Frank Shkreli
Mungesa e Luigj Gurakuqit dhe Dom Nikollë Kaçorrit në Monumentin e Pavarësisë në Vlorë është më shumë se një harresë artistike. Ajo është një dëshmi e vazhdimësisë së padrejtësive historike, të cilat regjimi komunist i Enver Hoxhës institucionalizoi dhe tranzicioni postkomunist nuk pati vullnetin t’i korrigjonte. Monumenti i Pavarësisë në Vlorë, i ngritur për të përjetësuar një nga aktet më madhore të historisë shqiptare, ka një mangësi që nuk mund të justifikohet me asnjë argument artistik, politik apo administrativ: mungesën e dy figurave të shquara të Pavarësisë, Luigj Gurakuqit — Frank Shkreli: Luigj Gurakuqi, Dorë e djathtë e Ismail Qemalit në 110-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë | Gazeta Telegraf — Luigj Gurakuqi ishte një nga mendjet më të ndritura të Rilindjes Kombëtare, një veprimtar i shquar i çështjes shqiptare, pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës dhe ministër i Arsimit në qeverinë e parë shqiptare. Atij i atribuohet edhe hartimi në shqip i dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë. Dom Nikollë Kaçorri, prifti katolik, atdhetar dhe veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare dhe një nga figurat qendrore të lëvizjes për Pavarësi. Ai nënshkroi Aktin e Pavarësisë dhe u bë nënkryetar i Qeverisë së parë shqiptare — Frank Shkreli: Dom Nikollë Kaçorri, firmëtari i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë — prifti dhe strategu i harruar | Gazeta Telegraf
Si mund të paraqitet historia e Shpalljes së Pavarësisë pa Luigj Gurakuqin, një nga organizatorët dhe protagonistët kryesorë të saj, dhe pa Dom Nikollë Kaçorrin, nënkryetarin e Qeverisë së parë shqiptare dhe një prej firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë? Kjo nuk është një pyetje retorike. Është një pyetje që duhet t’ua drejtojmë institucioneve shtetërore, historianëve dhe, mbi të gjitha, ndërgjegjes kombëtare. Regjimi komunist shqiptar nuk u mjaftua me përndjekjen, burgosjen, internimin dhe eliminimin fizik të shumë prej personaliteteve të historisë kombëtare të shqiptarëve. Ai ndërhyri edhe në vetë kujtesën historike të shqiptarëve. Disa figura u ngritën në piedestal, të tjera u minimizuan, u anatemuan ose u lanë në harresë, sipas interesave dhe nevojave të ideologjisë komuniste së kohës. Hija e historisë komuniste u vendos me qëllim mbi kujtesën kombëtare. Luigj Gurakuqi, i vrarë në Bari më 1925, dhe Dom Nikollë Kaçorri, klerik katolik dhe atdhetar i shquar, nuk mund të kuptohen drejt brenda një historie të shkruar sipas kritereve të luftës ideologjike dhe paragjykimeve komuniste ndaj kundërshtarëve politikë apo institucioneve fetare. Por pyetja që shtrohet sot është edhe më shqetësuese: pse kjo trashëgimi e deformuar e së kaluarës komuniste vazhdon të lërë gjurmë edhe pas 35 vjetësh nga shembja e komunizmit zyrtar? Kësaj pyetjeje nuk mund t’i ikin klasa politike “post-komuniste” — as pozita dhe as opozita politike e më shumë se tre dekadave. Tridhjetë e pesë vjetë tranzicion “post-komunist”, Shqipëria dhe shqiptarët kanë ende borxhe ndaj historisë së kombit. Pas vitit 1990, shqiptarët kishin të drejtë të prisnin një rivlerësim të thellë të historisë kombëtare. Pritnin që institucionet e reja demokratike të rikthenin në vendin që u takon figurat e përjashtuara, të nëpërkëmbura dhe të denigruara nga historiografia komuniste. Por çfarë ndodhi, në të vërtetë?
Ndryshuan sistemet politike, qeveritë dhe udhëheqësit. U shpallën parime të reja demokratike, por në shumë raste nuk ndryshoi mënyra e trajtimit të historisë. U bënë përurime, ceremoni dhe deklarata për patriotizmin, ndërsa shumë prej figurave që i shërbyen çështjes kombëtare vazhduan të mbeten në periferi të vëmendjes zyrtare. Tranzicioni “postkomunist” nuk mund të justifikohet më me trashëgiminë e regjimit të kaluar komunist. Pas tri dekadash e gjysmë, përgjegjësia për këtë gjendje u takon edhe klasës aktuale politike dhe institucioneve të demokracisë. Nuk mjafton të rrëzosh monumentet e një diktature, nëse nuk ke guximin të rivendosësh të vërtetën historike.
Për shqiptarët e vërtetë, historia e Pavarësisë së Shqipërisë ishte histori bashkimi, jo përjashtimi! Një nga mësimet më të mëdha të 28 Nëntorit 1912 është se shqiptarët, përtej dallimeve fetare, krahinore dhe politike, arritën të bashkoheshin rreth një ideali të përbashkët, krijimit të shtetit të tyre kombëtar pas pothuaj pesë shekujsh otomanizëm. Në atë histori kanë vendin e tyre Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Dom Nikollë Kaçorri dhe shumë të tjerë. Asnjëri nuk duhet të bëhet peng i interpretimit politik të një periudhe apo i preferencave të një qeverie. Veçanërisht domethënës është kontributi i Dom Nikollë Kaçorrit. Prania e tij në historinë e Pavarësisë së Shqipërisë dëshmon edhe një herë se kleri katolik shqiptar nuk ishte i shkëputur nga idealet kombëtare, por ishte ndër kontribuesit e rëndësishëm të tyre. Prandaj, përjashtimi ose lënia në hije e figurave të tilla nuk është vetëm padrejtësi ndaj individëve. Është edhe cenim i së vërtetës historike mbi bashkimin kombëtar të shqiptarëve.
Sot nuk kërkojmë që historia të rishkruhet sipas shijeve të një kohe të re. Nuk kërkojmë që një figurë të zëvendësojë një tjetër dhe as që të ndërtohen hierarki të reja politike të heronjve kombëtarë. Kërkojmë diçka shumë më të thjeshtë dhe njëkohësisht shumë më të rëndësishme: që secili të marrë vendin që i takon në historinë tonë. Është koha që institucionet shtetërore, Akademia e Shkencave, historianët dhe autoritetet përgjegjëse të marrin përsipër një rivlerësim serioz të përfaqësimit historik të Pavarësisë, përfshirë edhe kompozimin e Monumentit të Pavarësisë në Vlorë. Mungesa e Luigj Gurakuqit dhe Dom Nikollë Kaçorrit duhet të shqyrtohet me përgjegjësi të Vërtetës historike dhe të gjendet një zgjidhje dinjitoze për përfaqësimin e tyre në këtë simbol kombëtar. Sepse një monument kushtuar Pavarësisë kombëtare nuk duhet të jetë pasqyrë e preferencave politike të një periudhe të caktuar — komuniste dhe post-komuniste — por pasqyrë e së vërtetës historike.
Si rrjedhim, dhe siç ka treguar edhe historia e tranzicionit “post-komunist” 35-vjeçar, Shqipëria nuk mund të hyjë me ndërgjegje të plotë në të ardhmen demokratike duke mbajtur peng kujtesën e saj kombëtare nga e kaluara komuniste dhe nga mungesa e vullnetit të tranzicionit aktual politik – pozitë dhe opozitë. Pavarësia e vitit 1912 është më e madhe se çdo regjim ose individ, më e madhe se çdo parti politike dhe më e madhe se çdo historiografi e shkruar për interesa politike ideologjike. Pavarësia e Shqipërisë u përket të gjithë shqiptarëve. Dhe historia e saj duhet të vendoset, më në fund, në vendin që i takon dhe pa borxhe ndaj së kaluarës ideologjike kriminale sllavo-aziatike komuniste!
Burimi/Facebook/Gazeta Dielli – Faqja Zyrtare


Leave a Reply