Në Maqedoni, Prokurorja e Posaçme, Katica Janeva, hyri të mërkurën në zyrat e Drejtorisë së Zbulimit dhe Kundërzbulimit (DSK) për të hetuar mbi çështjen e përgjimeve në masë të bisedave telefonike.
Me urdhër të gjykatës, zonja Janeva kërkon nga shërbimi sekret të zbulojë se kush dhe përse i bëri përgjimet telefonike, kush ishte porositësi dhe a është i përfshirë dikush nga jashtë, siç pretendohej në fillim të skandalit nga drejtues të pushtetit në Maqedoni.
Prokurorja e Posaçme u tha gazetarëve se prej muajsh është përpjekur të bisedojë me DSK dhe është ankuar për mungesë bashkëpunimi nga drejtori i këtij shërbimi. Ajo synon të marrë të dhëna për të gjitha bisedimet e përgjuara, nga viti 2008 deri në 2015.
Zonja Janeva tha se është e vendosur që me ekipin e saj të qëndrojë gjatë ditëve në vazhdim në zyrat e shërbimit sekret deri sa t’i sigurohen të dhënat e nevojshme.
Skandali i përgjimeve u publikua në fillim të vitit të kaluar nga drejuesi i opozitës, Zoran Zaev.
Mendohet se janë mbi njëzet mijë biseda të regjistruara të politikanëve, biznesmenëve, gazetarëve dhe personaliteteve të tjera në Maqedoni. Në një pjesë të tyre dëgjohen zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të pushtetit duke folur për manipulime zgjedhore, trysni ndaj bizneseve dhe medias.
Pas shumë muajsh, ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska dhe shefi i shërbimit sekret Sasho Mijallkov dhanë dorëheqjen, po ashtu edhe njëri nga personat më të ekspozuar në skandal, ish-ministri i Transportit, Mile Janakievski.
Burimi/Zeri i Amerikes/


Leave a Reply