Bubullimat dhe vetëtimat e asaj dite në atë pragzbardhje të shoqëruara me një shi të dendur mbi një pllajë të pjerët ku ishte stani,përziheshin me të lehurat e qenit dhe aty këtu me blegërima.Kishte kohë që një shi i tillë s’ishte parë që të binte.Ishte fund Shtatori dhe kjo e papritur e motit e zuri çobanin Leko në befasi.I kishte ardhur gruaja, Leni quhej,bashkë me Sofinë vajzën e lindur para një viti.Nuk shkonin mirë në jetën familjare. Kishin pak vite martuar. Leni nga që tërë kohën e kalonte në shtëpi bashkë me vjehrrën si edhe me kunatën të pamartuar, më të madhe në moshë se ajo, mërzitej . Lodhej shumë me shërbimet që kryente .I mungonte burri dhe netëve grindej me veten në shtratin e saj me hallin që e kishte zënë.Lekua zbriste rrallë nga stani.Kur vinte dëgjonte llafe në shtëpi për gruan.C’farë nuk i pëshpërisnin .Ai i binte shkurt e rrihte për të treguar se ishte burrë zakoni. Gruaja i përgjërohej me lot në sy se jo e jo,nuk ishte kështu, sepse, ajo gatuante, lante ,shplante,punonte tokën,fshinte ,rregullonte shtëpinë,rriste fëmijën e tyre.C’do gjë bënte në atë shtëpi edhe më shumë se motra tij.Por…ishte e kot.Asgjë nuk ndryshonte.Ky rit përsëritej .Gojët thonin se kunata sillej tërë ditën sikur punonte e shtrohej muhabeteve me shoqet dhe plakat rrotull shtëpisë……..
I përgjumur rrëmoi në një cep të dhomës të stisur si e tillë. Morri një flet çadre që e përdorte shpesh në raste shiu,trashëgim nga i ati, marr nga ushtarët austriak kur ndërtonin rrugën e Bregut, ca vite të shkuara ,gjatë luftës së parë botërore.Doli jashtë dhe filloi të mbulonte dhomëzën ku tashmë shiu kishte bërë të vetën.Llokoçitja e ujit dhe turfullimat e herëpasëherëshme të Lekos dukej sikur kishin hyrë në një dialog. I ra rrotull murit për të parë se mos ndonjë gurë kishte shkarë.Uji i shiut që përplasej me murin në formë rëkeje ishte tepër i vrullshëm.Nuk i erdhi mirë që po ndodhte kështu.Sa pa marr kthesën për t’u futur sërish brenda hyrjes së vetme të stanit,një vetëtim e shoqëruar me një bubullim tepër të fortë e stepi pak.Nxitoi drejt deleve të mbledhura nën strehën me pllaka gurësh.Hodhi një vështrim mbi to, për t’u siguruar që ishin mirë.Morri një sapllak të varur nën atë streh dhe u afrua tek delja e parë ku me pak përkëdhelje e ngriti në këmbë dhe filloi ta mjel. Ishte mjaftueshëm pak qumësht për ta rrufitur .E vendosi sërish sapllakun atje ku e morri. U ul në qoshen e strehës nga ku fshati dhe deti përtej, dukeshin të mjergulltë nga shiu i dendur që binte.Nxorri kutinë e duhanit .E mbushi llullën si me inat,e shtypi fort duhanin në të,aq sa kur ndezi eshkën dhe e vuri sipër ,faqet e tij me pak mjekër futeshin brenda nofullave nga thithja e thellë që bënte.Dha e morri por më në fund tymi filloi të dal pak nga pak deri sa shpërtheu nga buzët e Lekos si tym oxhaku në netë të ftohta.Një tjetër bubullim e fortë e shoqëruar me një shkrepëtim të frikëshme që nga zhurma u duk se ishte shkarkuar diku aty afër e bëri të çohej vrullshëm në këmbë.Zgjati kokën për të parë nga maja e malit ,por nuk pa gjë se ajo ishte e tëra sterë e zezë nga retë që e kishin pushtuar tej e tej.Asgjë s’mund të bënte në gjithë atë shi.U ul përsëri mbi gur me vështrim nga dhomëza ku ishte gruaja dhe e bija e vogël. Leni kishte bërë rrugë të gjatë e të lodhëshme deri aty.Ishte ngarkuar me ca fasule,pak oriz e qep , dy tava byrek dhe ndëresa të lara .Ishin zënë përsëri .Kishin bërë fjalë për faktin që Lekua përkrahte fjalët që dëgjonte dhe nuk kishte besim në atë se çfarë ajo i thoshte. Edhe pse në pak orë që ajo ndodhej aty kishte vënë dorë prap mbi të.
Delet blegërinin .Blegërimat e sotme kishin një tingëllim tjetër.Qeni nuk ndihej i qetë, lehte herë pas here.Sytë e dhenve ishin të drejtuara nga ai,por edhe Lekua i vështronte ndryshe sot.Secilës dele u kishte vënë emër.I donte shumë.Jetën e kishte lidhur me ato.Endej brinjave e maleve deri tutje në sinore të tjera.Nuk ishin pak por rreth njëqind kokë.Me bagëtinë gdhihej e ngrysej.Kishte marrë shumë nga ashpërsia e atij terreni të thyer .Njihte cdo gur,shkëmb e rëpirë,cdo lule që mbinte nga ato anë.Të gjitha kafshët e egra që jetonin rrotull u dinte dhe foletë.Sa gracka u kishte ngritur.Por qejf kishte dhelprat.U merrte lekurën dhe i shiste tek tregtarët që kalonin nga ato anë.Mali e kishte bërë më të vrazhdë.Shokë nuk kishte.I vogël lozte me Pilon.Por edhe ai kishte ikur për të mësuar diku larg, shumë larg prej aty.Shkollë nuk kishte.Ca ditë vajti në shkollën e fshatit por edhe atë e braktisi.I pëlqente vetmia,ndaj dhe kur ishte në mes të njerëzve e ndjente veten në siklet,u fshihte sytë dhe u shmangej aq sa mundëte.E vetmja shoqëri e qëndrueshme që i pëlqente,që bisedonte,që i kuptonte,që qeshte e lozte me to, ishin dhëntë.Sytë e tij merrnin jetë,gjallëroheshin kur i vështronte. U kishte vënë emra.Bejka,Syska,Kruta,Kuaca,Mazha,Llaja,Këcka… të gjitha në vështrimin e tij gjenin sigurinë.Ai u njihte çdo tingull zileje,çdo blegërim,çdo vështrim dhe përtypje të tyre.Shiu vazhdonte të binte vrullshëm.Uji nga mali rrëke –rrëke plasej me furi në murin e gurtë të stanit.Lekua thithte llullën mbushur me duhan të fortë,era e të cilit përzihej me atë të kakërdhive.Kishte hedhur dorën mbi delen pranë dhe sikur merrte ngrohtësi prej saj.Një blegërimë i tërhoqi vëmëndjen.U çua dhe u fut mes bagëtisë gjysëm i kërrusur duke i shtyrë pak me dorë por nuk pa gjë për t’u shqetsuar.E ledhatoi delen e blegërimës sikundër edhe dy të tjera dhe u kthye sërish tek vendi ku ishte ulur.Qeni u afrua dhe iu fërkua tek këmba e djathtë.Ndryshe sillej edhe ai sot.Lëviste,nuhaste pothuaj në gjithë atë vend.Hungëriti pak nën ledhatimin e të zotit,u shtriq,u shkund dhe me vështrimin paksa lart, papritur bëri me shpejtësi 5-6 këmbë dhe u gjend mbi murin e stanit.A thua të kishte ndjerë diçka?.Veshët i lëvizte sa majtas-djathtas.Lekos nuk i pëlqeu ky shqetsim .Lehte me vështrimin ngultas nga ai.Mes kësaj zhurme dhe ehosh edhe sytë e Lekos lëviznin sa në një krahë të stanit tek krahu tjetër,sa tej në det dhe lart në qiellin e nxirë që hidhte e hidhte ujë.E lehura e fortë e qenit u shoqërua në çast me një zhurmë të madhe gurësh në rrokullimë.Mbeti si i ngrirë.Erdhi në vete kur blegërimat ngjethëse të bagëtisë i dhëmbën në shpirt.Sa shpejt u shembën çatia me pllaka guri dhe muri rrethues.Ulëriti fort duke nxituar drejt shëmbjes së madhe.Gruaja që dëgjoi ulërimën e të shoqit,pa kuptuar se çndodhi, shkëputi fëmijën nga gjoksi e la për një çast mbi shtroje, mori patickën ,një pushk që Lekua e mbante gjithmonë në stan dhe doli ngutshëm tek dera ku shiu binte si litar i trashë. Ulërima dhe zhurma mes atij qameti nuk i la gjak në trup. Sytë i mbetën tek shembja.Ajo rënojë e pjesës më të madhe fshihte nën vete , dhjetra dele. Lekua gjithë turfullim jepte e merrte për të nxjerr nga nëngurët të gjalla a të vrara delet.I ishte afruar gruaja.Kur Lekua hoqi pllakën e gurit të radhës për të zbuluar delen, nën të pa gjak.Blegërima e mekur e saj, e bëri të lëshoj nga thellësia e shpirtit një ofsham vajtimi që ushtoi thershëm.Duart i dridheshin.Ato i mbetën të shtrira kur sytë i zunë edhe dele të tjera të gjakosura.Mbeti si i zënë nga gjaku. Ishte një gjendje e ngrirë e tij për të perceptuar më mirë gjallësinë apo pajetësinë e tyre.Shiu që binte lante gjakun në kokën e deles.Në vështrimin e parë dukej sikur i rridhte shumë gjak.Sytë e Lekos u ndeshën me syrin e saj.Në atë pozicion dukej sikur delja i thoshte,më shpëto.Plaga në kokë e kishte tulatur aq sa edhe vështrimin ndaj të zot dukej sikur e kishte të lutshëm. Pa dy duar të tjera të zgjatura si të tijat drejt deles.Iu duk se dikush tjetër donte t’ia merrte atë krijesë shtrirë përdhe.C’ishin ato duar? Shpejt rrëmbeu një pllakë guri që kishte aty pranë dhe rrufeshëm ktheu dorën për të qëlluar.Guri në dorën e tij u përplas fort në fytyrën e gruas.I ishin erur syt ,apo ajo gjëmë e kishte bërë të pavullnetshëm? Përsëri një shkreptimë rufeje u mpleks me atë veprim ngjethës.Fytyra e Lenit u mbush me gjak. Dhimbja i pickoi në zemër e tronditi shumë.Vendosi të dy duart në fytyrë.Pa shumë gjak në to.S’po u besonte syve.Ndjente gjakun e ngrohtë që i rridhte si dhe shiun e ftohtë që plasej mbi trupin e saj.E hutuar siç ishte me syt e mbuluar nga gjaku që i ridhte diku nga balli a nga vetullat vështroi nga i shoqi për t’i marr pse-në, po ai kishte marr ndërkohë delen e plagosur dhe po ecte për ta lënë në shesh të hapur.Ndjeu një marrje mendsh dhe në pak çaste u shemb përdhe.Ashtu e shtrirë me dhimbje në trup, e përhumbur dhe me duart e hapura mbi atë pjesë toke,buzët e saj diçka flisnin.C’thoshte? I fliste shiut? I fliste tokës?Burrit?Apo që kishte lënë vetëm vajzën?Gjaku rridhte dhe shiu e përziente me gjakun e deleve, e merrte me vete dhe e shpinte tutje. Kaluan pak çaste kështu.Lekua as nuk ktheu kokën për të parë se ç’po ndodhte me gruan. E mbetur aty shtrirë mbi tok dukej njësh si delet e vrara.U ndje e qara e fëmijës.Filloi të shtyj trupin këmbadoras drejt dhomëzës.E lagur e tëra bëri të çohej, por nuk mundi.U përpoq edhe njëherë .Me mundim ja arriti . Hyri brenda, shkoi tek vendi ku mbahej duhani,mori një grusht dhe e vendosi në gjithë fytyrën.Të paktën duhani do t’i përthante gjakun.E mbajti dorën të puthitur fort me fytyrën.Avull dhe gjak i lëshonte trupi.Vajza qante e qante. E mori të voglën në krah dhe bëri të dal.Vendosi, do të ikte.Po si do të ikte? U step pak,nga shiu apo….Jo nuk mund të rrinte më.Gjithmonë kishte heshtur.Do të ikte edhe pse shiu binte ashpër.Ndjeu përsëri gjakun në fytyrë.Kjo i dha më shumë shtysë.Hapi derën, Lekua përtej merrej me delet.Pa i folur mori rugën për poshtë ,drejt fshatit.Ku do të shkonte,tek shtëpia e burrit apo tek e ëma e saj?Një rrënkim i dilte nga shpirti.Gjak dhe dhimbje ndjente në kokë.Ecte me këto dhimbje,por këmbët e saj nguleshin fortë në tokë.I dukej sikur fytyrën ja shikonin gurët dhe shkuret rreth e rrotull,por edhe ata ,atje poshtë,njerzit e saj. Donte t’u thoshte që po ikte.Do flisnin në Kishë moshataret e saj,do flisnin plakat,do gumëzhinte fshati që iku dhe e la burrin.Po çtë bënte i dhimbte shpirti.E ndjeu veten të lodhur ,mbase edhe nga fëmija në krah.I kishte hedhur një robë përsipër kokës por shiu bënte të vetën.
-Ah e mjera-thoshte me vete dhe ecte.Në mend i kaloi muaji i parë i martesës kur Lekua e kishte qëlluar me pëllëmbë në javën e tretë a të katërt .Ajo nuk i kishte vënë shumë rëndësi.Pëllëmba më pas ishte bërë shkop,shkelm,gurë, ishte bërë dhimbje për të.Ndjeu qenin afër ti lëpihej nëpër këmbë.Lekua e kishte parë dhe po e ndiqte me patickën në dorë.Lenit iu prenë gjunjët,por filloi t’u jap më shumë këmbëve.Kishte mbritur poshtë tek përoi.Koka i dhimbte.U mundua të mbledhë me shpirt gjithë fuqinë e zërit dhe bërtiti:
-O Kiçooooooo…Kiçooooo…i fliste të vëllait.Zhurma e ujit të përoit e mbyste atë zë të mekur e jo më të dëgjohej atje larg në kodrën përtej shumë ullinjve.Këmbët i mplekseshin me zallin dhe ujin e rrëmbyeshëm.Ishte gati për të rënë. I merreshin mend.Vajza filloi të qaj me ngashërim.Ajo zemër nëne e dinte se si qëndronte. Me një dorë shtrëngonte vajzën në gjoks dhe tjetrën të shtrirë herë anash, herë para, për të mbajtur ekuilibrin.Sytë po i visheshin dhe gjithçka përpara po i dukej e erët.
– Kiçoooo…Kiçoooo…-thëriste,por zëri ishte i pafuqishëm.
Lekua vraponte drejt saj pa parë se ku hidhte këmbët.Rrëshqiste dhe prap çohej.Nuk e kuptonte se si ajo ikte për tu larguar prej tij. Ndali një çast dhe shtiu në ajër.C’farë i kishte hipur në kokë?Në fytyrë nuk kishte pik gjaku.E arriti në mes të proit në një vend ku ai ndahej në dy pjesë.Dihaste dhe ashtu i pangopur me frymë i rrëmbeu vajzën dhe e la në atë rip gurrësh .Ajo qante me të madhe, mbase nga që shikonte gjak në fytyrën e të ëmës apo edhe nga shiu që binte rëndë mbi trupin e vogël. Leni u kthye sërish vrulltas me ato pak forca që i kishin mbetur dhe e pushtoi vajzën me trupin e saj.Lekua iu afrua dhe përsëri e shkëputi nga vajza, e tërhoqi zvarrë disa metra larg .E pafuqishme për të folur, e prerë dhe e dërmuar vështrimi iu ngul në fyrtyën e tij.Ai mbushi patickën me fishekun që e nxori nga xhepi i pantallonave dhe shkrepi në drejtim të saj.Nga tyta nuk doli gjë.Briti egërsisht, u rrotullua rreth vetes duke përplasur këmbët fort në tok.Ajo nuk lëvizte,kishte mbetur e ngrirë me gojën hapur para tij.Lekos i dridheshin duart.Lëvizi shulin dhe e rimbushi,por prap tyta nuk donte të nxirrte vdekjen.E lëvizi përsëri për t’i futur tjetër fishek, por një bubullimë dhe një shkrepëtim e fuqishme vetëtime e frikësoi, e bëri të humbas ekuilibrin.Bie në tokë mbrapsht dhe koka i përplaset fort mbi një gur përoi .Vështroi nga gruaja…. por ai vështrim nuk zgjati shumë.Sytë iu mbyllën lehtas. Paticka iu shkëput nga dora dhe uji e morri me vete mes gurgullimës së tij.
DHIMITER GJOKA
Himarë-Tiranë 2000-2016


Leave a Reply