Në një reagim në rrjetet sociale, ish-deputeti socialist thotë se Asambleja Kombëtare e PS nuk ka marrë asnjë vendim për përjashtimin e tij dhe se askush nuk i ka treguar se cilën pikë të statutit ka shkelur.
Duke iu përgjigjur deklaratave të Ramës për rolin e tij në Bashkinë e Tiranës, Ndreca shkruan se “nuk po them se ‘gënjen si derri’, por asgjë nga ato që tha nuk është e vërtetë”. Ai mohon të ketë emëruar apo shkarkuar njeri në bashki dhe thotë se vendimet i ka marrë vetë Veliaj. Nëse Rama do të sigurohet, shkruan Ndreca, mund të shkojë ta pyesë vetë Veliajn. “Jo natën e me kapele, por hapur, në mes të ditës”, – shkruan ai.
Ndreca i përgjigjet edhe akuzës se ka shtrembëruar atë që është thënë në takimin mes Toni Gogut dhe Veliajt. Ai thotë se ka përcjellë publikisht rrëfimin që klienti i tij ia ka dhënë me shkrim dhe i kërkon Ramës të tregojë se çfarë ka ndryshuar. Ndërkohë, ai e akuzon kryeministrin se ka heshtur ndaj kërkesës së Veliajt për të hetuar pretendimin se Gogu e ka kërcënuar dhe shantazhuar në emër të Ramës.
Ndreca thotë se do të vazhdojë ta mbrojë Veliajn për aq kohë sa ai e dëshiron si avokat. Për Ramën dhe Partinë Socialiste ka një mesazh tjetër. “Që nga sot do të jem edhe një socialist që nuk hesht dhe që nuk e braktis lirinë në të cilën beson.
Burimi/Facebook/AlbDreams Televizion


Leave a Reply