Në Shqipëri policia po vazhdon një operacion të gjerë në zona të ndryshme të vendit, nga Veriu në Jug, kundër trafikut të marijuanës. Janë rreth 300 forca policie të angazhuara. Në total gjatë ditës së djeshme deri në mbrëmje u sekuestruan mbi 1.3 ton lëndë narkotike, ndërsa janë asgjësuar rreth 8 mijë bimë cannabis sativa e mbjellë ose në proces tharjeje.
Forcat e policisë kanë organizuar 12 operacione nga të cilat 2 në qarkun e Shkodrës, 5 në atë të Gjirokastrës, 2 në Vlorës si dhe në Mat, Krujë dhe Portin e Durrësit. Janë të paktën 17 persona të proçeduar penalisht, nga të cilët 8 përfunduan në pranga. Gjatë kontrollove policia ka mundur të sekuestrojë edhe 4 armë zjarri si dhe sasi të ndryshme municionesh. Në një njoftim zyrtar të shpërndarë në mbrëmje saktësohej se paralelisht po zhvillohen patrullimi në kufirin tokësor, veçanërisht atë me Greqinë si dhe përgjatë vijës bregdetare.
Pak ditë më parë, 1.3 ton cannabis sativa zbuloi në fshatin Derven në zonën e Krujës. Në pranga përfunduan 11 persona, të gjithë të moshave të reja nga 16 deri 29 vjeç, me përjashtim vetëm të njërit prej tyre i moshës 47 vjeç. Sasia e madhe e marijuanës një pjesë e tharë dhe tjetra në proces tharjeje, u gjet në një magazinë dhe në një shtëpi të pabanuar ku lënda narkotike përpunohej pas tharjes. Gjatë aksionit u gjetën edhe sasi të ndryshme armësh dhe municionesh.
Burimi/Zeri i Amerikes
Leave a Reply