
Partia Demokratike ka vijuar procesin e konsultimit me anëtarësinë për përzgjedhjen e kandidaturave për zgjedhjet vendore të vitit 2027. Në kuadër të këtij procesi, strukturat e PD-së kanë zhvilluar takime me grupseksionet dhe demokratët në të pesë njësitë administrative të Bashkisë Fushë-Arrëz: Fierzë, Blerim, Iballë, Qafë-Mali dhe Qendër Fushë-Arrëz.
Sipas njoftimit të bërë publik nga strukturat e Partisë Demokratike, nga këto takime ka dalë në pah një mbështetje e konsiderueshme për emrin e Hil Currit, kryetarit aktual të Bashkisë Fushë-Arrëz, si kandidat për drejtimin e Bashkisë Pukë në zgjedhjet e vitit 2027. Pjesa dërrmuese e propozimeve të bëra nga anëtarësia në të pesë njësitë administrative, sipas PD-së, janë për Currin.
Përveç propozimit të kandidaturës, një tjetër kërkesë e përcjellë nga demokratët lidhet me mënyrën e përzgjedhjes së kandidatit. Anëtarësia ka kërkuar që procesi të zhvillohet përmes primareve, duke i dhënë mundësi çdo anëtari të Partisë Demokratike të shprehë vullnetin e tij përmes votës.
Sipas strukturave të PD-së, kjo kërkesë synon një proces demokratik, gjithëpërfshirës dhe transparent, ku vendimmarrja për kandidaturën të mos jetë vetëm në duart e drejtuesve politikë, por të përfshijë drejtpërdrejt anëtarësinë.
Në këtë mënyrë, nga konsultimet në Fushë-Arrëz dalin dy mesazhe kryesore: mbështetja për Hil Currin si emër i propozuar për kandidat dhe kërkesa për zhvillimin e primareve përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Qëndrimi i anëtarësisë pritet të jetë pjesë e diskutimeve të mëtejshme në procesin e përzgjedhjes së kandidaturës për Bashkinë Pukë.
Burimi/Facebook/TV1 Channel – Shkodër


Leave a Reply