova. Për shkak të moshës, situatave dhe proces e ky brez i artë i Kosovës po shkon drejt fundit.
Sot, mbijetojnë Adem Demaci dhe Rexhep Qosja që, përveçse me ndonjë qasje individuale nuk kanë më kurrfarë force apo ndikimi në shoqërinë e Kosovës, apo, edhe me pak në proceset politike dhe shtetformuese.
Ardhja e një lidershipi anadollak në Kosovë, me zero vlera intelektuale dhe me histori të paqarta në lidhje me fqinjët, ka bërë që radikalizimi fetar të jetë një aktualitet i rrezikshëm, më shumë se sa duket publikisht.
Mungesa e dijes, influencave e fqinjëve që përmes kulturave duan të arrijnë qëllime gjeopolitike në Kosovë, por rrisin në nivele shqetësuese radikalizmin në Kosovë dhe akoma me keq po transformojnë gjenezën e shoqërisë sonë.
Është për të ardhur keq se sa larg është shoqëria kosovare sot nga ajo e periudhës së Rugovës, apo akoma edhe më keq edhe së kohës së Milloshevicit.
Shqiptarët, në kohën e kasapit të Ballkanit, ishin të dhunuar, shtypur dhe me drejta të mohuara, por ishin iluministë dhe krejt origjinal në shqiptarizëm.
Kisha greke dhe po ashtu linjat orientale me ndikim të fortë të disa shteteve po kthejnë Kosovën në kohën e Mesjetës dhe drejt orientimit absurd të kryqëzatave.
Është e papranueshme dhe kundër misionit të Pavarësisë së Kosovës situata anadollake që po kalon sot shoqëria dhe ndikimi i besimit tek individi.
Pra, feja, sot në Kosovë nuk është më një raport intim dhe emocional individual, por një raport emotive social me faza të forta radikalizmi, duke dëmtuar në themel principet tona tradicionale kombëtare.
Nga Alban DACI


Leave a Reply