Nga HYSNI DISHA
Është nder për mua që të marr fjalën në një eveniment të tille në promovimin e librit “Mustafa Qemali – djali nga Stebleve e Dibrës që u bë Ataturk.” të autorit, tashmë të njohur, Ramazan Hoxha, i cili ka lindur në Steblevë të Dibrës dhe ka studiuar dhe është diplomuar për shkenca ekzakte – Matematike dhe Ekonomi. Ka shërbyer në pozicione të ndryshme si mësues matematike, drejtues institucioni dhe pedagog në universitetin shtetëror të Tiranës. Me daljen në pension, ai ju përkushtua historisë së krahinës së tij,Gollobordës së Dibrës, duke shfrytëzuar për ketë qellim, përveç burimeve historike edhe një trashëgimie jo të vogël të babait të tij, Islam Hoxha, i cili ka bërë edhe historikun e fshatrave të zonës.
Të krijimtaria prej dy dekadash e Ramazan Hoxhës në fushën e historisë së krahinës së Gollobordës, e cila është pasqyruar në libra dhe në një sërë artikujsh të botuar në shtypin e përditshëm dhe atë periodik. Tek ky autor unë vështroj cilësitë e një studiuesi sistematik për të zbuluar të vërtetat historike të krahinës së tij shpesh të mbuluara nga shtresa materialesh të errëta dhe aspak shkencore të paraqitura nga autorë të ndryshëm vendas dhe të huaj. Për vetë krahinën, ky libër i mbushur me fakte dhe detaje për jetën, veprën dhe veçanërisht për origjinën e Qemal Ataturkut sjell një korrigjim të rëndësishëm të vërtetësisë se origjinës së prindërve të Ataturkut. Duke shfletuar burime të shumta bibliografike dhe duke i kombinuar ato me rrëfime verbale të banoreve të trevës së Gollobordës autori ka arritur të sjellë me qartësi të mirëfilltë rreth debateve për origjinën e prindërve për një nder figurat më të shquara të shekullit të XX -themeluesit të Turqisë së sotme moderne, Mustafa Qemal Ataturku.
Autori në fjalë, realisht i lindur dhe rritur në Steblevë të Dibrës, duke qenë edhe biri i një intelektuali të krahinës i cili kishte mbaruar normalen e Elbasanit që në vitet 30 –të të shek. Të kaluar, ka shfrytëzuar shumë mirë materialet e vjela prej tij në intervista me pleq deri 100 vjeçar të kësaj krahine dhe ka ditur t’i sjell me qartësi të shumëpritur për origjinën e kësaj figure të shquar.
Është me rëndësi të përmend një episod të jetuar nga xhaxhai im plaku i urtë i zgjuar dhe me kujtesë brilante Garip Disha, i cili tregon: Isha djalë i ri 22 vjeç, kur në shtëpinë time në lagjen Disha të Steblevës vjen i dërguari i trupit gjykues së gjyqit që zhvillohej për një çështje pronësie në vendin e quajtur “Bordo” në Steblevë, shesh i kuvendeve të fshatit. Babai im, Jonuz Disha, në atë kohë i sëmurë në shtrat në moshën 95 -vjeçare pasi dëgjoi me vëmendje adjutantin, siç e quante ai të dërguarin e trupit gjykues, çohet nga krevati, duke mos e përfillur sëmundjen dhe me thote mua “Bir bëj gati kalin, se do të vemi në sheshin e kuvendeve, ku zhvillohet gjyqi mes palëve Faslli Koburja dhe Jashar Lama të ngatërruar për një parcelë toke në trojet e Pirush dhe Beqir Conkos, përkatësisht Gjyshi dhe babai i Mustafa Qemait.” Në gjyq kishin dëshmuar dy me të vjetrit e fshatit Vesel Kuçuku, në atë kohë 105 vjeç dhe Sadik Avda 101 vjeç, ku Veseli kishte dëshmuar në favor të Faslli Kobures, sepse ky i fundit ishte nip tek Conkajt dhe Sadiku pretendonte se kjo parcelë toke i përket Jashar Lamës,pasi kishte lidhje gjaku me të. Në këtë kohë dëshmitari i tretë ishte Jonuz Disha, të cilit i kishte hije fjala në kuvende, për burrërinë dhe drejtësinë e fjalës së tij, ndërhynë dhe i kërkon llogari Sadik Avdes, duke i thënë: “Turp të të vijë Sadik Avda, a bëhet fshati hasha për një copë toke, a nuk kemi qenë ne të tre së bashku edhe me bashkëfshatarë të tjerë,unë në atë kohë 25 vjec, ti Vesel 35 dhe ti Sadik 30 vjeç, kur kemi përcjellë Priush Conkon se bashku me fëmijët deri në vendin e quajtur Ahu (në Steblevë e thërrasin Canku Buka), u bëmë hallall dhe morëm porosi që të ruajmë trojet e Conkajve.” Në këtë kohë trupi gjykues pa e bërë dysh fjalën e Jonuz Dishës vendos në favor të Faslli Kobures. Ku djemtë dhe nipërit e tij trashëgojnë këto troje sot e kësaj dite.
Dëshira për të nxjerrë në dritë të vërtetën për origjinën e kësaj figure të madhe politiko-ushtarake, siç ishte Ataturku po bëhet kohët e fundit gjithnjë e më e fuqishme nga studiues të pavarur dhe të lidhur me burime të dyshimta. Autorë të ndryshëm, ndër to edhe autori i librit në fjalë, po sjellin dhe po pasurojnë me material e mënyra interpretative të reja, që janë të afta të largojnë turbullirat nga influencimi i pasaktë i lëshuar nga disa burime dhe disa autorë që shprehin një lloj servilizmi të hapur ndaj preferencave në interpretime shpesh të mbështetura në interesa të dyshimta apo nga mungesa e informacionit në dëm të së vërtetës historike.
Libri që paraqitet është dëshmi e një pune të admirueshme intelektuale. Në këtë këndvështrim unë e vlerësoj punën e autorit, në hartimin e këtij libri, si një kontribut të veçantë në pasurimin e vlerave historike të krahinës sonë Gollobordës se Dibrës.
Libri i shkruar me të vërteta historike ofron interes për një rreth të gjerë lexuesish që janë të interesuar të njohin figurën e “babait” të Turqisë moderne, në mënyre të veçantë për ata qe kërkojnë të shuajnë kuriozitetin për origjinën e tij, e cila nga autori është paraqitur edhe me detaje të panjohura deri me sot.
Duke përfunduar, i urojmë lexuesit të ketë kënaqësinë e leximit të këtij libri, si dhe autorit Ramazan Hoxha jetë të gjatë e suksese të mëtejshme në punën e tij hulumtuese e zbuluese edhe për figura të tjera që nuk i mungojnë kësaj krahine me tradita e histori të pasur e në interes të historisë sonë kombëtare.
Ju faleminderit!
gazetadibra.com


Leave a Reply