Një lajm i trishtë ka tronditur ditën e sotme komunitetin e Lezhës dhe mbarë opinionin publik kulturor e turistik në vend. Është ndarë parakohe nga jeta në moshën 66-vjeçare Preç Ndoj, i njohur si themeluesi i Agroturizem Hylli Drites, aktivist i spikatur social dhe një atdhetar me kontribut të pashlyeshëm në ruajtjen e kujtesës historike kombëtare.
Ndoj konsiderohej gjerësisht si një prej shtyllave të zhvillimit të qëndrueshëm rural në zonën e Zadrimës, duke harmonizuar në mënyrë të përsosur trashëgiminë historike me turizmin modern.
Emri i Preç Ndojit është i lidhur ngushtë me një akt heroik e patriotik që sfidoi egërsinë e regjimit komunist.
Gjatë fushatave antireligjioze të viteve 1967–1968, kur diktatura hodhi në lumë bustin origjinal të poetit tonë kombëtar, At Gjergj Fishtës, ishte babai i tij, Ndoc Hil Ndoj, ai që e gjeti dhe e nxori nga uji.
Preçi mori mbi supe amanetin e shenjtë të të atit, duke e mbajtur të fshehur bustin e Fishtës në shtëpinë e tij për dekada me radhë, nën rrezikun e vazhdueshëm të ndëshkimit nga regjimi.
Ky akt shpëtimi bëri që një nga simbolet më të çmuara të kulturës shqiptare t’i mbijetonte harresës dhe shkatërrimit.
Në vitin 2014, dashurinë e tij për traditën dhe figurën e Fishtës, Ndoj e materializoi në një projekt jetësor.
Ai themeloi në Troshan kompleksin agroturistik, të cilin e pagëzoi “Hylli i Dritës”, në nderim të revistës së famshme françeskane.
Brenda pak vitesh, sipërmarrja e tij u kthye në një model suksesi të turizmit rural në Shqipëri.
Ai arriti të:
– Kthejë fshatin Troshan në një destinacion të rëndësishëm ndërkombëtar të Slow Food-it dhe kulinarisë zadrimore.
– Gjenerojë zhvillim ekonomik lokal, duke punësuar me dhjetëra banorë dhe duke krijuar një rrjet të qëndrueshëm bashkëpunimi me fermerët e zonës.
– Shërbejë si një urë lidhëse sociale e komunitare, duke u vlerësuar nga bashkëqytetarët si një njeri i urtë, mikpritës dhe me vlera të larta njerëzore.
Ndarja e tij nga jeta ka sjellë ka prekur opinionin publik lezhjan dhe jo vetëm, duke përcjellë mesazhe ngushëllimesh nga zyrtarë lokalë, kolegë të fushës së turizmit dhe qindra qytetarë të Lezhës, të cilët e konsiderojnë ikjen e tij si një zbrazëti të madhe për mbarë rajonin.
Familja humbi kryefamiljarin, Lezha humbi një burrë të urtë, një patriot dhe një model se si duhet dhe zhvillohet vendi ynë.
Trashëgimia dhe modeli që Preç Ndoj ngriti me aq mund e pasion do të mbeten të gjalla përmes familjes së tij, që do të vijojë të mbajë ndezur “Hyllin e Dritës” në Zadrimë.
Lindita Kokaj-Marku






Burimi/Facebook/Argument Plus Lezhë


Leave a Reply