
Kryqi i Kuq në Maqedoni e vende të tjera në rajon punon për të ushqyer më të pafatët e vendit.
Nga Goran Trajkov për Southeast European Times në Shkup
Kryqi i Kuq luan një rol kryesor anembanë rajonit në ndihmën ndaj familjeve në nevojë. [AFP]
Kryqi i Kuq i Shkupit po mbledh ndihma nga komuniteti i biznesit i Maqedonisë për të grumbulluar 1,000 deri në 2,000 paketa ushqimore për familjet në nevojë përpara dimrit. Përpjekjet janë mjaft të vlerësuara në komunitet ku disa familje kanë vështirësi t’ia dalin pa ndihmë gjatë muajve me mot të ftohtë.
“Kryqi i Kuq nuk na harron kurrë,” i tha SETimesbanori i Shkupit Risto Ivanovski, një baba i tre fëmijëve që tha se familja e tij lufton për t’ia dalë. “Tani na sjellin ushqim për të kaluar dimrin. Falënderojmë të gjithë njerëzit e mirë që na dhanë diçka. Për fëmijët e mi kjo është më shumë se e nevojshme.”
Fushata në Maqedoni është pjesë e një përpjekje ndërkombëtare që po zbatohet në 189 vende. Rafineria e naftës Okt, siguruesi i telefonisë celulare One, Studio Moderna, Ramstor Mall e supermarketet Vero e Tinex janë mes njësive të korporatave pjesëmarrëse.
Suzana Tuneva Paunovska, sekretare e Kryqit të Kuq të qytetit të Shkupit, i tha SETimes se organizata është e përkushtuar në punën humanitare që ndihmon ata që janë më në nevojë.
Programi kërkon ushqim e dhurime monetare nga korporatat e mbledh sende ushqimore nga dhuruesit në dyqane e vende shitje. Shkollat janë gjithashtu të përfshira duke synuar ndihmë për fëmijët nga familje të varfra e duke ngritur fonde nga shitja e kuponave.
Kryqi i Kuq do të kërkojë dhurime nga ndërmarrje në Maqedoni. Në Shkup, 150 punëtorë vullnetarë janë pjesë e projektit.
Shoqëritë e Kryqit të Kuq e të Gjysmëhënës së Kuqe kanë qenë vendimtare në lehtësimin e bashkëpunimit mes vendeve për të ndihmuar ata që janë në rrezik. Me ndihmën e Gjysmëhënës së Kuqe, vullnetarë nga rajoni shkëmbejnë ide e trajnime e zbatojnë projekte rajonale, përfshirë një që ka për qëllim përmirësimin e kujdesit në shtëpi për të moshuarit.
Kryqi i Kuq maqedonas ka nënshkruar disa protokolle për bashkëpunimin me vendet përfshirë Bullgarinë, Turqinë, Rumaninë, Gjermaninë, Spanjën, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën e Serbinë.
Kryqi i Kuq i Kosovës (KKK) këtë vit nisi një projekt të quajtur Solidariteti në Veprim që përfshin dhurime nga komunat për të ndihmuar familjet me më pak fat gjatë muajve të dimrit.
“Projekti ishte i efektshëm pasi përftuam ndihmë në [veshje], ushqime, batanije e ndihmë financiare,” i tha SETimesAntigona Sopjani, bashkërenduese e KKK-së për mirëqenien sociale.
KKK po harton një plan për shpërndarjen e më shumë se 1,800 paketave ushqimore, më shumë se 900 palë këpucëve e gati 6,000 euro që ishin dhuruar.
Kryqi i Kuq i Serbisë nuk ka programe të ngjashme, por çdo ditë ofron vakte të ngrohta pa para për 31,000 vetë në 72 kuzhina publike. Kuzhinat në qytetet më të vegjël ndonjëherë përpiqen për të paguar kuzhinierët e punonjësit e tjerë.
“Kemi vetëm dy punonjës që përgatisin 950 vakte në ditë,” i tha SETimesMilomir Nikoliç, sekretari i Kryqit të Kuq në Kurshumlija.
Kuzhinat publike janë më së shumti të vizituara nga pensionistët, pasi më shumë se 1 milionë pensionistë në Serbi jetojnë me më pak se 230 euro në muaj e 91,000 familje jetojnë me ndihmë sociale.
Në Rumani, Kryi i Kuq nisi një program të bankës ushqimore tre vjet më parë si një rezultat i drejtpërdrejtë i krizës ekonomike.
“Programi, që ka për qëllim mbledhjen e ushqimeve që prishen shpejt të dhuruara nga popullsia e shpërndarjen e tyre ndaj njerëzve të prekur, nisi në 20 nga 47 degët e Kryqit të Kuq të vendit e me kohë u zgjerua në 30 prej tyre,” i tha SETimesNadia Lazar, koordinatore e komunikimit të Kryqit të Kuq.
Në këta tre vjet, programi i Rumanisë ka shkuar në më shumë se 81,000 familje me më shumë se 553,000 kg dhurime ushqimesh. Më shumë se 11,000 vullnetarë mblodhën ushqime e ua shpërndanë atë nevojtarëve.
Kryqi i Kuq mobilizoi burime të gjera dimrin e shkuar pasi pjesë të gjera të tokës ishin mbuluar nga grumbujt e dëborës e mijëra vetë ishin të bllokuar në shtatë qarqe. Rreth 90 tonë ushqime u mblodhën e iu shpërndanë atyre që nuk dilnin dot nga shtëpitë e tyre.
Korrespondenti i SETimes Paul Kiokoiu nga Bukureshti kontribuoi në këtë artikull.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply