Edhe unë, si të gjithë djemtë e sotëm, kam një hall: hallin e martesës.
Nuk është e mundur ta takoj një vajzë “të hajrit”, si thonë, sepse kanë ndryshuar shumë vajzat dhe një zot e di a do të mbledhin mend ndonjëherë. Kuptohet, sot, askush nuk mund të ankohet se është duke kaluar kohën pa një femër pranë vetes, por është shumë vështirë të gjesh ndonjë nga ato që je i gatshëm të martohesh dhe të krijosh familje me të. Nuk jam duke kuptuar sesi po martohen disa shokë të mi dhe po më bën përshtypje fakti sesi po bëhen nuse disa nga ish-femrat e mia, të cilat po marrë vesh më vonë se janë bërë edhe nëna. Jam duke dëshiruar që sa më shpejt që të jetë e mundur të takoj një vajzë, e cila ndoshta është diku duke më pritur mua. Gjithmonë mendoj se mund të jetë diku ndonjë femër enkas vetëm për mua, e cila ka lindur për mua… do të jetë fati im dhe do të martohet me mua. Por, unë ende nuk e di se a është kjo e vërtetë, edhe pse do të isha më i lumturi në botë që të gjej qysh tani një vajzë tamam ashtu siç e dua unë: të jetë e bukur, në radhë të parë, të jetë e sinqertë dhe të ketë mend në kokë. Këto janë tri kushtet esenciale që kërkoj nga një femër dhe më duhet të them edhe unë diçka se nuk më bren fakti nëse e dashura ime ka qenë e dashuruar para se t;më dashuronte mua. Jo, jo, kjo s’paraqet kurrfarë problemi për mua, mirëpo këtë përparësi timen nga meshkujt tjerë nuk dua që ta keqpërdorin femrat, të cilat duan të njihen me mua. Nuk mund ta marrë për grua assesi një vajzë së cilës unë vetë ia kam njohur të dashurit që i ka ndërruar muaj për muaj. Nuk mund ta marrë për grua assesi një vajzë e cila më parë ka qenë e aventuriste e madhe dhe tani paraqitet virgjëreshë: të paktën, të ketë qenë e dashuruar siç kam qenë edhe unë dikur. I dashuruar po, por jo deri në atë masë sa të mos mund të ndahem prej saj, sepse unë kurrë nuk e di deri më sot se çka do të thotë ta duash me zemër një femër. Nuk jam dhënë asnjëherë jetësisht dhe as shpirtërisht pas asnjë femre. Për këtë arsye sot jam plotësisht i lirë dhe aspak i lënduar nga ndarja me asnjë vajzë që e kam pasur dikur.
E kam emrin Burim dhe jam 26 vjeçar. E kam të kryer fakultetin dhe aktualisht punoj në një organizatë ndërkombëtare në Prishtinë, ku edhe banoj me qira në një gasonjerë, vetëm. Familjen e kam në Zvicër. Me pagën që e marrë e mbaj vetëm veten. Kam veturë timen dhe me fjalë të tjera jetoj si është më së miri. Mund të them se të gjitha i kam tash për tash, përveç një vajze që do të mund të martohesha me të. Është e vërtetë se deri më tash kam pasur disa lidhje me femra të ndryshme, por të cilat nuk kanë qenë të interesuara për lidhje serioze me mua, për faktin e thjeshtë, sepse kanë preferuar vetëm aventurat. As unë nuk kam dashur që të lidhem me ndonjë nga ato vajza për të cilat e kam ditur se aventuriste i kam njohur dhe po ashtu aventuriste i kam lënë.
Vetëm dhjetë minuta kishte fjetur me një djalë
Ditën e parë që kur e kisha takuar për herë të parë, Arjetën, 22-vjeçare, ishim marrë vesh që tash e tutje veç ne të dyve gjithë të tjerët ishin të vdekur, në kuptim të asaj se asnjëherë nuk do ta tradhtonim njëri-tjetrin. E vërteta ishte se më dukej se shpejt po më shkonin vitet, prandaj dhe dëshiroja me çdo kusht që të gjeja një vajzë të bukur për martesë. Nëpërmjet disa të njohurve, si shokë nga fëmijëria dhe shoqe nga shkolla e mesme, doja të njoftohesha me ndonjë prej atyre që të bënin «rehat».
Kam jetuar disa vite në Zvicër, Holandë e Angli, prej nga jam kthyer në shtëpi, për shkak se mërzitesha atje. Dua të them se jam ngopur me kurbet dhe jam kthyer pas gjashtë vitesh në Kosovë. Mirëpo, nuk më ecën punët ashtu siç unë aq lehtë i parashikova në fillim, për shkak se më dukej se ishte bërë e vështirë lidhja serioze. Prindërit ngulmonin të më gjejnë një vajzë përmes të afërmve, por unë ofertat e tyre ende nuk po i marrë parasysh. “A po martohem unë për vete a për juve?”, po u them si me shaka dhe kjo me arsyen se isha absolutisht i bindur se së shpejti do ta gëzoja veten dhe ata me një vajzë-nuse, tamam siç preferon familja ime.
E gjeta, më në fund, një vajzë që më dukej se i plotësonte disa kushte për të qenë gruaja ime e ardhshme dhe ajo ishte pikërisht Arjeta. Por, kisha gabuar rëndë, sepse ajo jo vetëm që më kishte mashtruar mua, por e kishte mashtruar edhe veten, duke kujtuar se e kishte gjetur një budalla që nuk i intereson se me kë po martohet. Ajo u bë e sinqertë, ashtu siç dëshiroja unë dhe më tregoi se nuk ishte virgjine dhe unë nuk e zgjata më shumë. Nuk doja ta pyesja më tutje se kur e kishte humbur virgjërinë. Por, më habiste fakti sesi më tregonte vetë se “vetëm dhjetë minuta” kishte fjetur me një djalë. Si është e mundur, e pyesja veten, që vetëm dhjetë minuta të ketë marrëdhënie seksuale dhe që nga atëherë të mos ketë pasur asnjë kontakt tjetër seksual me asnjë mashkull?
Më mirë beqar se i martuar me gjithkënd
Kur po më turbulloheshin mendtë prej saj, sepse, dorën në zemër, Arjeta ishte shumë tërheqëse dhe e këndshme, një ditë takova një profesor timin të fakultetit, i cili për fatin tim të mirë, jetonte në një lagje me të dashurën time në Prishtinë. Kishim qenë të afërt me njëri-tjetrin dhe nuk ishim takuar më qysh kur kisha emigruar jashtë vendit dhe në fund kur më pyeti se a isha martuar ende, i thashë se kisha gjetur më në fund një vajzë për martesë. Kur ia përmenda me emër dhe mbiemër Arjetën, ai e kapi kokën me duar dhe bërtiti: “Kuku për ty kënd paske dashur ta marrësh për grua! Ajo nuk bën hiç për ty!”. U çmenda për momentin dhe në fillim nuk desha t’i besoja fjalëve të profesorit, por më vonë u binda se ai ma donte të mirën. E falënderova profesorin tim, të cilin e kam takuar dhe e takoj edhe sot dhe s’mund kurrë t’ia harroj të mirën që ma bëri.
Vetëm kur u ndava përfundimisht me Arjetën, e kuptova gjithë katastrofën e jetës së saj. Me këtë dua të sqaroj një gjë: këso tipa femrash më lanë dhe do të më lënë përjetë beqar. Por, më mirë kështu siç jam dhe jo të dashurohem me një nga ato vajzat që nuk mund t’i njohësh mirë se kush janë. Nuk po mund t’i kuptoj këto femra: qysh po dinë kështu të gënjejnë, të paraqiten ndryshe, të maskohen dhe të na i marrin mentë. Pse nuk po më takon zoti me një femër që nuk di të bëjë këso dredhish, por ta tregoj ashtu siç është jetën e saj, qoftë e mirë, qoftë e keqe. Edhe një herë dua të them: vetëm vajzat e sinqerta i dua… vetëm ato që pa fshehur asgjë të thonë se kështu apo ashtu ka qenë e kaluara dhe e tashmja e tyre. A ekziston ndonjë femër në Kosovë që të jetë kështu si e dua unë apo sot të gjitha janë bërë njësoj, gënjeshtare?
Kujt po ia përmendi martesën po i shkoj nerva!
Po përpiqem të kuptoj, gjithashtu, çka e shtyn një vajzë të gënjej kur e dinë se i dashuri i saj është krejtësisht i besueshëm dhe i sinqertë me të dhe aq më tepër kur ai e siguron se virgjiniteti nuk është aspak i rëndësishëm, për dallim nga sinqeriteti. Ndoshta deri më sot njëqind herë do të martohesha sikur të mos bëhej shkaktar i ndarjes, pikërisht sinqeriteti, i cili po u mungon vajzave të sotme. Unë nuk e di pse ato nuk guxojnë ta thonë të vërtetën, por gjithnjë mundohen të shfaqen si të pafajshme dhe ta zbukurojnë të kaluarën e tyre. Mua për vete aspak nuk më pengon pse një femër ka pasur një dashnor dhe tash ndihet e tradhtuar prej tij. Por, më pengon nëse ajo mundohet ta fsheh edhe këtë dhe të paraqitet si ndonjë prej atyre vajzave (nëse ka të tilla?) që s’dinë ende çka është dashuria… e lëre më çka është seksi. Nuk po mund të besoj se do të gjej ndonjë femër që meriton të jetë gruaja ime, sepse deri më sot kam njohur disa vajza, por të cilave u ka munguar sinqeriteti. Sikur të ishin të sinqerta, unë do të mund të isha sot edhe prind.
Nuk më pëlqen të çoj në shtëpi një femër, e cila deri dje është njohur si lavire. Po mendoj si të njoh një femër kështu siç jam vetë: i sinqertë. Shumica e vajzave të cilat më kanë dashuruar deri më sot, më kanë simpatizuar për shkak të stilit që e kam, pamjes si dhe xhepit plot. Jam një person që bën një jetë luksoze, një person që nuk pi raki, nuk rri natën deri vonë, nuk u vardiset femrave dhe nuk merret me punë të këqija. Të gjitha vajzat që i kam njohur deri më sot, ato të parat më kanë joshur mua, d.m.th, më kanë ngacmuar. Por, asnjëherë nuk kam rënë në dashuri me ndonjë nga ato femrat që s’më kanë pëlqyer paraprakisht, megjithëse kurrë nuk i kam dashur me zemër. Kam një princip të mirë: tash nuk jepem shumë pas femrave, siç kam bërë dikur. Thjesht, ndoshta jam ngopur me dashurinë e tyre aventuriste, tash kam nevojë për një femër që ta dashuroj seriozisht. Nuk dua femër për aventurë, sepse mjaft kam dashuruar edhe unë… mjaft kam pasur femra, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë ku kam jetuar. Dëshira ime është e qartë: nëse dikush është e interesuar për mua, le të jetë pak e bukur dhe të vijë t’më takojë mua, por vetëm me një qëllim: qëllimin martesor. /B. B. /Kosovarja


Leave a Reply