
Një rrjet shtesë fibrash optike ndihmon të zgjerohet infrastruktura e telekomunikacioneve e Kosovës.
Nga Linda Karadaku për Southeast European Times në Prishtinë
Kosova e Shqipëria do të përfitojnë nga një lidhje e sapo-nisur e internetit me shpejtësi të lartë.
Një lidhje e sapo-nisur fibrash optike me shpejtësi të lartë midis Kosovës e Shqipërisë do të përmirësojë cilësinë e do të ulë koston e shërbimeve të internetit në të dy vendet.
Operatori i Sistemit të Transmisionit të Shqipërisë harxhoi 9 milionë euro për projektin e fonde u siguruan gjithashtu nga Posta Shqiptare (2.6 milionë euro) e ofruesi i internetit i Kosovës Kujtesa 2 (2 milionë euro). .
Ekrem Hoxha, kryetari i Autoritetit Rregullues të Telekomunikacioneve të Kosovës tha se autostrade dixhitale e re do të rrisë trafikun e internetit e do të përmirësojë cilësinë e komunikimit midis dy vendeve. Hoxha tha për SETimes se projekti përdor një rrjet të brezit tjetër, që bën të mundur transmetimin e zërit, të të dhënave e të shërbimeve video.
Deri në nisjen e këtij rrjeti të ri, operatorët e Kosovës komunikonin me Shqipërinë vetëm nëpërmjet lidhjeve me mikrovalë, një teknologji më pak e efektshme.
“Avantazhi i kësaj teknologjie është se nëpërmjet përdorimit të fibrave optike, na bën të mundur të mos kemi ndërhyrje elektro-magnetike e rrit sigurinë e të dhënave,” i tha Hoxha SETimes. “Lidhja nëpërmjet fibrave optike bën të mundur transferimin me shpejtësi të lartë e kapacitete më të mëdha në distanca të largëta e përfundimisht, ka gjithashtu çmime më të favorshme.”
Rrjeti i ri i shtohet infrastrukturës së telekomunikacioneve ekzistuese të Kosovës që përfshijnë lidhje të ngjashme me fibra optike me Maqedoninë e Serbinë.
“Të gjitha këto lidhje janë plotësisht funksionale e kontribuojnë në krijimin e një mjedisi më të favorshëm, konkurrues në vendin tonë,” tha Hoxha për SETimes. “Lidhja e Kosovës me Shqipërinë nëpërmjet fibrave optike e bën Kosovën një urë lidhëse të infrastrukturës së telekomunikacionit me vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor.”
Kryeministri Hashim Thaçi tha se si një shtet i ri, Kosovës i duhen investime thelbësore në të gjitha llojet e infrastrukturës. Thaçi shtoi se autostrada dixhitale do të ndihmojë rritjen e mirëqenies shoqërore, krijimit të punëve të reja e do të lejojë qeveritë në të dy vendet të përfitojnë nga shërbimet dixhitale.
“Projekti i E-qeverisë, që rrit efektshmërinë e punës së qeverisë e ul koston e punës së saj, mund të realizohet me zhvillimin e rrjetit dixhital,” tha Thaçi.
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha tha se shtetasit do të përfitojnë nga interneti me shpejtësi të lartë.
Posta Shqiptare tha se ajo ka synim të sigurojë shërbime cilësore me çmime të përballueshme për konsumatorët.
“Ndërlidhja në të ardhmen midis Tiranës, Prishtinës e Shkupit është synuar të kryhet në një rrjet fibrash optike,” tha Posta Shqiptare në një njoftim, duke shtuar se autostrade e re do të rrisë numrin e përdoruesve të internetit e do të përmirësojë cilësinë për të gjithë.
Sipas Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve, Shqipëria kishte më shumë se 13,000 abonentë me bandë të gjerë me kabllo më 2011 (4.34 për 100 banorë). Pothuajse gjysma e qyteteve shqiptare (49 përqind) përdorin internetin, një rritje prej 34 përqind që më 2007.
Një raport më parë këtë vit nga Shoqata e Informacionit dhe Teknologjisë së Komunikimit zbuloi se gati 75 përqind e popullsisë së Kosovës ka mundësinë e përdorimit të internetit, një rritje 19 përqind që më 2009.
Hoxha tha se përparimi i vazhdueshëm në teknologjinë e komunikimit mundëson zhvillimin e novacionit në prodhime e shërbime dhe rritje më të shpejtë ekonomike.
“Jemi të gjithë dëshmitarë se pothuajse gjithçka sot konvergon në teknologjinë e informacionit,” tha Hoxha. “Prandaj, Republika e Kosovës po bëhet gradualisht një nyje e rëndësishme e telekomunikacioneve, duke u përqëndruar në shkëmbimin e trafikut të internetit.”
Amir Rashica, një profesor i teknologjisë së informacionit në universitetin privat të teknologjisë së informacionit AAB, tha për SETimes se zhvillimi i infrastrukturës së komunikacioneve të vendit luan gjithashtu një rol kryesor në shkëmbimet ndër-kulturore e ndër-etnike.
“Besoj se është shumë e rëndësishme të krijohen rrjetet e komunikimit të internetit me kulturat e tjera,” tha ai.
Tune Rrasa, një student 19 vjeçar kalon orë në internet, por është më shumë i interesuar në komunikimin virtual brenda Kosovës.
“Çfardo që është bërë në teknologjinë e informacionit më duket mirë,” tha Rrasa SETimes. “Më shumë mundësi, më shumë komunikim.”
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Shqipëria Maqedonia Serbia
Hashim Thaçi Sali Berisha
Per”Alba – Dansk” Shkodran


Leave a Reply