Bulevardet e Shkupit janë stolisur sot kuq e zi për të kremtuar 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Festimet nisën me një koncert madhështor në Shkup, më pas do të shpërngulen në Prishtinë dhe do të kulmohen në Shqipëri, ku Vlora e Tirana janë përgatitur për të festuar në mënyrë madhështore një shekull pavarësi. Aktivitetet e sotme kanë bashkuar dy kryeministrat, Sali Berisha dhe Hashim Thaçi, të cilët shoqëroheshin edhe nga kryetari i BDI-së Ali Ahmeti dhe ai i LSI-së Ilir Meta.
Manifestimi qendror i shqiptarëve të Maqedonisë nisi që paradite ku mijëra nxënës dhe qytetarë marshuan sot rrugëve të Shkupit, me moton “Marshi i shqiponjës”, për të shënuar 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Për t’i uruar mirëseardhjen dy kryeministrave Berisha e Thaçi, është vendosur një billbord i madh ndërsa dy flamuj të përmasave të mëdha, atij kombëtar dhe flamuri me logon e 100-Vjetorit të Pavarësisë janë vendosur edhe në qendrën tregtare “Mavrovasja”.
Rreth orës 18:30 është çelur koncerti i madh festiv nga zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferri, i cili solli në kujtesë rrugën e vështirë për shqiptarët deri në pavarësinë e kombit. “Tirana, Shkupi e Prishtina jemi një, si në çdo kohë që na ka kërkuar nevoja. Do të vazhdojmë të punojmë pa ndërprerje për të përafruar dhe bashkuar vendet tonë në aleancën evropiane. Së bashku do të kalojmë të gjitha sfidat. Gëzuar 100 vjetorin e Pavarësisë”, u shpreh Xhaferri. Pas tij fjalën e ka marrë fjalën kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, i cili e ka cilësuar Shkupin kryeqytetin e vilajetit të Kosovës.
“Para 13 vitesh Shqipëria ishte në trazicion. Kosova e pushtuar, shqiptarët në Maqedoni të diskriminuar rëndë, në Presheve edhe më rëndë, shqiptarët në Mal të Zi në përpjekje për të drejtat e tyre. Por mrekullia ndodhi nga shpresa, besimi ynë, lindi UÇK që largoi njëherë e përgjithmonë Serbinë nga Kosova, sot e kemi të lirë, të pavarur dhe sovrane. Mrekullia e UÇK erdhi jo vetëm me vullnetin e shqiptarëve të Kosovës, pati mbështetje nga gjithë shqiptarët kudo që jetonin. Shqipëria përparoi edhe më shumë, sot e kemi në NATO. Shqiptarët si asnjë komb në rajon i kanë dy shtete Shqipërinë dhe Kosovën, por e ardhmja na tregon se ne duhet të jetojmë në një hapësirë unike si një komb i vetëm”, u shpreh Thaçi.
Ndërsa kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij u shpreh i lumtur që sot të gjithë shqiptarët kudo që janë kanë mundësi të festojnë bashkë. “Shekulli që lamë mbrapa ishte shekulli i një kaluari, ata të cilët shpallën në Vlorë pavarësinë, shpallën pavarësinë e Shqipërisë jetike, 2/3 e trojeve tona na u ndanë me padrejtësi. Sot lavdi Zotit dhe armëve tona, ndjehuni të lirë, festojmë të bashkuar, të sigurt drejt së ardhmes sonë. Sot pavarësisht çfarë përjetuam, kemi motive për të qenë krenarë me njëri-tjetrin, me trojet tona me flamurin tonë, për të pasur besim tek e ardhmja”, tha Berisha. Për kryeministrin e Shqipërisë ky 100-vjetor na fton të realizojmë ëndrrën e bashkimit kombëtar.
“Ne shqiptarët nuk u pajtuam kurrë me padrejtësitë, nuk pranojmë shtypjen e të tjerëve, ndaj dhe bëmë një rezistencë legjendare, UÇK dhe UÇM do zhvillonte luftën e fundit çlirimtare në Evropë. Lavdi përjetë luftëtarëve dhe udhëheqësve politikë. Ky 100-vjetor na fton, na frymëzon të vazhdojmë të bëjmë realitet ëndrrën e atyre që u flijuan për liri dhe dinjitet kombëtar. Ajo ëndërr 1000 herë po ta lexosh është ëndrra e bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Këtu nga Shkupi i bëj thirrje shqiptarëve, të punojnë çdo minutë, orë, muaj, vit për bashkimin e tyre. Iu bëj thirrje fëmijëve tanë, fqinjëve tanë, përpiquni të kuptoni drejt bashkimin e shqiptarëve, ta bëni më të lirë, më të drejtë, se shqiptarët janë të gatshëm për bashkëpunim, shqiptarët e lirë janë forcë zhvillimi për veten dhe rajonin. Askush të mos druhet dhe askush të mos hidhërohet nga përpjekjet e shqiptarëve për bashkimin. Nën moton të bashkohemi me Europën, të bashkohemi me njëri-tjetrin, ti përqendrojmë forcat tona”, tha Berisha.
(gazeta-Shqip.com)
Per”Alba – Dansk” shkodrani



Leave a Reply