Unë jam plotësisht dakord që të kujtojmë aktet tona humane historike, siç ishte shpëtimi i qindra hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Por mendoj se duhet të kujtojmë edhe ata që na mbështetën në momentet më vendimtare të historisë sonë dhe na ndihmuan të ndërtonim shtetin tonë.
Po flas për Perandorinë Austro-Hungareze, në kohën e Franc Jozefit I.
Nuk po hyj në hollësi historike, data e fakte, pasi nuk është fusha ime, por disa momente mund ti sjell:
● Para shpalljes së Pavarësisë, në nëntor 1912, Ismail Qemali udhëtoi pikërisht drejt Vjenës dhe Budapestit. Më 13 nëntor u takua në Budapest me ministrin e Jashtëm austro-hungarez, kontin Leopold Berchtold, ku siguroi mbështetjen e perandorise për krijimin e shtetit shqiptar.
● Austro-Hungaria mbështeti krijimin e një shteti shqiptar dhe kundërshtoi copëtimin e mëtejshëm të territoreve shqiptare nga shtetet fqinje.
● Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912–1913), diplomacia austro-hungareze luajti rol vendimtar për njohjen e Shqipërisë si shtet dhe përcaktimin e kufijve të saj.
● Mbështeti financiarisht dhe përmes diplomacisë, veprimtarinë kombëtare shqiptare.
● Vjena u bë një nga qendrat më të rëndësishme të veprimtarisë së patriotëve shqiptarë, e studimeve dhe botimeve mbi gjuhën, historinë dhe kulturën tonë.
Natyrisht, Austro-Hungaria kishte edhe interesat e veta gjeopolitike. Përpjekjet për të penguar daljen e Serbisë në Adriatik dhe zgjerimin e ndikimit rus në Ballkan ishin pjesë e kësaj politike. Por, pavarësisht motiveve, mbështetja e saj ishte thelbësore për mbijetesën dhe konsolidimin e shtetit shqiptar.
Shkurt: Perandoria e Franc Jozefit ishte një nga mbështetëset më të rëndësishme ndërkombëtare të çështjes shqiptare në fund të Shekullit XIX dhe në fillim të Shekullit XX, në aspektin diplomatik, arsimor dhe kulturor.
Por le të kthehemi edhe më herët.
Pas vendimeve të Kongresit të Berlinit të vitit 1878, Ulqini duhej t’i dorëzohej Malit të Zi. Shqiptarët kundërshtuan me armë dorëzimin e qytetit. Edhe Austro-Hungaria kundërshtoi.
Një anije luftarake austro-hungareze, që mbante emrin e perandorit «Franc Jozefi», u mbyt në grykëderdhjen e lumit Buna nga flota ruse, gjatë luftimeve.
Mbi rrënojat e anijes, nga depozitimet e lumit, u krijua një ishull i vogël, i cili mori emrin Ishulli i Franc Jozefit.
Ishulli u zhduk plotësisht 15 vjet më parë, si pasojë e erozionit dhe ndryshimeve të ekosistemit të Bunës.
Ishulli u zhduk, por historia nuk duhet të zhduket bashkë me të.
Shqiptarët duhet të dinë kush i ka mbështetur dhe ndihmuar të ndërtojnë shtëpinë e tyre, në kohën kur një lukuni grabitqarësh përreth kërkonin t’ua merrnin të tëra tokat.
Duhet të dëshmojmë mirënjohje për ata që na ndihmuan në momentet vendimtare të historisë sonë.
Mirënjohje historike, jo servilizëm diplomatik e politik!
Ndoshta një muze, sado modest, apo ndoshta një kthinë diku, kur të kemi një Muze Historik, kushtuar kësaj periudhe dhe marrëdhënieve shqiptaro-austro-hungareze do të ishte një mënyrë për të ruajtur këtë kujtesë.
Fotot:
1. Zyra e punës së Perandorit Franc Jozef I, në Schönbrunn Palace në Vjenë.
2. Dhoma e gjumit dhe shtrati ku perandori ndërroi jetë në vitin 1916.


Burimi/Facebook


Leave a Reply