
Një histori e veçantë shqiptare vjen nga zemra e Stambollit. Gazetarja Ozge Demirozu ka rrëfyer se, edhe pse u rrit mes miliona banorëve të metropolit turk, brenda familjes së saj kishte një rregull që i ati nuk e shkeli kurrë: me fëmijët fliste vetëm shqip.
“Jemi rritur në mes të Stambollit, por babai na ka folur vetëm shqip, asnjë fjalë turqisht”, ka treguar ajo.
Për të atin, gjuha shqipe ishte shumë më tepër se një mënyrë komunikimi. Ishte lidhja e fëmijëve të tij me rrënjët, familjen dhe prejardhjen e tyre. Pavarësisht se jetonin larg trojeve shqiptare dhe çdo ditë rreth tyre dëgjohej turqishtja, ai këmbënguli që shqipja të mos humbiste brenda shtëpisë.
Vitet kaluan, por ajo që babai u mësoi fëmijëve mbeti. Ozge tregon se humbja e tij gjatë pandemisë ishte një goditje e rëndë për familjen, por bashkë me kujtimet ai u la edhe një amanet: të mos harronin gjuhën dhe rrënjët e tyre.
Sot ajo vazhdon ta mbajë gjallë këtë trashëgimi dhe të flasë me krenari për prejardhjen e saj.
Historia e familjes së saj është një prej atyre rrëfimeve që tregojnë se mund të jetosh mijëra kilometra larg, mes një kulture dhe gjuhe tjetër, por rrënjët mund të ruhen brez pas brezi.
Babai i saj nuk është më, por shqipja që ai këmbënguli t’ua mësonte fëmijëve vazhdon të flitet. Dhe ndoshta ky është amaneti më i bukur që mund t’u linte.
Burimi/Facebook/Revista Ora


Leave a Reply