
Partitë e një etnie mbizotërojnë në skenën e politikës së Ballkanit, duke përfaqësuar një histori konfliktesh ndër-etnike që la pas një mungesë besimi mes grupeve të ndryshme.
Nga Drazhen Remikoviç, Marina Stojanovska e Linda Karadaku për Southeast European Times në Sarajevë, Shkup e Prishtinë
Shumë parlamente në rajon janë të përbëra nga parti me një etni.
Ndërsa rajoni rimëkëmbet nga konfliktet e viteve 1990, partitë politike janë kryesisht të ndara përgjatë vijave etnike: një dukuri që analistët thonë se tenton t’u japë shtysë qeverive të bllokuara që kanë vështirësi në ndërtimin e marrëdhënieve të forta me vendet fqinje.
Shumë janë dakort se partitë shumë-etnike do të ishin përfituese, por thonë se rajoni duhet të lëvizë drejt zgjidhjes së çështjeve të pakicave përpara sesa organizata të tilla mund të lulëzojnë.
“Eshtë e vështirë të kesh parti shumë-etnike në një shoqëri ku kemi ende probleme thelbësore të pazgjidhura të pakicave. Vetëm pasi këto probleme të jenë zgjidhur siç duhet mund të presim të shfaqen parti shumë-etnike,” tha për SETimesAlbert Musliu, një analist politik në Shoqatën e Nismave Demokratike në Shkup.
Në Maqedoni, të gjitha komunitetet etnike të përmendura në kushtetutë kanë partitë e tyre e gati të gjithë anëtarët e tyre janë të të njëjtës etni. Partitë më të mëdha politike, si Bashkimi Social Demokratik i Maqedonisë (SDSM) e VMRO-DPMNE kanë anëtarë që u përkasin komuniteteve të ndryshme etnike, por ata kanë pak ndikim.
“Mendoj se ndarja etnike është kaq e zgjeruar saqë bën të pamundur që parti që kanë anëtarë nga etni të ndryshme të ekzistojnë,” tha për SETimesAndrej Zernovski, udhëheqësi i Partisë Liberale Demokratike
Safet Bishevac, një deputet i pavarur, tha se nacionalizmi në një shtet ushqen nacionalizimin në një shtet tjetër . “Eshtë një rreth vicioz që për fat të keq do të vazhdojë për disa kohë në Ballkanin Perëndimor,” tha ai përSETimes.
“Problemi kryesor janë elitat politike që duke qenë në një gjendje ku iu mungojnë idetë e reja e zgjidhjet ndaj çështjeve thelbësore me të cilat përballen shoqëritë, i kthehen etno-centrizmit si një strehë e sigurtë,” tha Bishevac.
Alma Lama, një deputete e partisë së opozitës së Kosovës, Vetëvendosje, tha se partitë në Kosovë janë të një etnie për shkak se identitetet etnike janë shumë të forta për shkak të konfliktit të kaluar.
“Procesi i pajtimit në aspektin zyrtar, në institucione, ka ndodhur, por nuk ka ndodhur realisht nëse mbajmë parasysh aspektin kulturor. Komunitetet jetojnë të ndara e kjo është pasqyruar në partitë politike po ashtu. Opinioni publik nuk është gati ende të përziejë partitë,” tha Lama për SETimes.
Por shumë janë dakort se shkuarja drejt partive shumë-etnike do të ishte në përfitim të rajonit.
Partitë shumë-etnike do të ndihmonin vendet të arrinin anëtarësimin në BE, thanë analistët. [BE]
“[Partitë shumë-etnike do të] ndihmonin vendet të bënin një punë më të mirë kur vjen puna te pranimi në BE e arritja e marrëdhënieve më të mira me vendet e tyre fqinjë … Së paku, parti të tilla do të bënin presion mbi qeverinë për të dhënë rezultate në çështje që shkojnë përtej shqetësimeve të zakonshme rreth baraspeshave etnike e që kanë të bëjnë më shumë me politikat publike në përputhje me të drejtën e BE-së,” tha për SETimesDimitar Beçev, studiues politik e kreu i zyrës së Sofjes të Këshillit të Evropës për Marrëdhëniet e Jashtme.
Rasim Ljajiç, president i Partisë Social-Demokratike të Serbisë (SDSP) , më parë kryesoi Partinë Demokratike të Sanxhakut. Ai e braktisi këtë parti vendore që kryesisht shqetësohej për problemet e komunitetit etnik të Sanxhakut, për të formuar SDSP më 2009.
“Besoj se ka më pak vend për partitë një-kombëtare e se në procesin e përzierjes së skenës politike në Serbi, një shans do t’u jepet partive të lidhura me çështjet e interesit të përgjithshëm kombëtar,” tha Ljajiç.
Bosnjë dhe Hercegovina ka disa zhvillime pozitive në lëvizjen nga partitë me një etni në ato shumë-etnike. Çdo parti e madhe me një etni ka një numër të vogël anëtarësh nga një grup etnik tjetër, por nuk e kalon më shumë se 5 përqind të anëtarësisë gjithsej.
Ka pak parti më të vogla, si Partia Jonë ose Bashkimi Social Demokratik (SDU BiH), që ka një numër të barabartë nga etnitë e ndryshme në anëtarësinë e saj. Edhe pse kjo parti është ende e vogël krahasuar me SNSD ose SDP, vlerësimi i saj po rritet vazhdimisht. Në zgjedhjet e tetorit partia mori katër herë numrin e vendeve të këshillave sesa në zgjedhjet vendore të zhvilluara më 2008.
“Përfaqësojmë shtetasit. Jemi për ata që nuk dëshirojnë të flasin rreth bazave të tyre etnike e fetare dhe këta lloj njerëzish votojnë për këtë parti. Duhet të kuptojmë se e ardhmja e BiH është në një koncept civil e jo kombëtar. Kjo është një rrugë e vështirë, por dikush duhet t’a nisë atë. Për tani, Partia Jonë është e vetmja që përfaqëson një koncept të tillë,” tha Gratz përSETimes.
Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), partia më e madhe serbe në BiH, ka një program social demokratik, por udhëheqësi i saj, Millorad Dodik ka punuar për vite duke shtyrë retorikën socialiste në vend të përpiqej për të ushqyer marrëdhëniet ndër-etnike.
SDU BiH është një parti që ka anëtarë të barabartë nga të gjitha etnitë në vend. [SDU BiH]
Aleksa Asanoviç, një administratore 45 vjeçare e turizmit nga Banja Luka tha se retorika e ideologjia e partive politike në BiH janë dy gjëra të ndryshme.
“Keni social demokratët që janë në fakt nacionalistët më të mëdhenj në vend. Nga ana tjetër, partitë nacionale e retorika e tyre duken qesharake krahasuar me social demokratët . Kështu që, partitë e vërteta civile janë të vogla e të padukshme, pasi retorika nacionaliste mbizotëron në të gjithë publikun e në të gjitha mediat,” tha Asanoviçi për SETimes .
Të gjitha partitë në Kosovë janë me një etni, por koalicioni qeveritar është shumë-etnik e vendi po përpiqet të bëhet një shoqëri etnike e përzierë.
Jasmina Zhivkoviç, një deputete e Partisë të Pavarur Liberale Serbe në Kosovë, tha se partitë politike nuk duhet të jenë me një etni, por “kjo është gjendja.” Adem Grabovci, kreu i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (PDK), partia më e madhe në Kosovë, tha se realiteti duhet marë parasysh, por partia mbetet e hapur për anëtarësi të re.
“E shohim Kosovën si një, i trajtojmë shtetasit e Kosovës si të njëjtë, të barabartë e PDK është e hapur për të gjithë shtetasit e Kosovës. Të gjithë ata që dëshirojnë të zhvillojnë veprimtarinë e tyre në radhët e PDK-së janë të mirëpritur, por duke marë parasysh realitetin, përfundimi mund të jetë se kushtet nuk janë krijuar ende që dikush nga pakica të hyjë në një parti tjetër,” tha Grabovci SETimes.
Tatjana Stojanovska Ivanova, një anëtare e Fakultetit të Filozofisë në Shkup, tha se sjellja e padepërtueshme e mono-etnizmi vijnë si një rezultat i etno-centrizmit ekzistues ose lidhjeve që dikush ndan me vendin e tij.
“Ky stereotip në përputhje me anëtarësimin në një parti të caktuar ka një ngjyrë etnike e është një rezultat i paragjykimeve të pa-tejkaluara që kanë ekzistuar e do të vazhdojnë të ekzistojnë në Ballkan,” tha ajo për SETimes.
Korrespondentja e SETimes në Beograd Bojana Milovanoviç kontribuoi në këtë artikull.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk” Shkodran


Leave a Reply