Në Shqipëri, njerëzit e dijes shpesh kalojnë në heshtje, pa zhurmën që shoqëron emra të tjerë. Por ka nga ata që kur i njeh më nga afër, kupton se pas një emri fshihet një jetë e tërë kushtuar dijes, universitetit dhe vendit. Prof. Dr. Dritan Spahiu është një prej tyre. Fizikant, profesor, studiues, autor dhe ish-dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ai i përket asaj bote të rrallë akademikësh për të cilët titulli nuk është fundi i rrugës, por vetëm një dëshmi e udhëtimit të bërë.
Një dëshmi e këtij dimensioni është edhe puna e tij, së bashku me Prof. Dr. Zenun Mulajn, për përgatitjen dhe përkthimin në shqip të veprës së Albert Ajnshtajnit “Pikëpamjet dhe mendimet e mia”. Të sjellësh Ajnshtajnin në gjuhën shqipe do të thotë të përcjellësh jo vetëm mendimin e një prej figurave më të mëdha të fizikës moderne, por edhe reflektimet e tij mbi lirinë, paqen, edukimin, fenë dhe shoqërinë. Është një punë që e nxjerr dijen përtej auditorit dhe e bën atë pjesë të kulturës së një shoqërie.
Por ajo që e bën më të plotë portretin e Prof. Spahiut është fakti se, pavarësisht horizontit të gjerë shkencor, ai nuk i ka harruar rrënjët. Si kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Luma”, ai i është përkushtuar edhe historisë, kulturës dhe trashëgimisë së trevës së Kukësit. Tek ai takohen natyrshëm dy botë që në pamje të parë duken të largëta, universi i shkencës dhe kujtesa e vendit prej nga vjen. Kjo lidhje merr një kuptim edhe më të thellë në historinë e familjes. Nipi i Islam Spahiut, figurës më eminente të qëndresës në betejat e Lumës për liri e pavarësi kombëtare, profesor Dritan Spahiu përfaqëson një tjetër mënyrë të vazhdimit të të njëjtit amanet.
Pasi brezat ndryshojnë, sigurisht që ndryshojnë edhe mënyrat e të shërbyerit ndaj vendit. Nëse një brez luftoi me trimërinë e pushkës, një brez tjetër mund të luftojë me dijen, arsimin, shkencën dhe kulturën. Mjetet janë të ndryshme, por përgjegjësia mbetet e njëjtë, t’i shërbesh vendit, kombit tënd dhe të lësh pas diçka që u vlen edhe brezave që vijnë. Kjo është ndoshta forma më e bukur e vazhdimësisë, të trashëgosh jo vetëm një emër, por edhe detyrimin moral për ta bërë atë emër të denjë për kohën.
Andaj, Prof. Dr. Dritan Spahiu nuk është vetëm profesor i fizikës. Ai është nga ata intelektualë të rrallë tek të cilët shkenca, arsimi, drejtimi akademik, kultura, integriteti dhe kujtesa kombëtare takohen në një pikë. Titujt dhe detyrat mund ta nderojnë një njeri, por është vepra ajo që u jep atyre peshë duke i lartësuar në histori. Dhe kur dija vihet në shërbim të shoqërisë dhe të vendit, mendja e një njeriu nuk mbetet vetëm pasuri personale, ajo bëhet pasuri kombëtare.
Burimi/Facebook/Komuniteti Kuksian


Leave a Reply