Nga Zenepe Luka
Teksa pashë pardje profesor Servet Pëllumbin në faqe të parë të gazetave, gjakosur pas zgjedhjeve të 26 majit 1996, kujtova 29 majin e po këtij viti, dhuna e ushtruar ndaj meje si gazetare e “Koha Jonë”, në mitingun e opozitës në Vlorë. Ishte një dhunë e pashembullt që më bën të ngjethem edhe sot e kësaj dite, plot 20 vjet pas asaj ngjarjeje. Po përpiqem ta sjell para lexuesve të gazetës ‘DITA’, më tepër për t’ua kujtuar që e planifikuan dhe e ushtruan atë dhunë, se sa për ne që e vuajtën dhe e pësuam prej tyre.
Kam qenë dhe jam e prirur, që, qoftë edhe ndaj dhunuesve, falja, është një gjest hyjnor, një mesazh paqe e mirëkuptimi.
Ishte ky motivi, që më shtyu, që në prag të këtij 29 maji, plot 20 vite nga dita që ai ngriti dorën ndaj meje, një nëne dhe gazetare, të rend nëpër Vlorë dhe të kërkoj Mozi Hallën, djaloshin, që ushtroi dhunë me porosi të shefit të policisë. Nuk e kisha parë që në sallën e gjyqit, ku ai u dënua, pavarësisht se unë e fala dhe nuk e di pse më hipi në kokë, të pija një kafe me të.
Me ndihmën e një polici të bashkisë, arrita të kontaktoj me Mozin, por përgjigjja e tij ishte:
“Të falënderoj nga zemra, por ndjehem keq para teje, për atë që bëra. Më vjen turp prej teje, ndërkohë duhet të dish se tani unë jam burrë, baba… Me ndërgjegje të vrarë jam tërë kohën, përpara qëndrimit tënd, faljes dhe fisnikërisë që tregove…”
Çfarë ndodhi në Vlorë më 29 maj të vitit 1996
Pikërisht, sot, më 29 maj, plot 20 vjet më parë, në mitingun-revoltë të Partisë Socialiste të Vlorës,
pas zgjedhjeve të 26 majit, ndodhi incidenti i parë, publik me mua si gazetare.
Veçuar në anë të turmës së irrituar, që kundërshtonte zgjedhjet e vjedhura, krejt papritur, një djalë i ri, afrohet dhe më godet në befasi, duke më fluturuar diktofonin regjistrues dhe bllokun e shënimeve.
Çudia ishte se pas goditjes, i riu, jo vetëm nuk u largua, por u rrethua nga një grup policësh, që kishin ardhur për të ndjekur mitingun e opozitës.
Demonstruesit, që e vunë re këtë gjest, u irrituan dhe i kërkuan shef Etemit, që ishte i pranishëm aty dhe komandonte forcat e policisë, që të arrestohet personi dhe jo të mbrohet nga policia.
Në këto rrethana u detyrova të largohem dhe t’i drejtohem organit të Prokurorisë, për të penalizuar personin, që ishte i identifikuar nga Policia.
Vonë më telefonuan se personi është shoqëruar në polici dhe se do të kryhen të gjitha veprimet ligjore.
Ishte hera e parë që kërcënohesha publikisht dhe qenia ime, nisi të trazohej, për t’u pasuar me ngjarje të tjera dhune, që fatkeqësisht kanë ndodhur po në muajin maj, sikurse ishte tritoli në banesë më 10 maj të vitit 1998. Në atë kohë,situatën e tensiononin më tej kronikat që jepte kundër meje Vjollca Vokshi nga Telivizioni Publik shqiptar, që vetëm i tillë nuk ishte, apo shkrimet e Fahri Balliut në gazetën 55 dhe të RD-së me Patozin në krye.
Zenepe Luka
Nëna e dhunuesit në shtëpinë time: “Fale, e ka urdhëruar policia”
Ishte e papritur trokitja në derën e shtëpisë sime, e një gruaje të moshuar. Ajo kërkoi të bisedonte si vajza me nënën e saj, për një problem, që i ka larguar gjumin, që nga dita që kish ndodhur ngjarja. Mendova se është ndonjë qytetare, që kish një problem për ta sensibilizuar në gazetë, sikurse ndodhte rëndom me mua, pasi shtëpia ishte e hapur për cilindo.
-Jam nëna e Mozit, Mozi Allës, që të ka goditur. Jemi të gjithë të shqetësuar, por duhet të them se ai është urdhëruar nga policia për të bërë këtë veprim. Bashkëshorti im ka qenë shef i policisë së Vlorës tërë jetën, jemi familje në hallin tonë, por ky djali i vogël, na turpëroi.
Nuk e di nëse pranon që ta sjell këtu në shtëpi dhe të kërkojë të falur- tha ajo dhe pashë që sytë iu mbushën me lot.
-Mos u shqetësoni- iu drejtova. – Prej meje është i falur, por ai duhet të deklarojë në Prokurori se kush e ka urdhëruar të bënte atë veprim.
Pas disa ditësh, më ndali në rrugë edhe vëllai i madh i Mozit, Perlati, një biznesmen i njohur në qytet.
– Më shumë se sa ndëshkimi i vëllait, ne na ka shqetësuar gjesti që ka bërë ndaj teje, që të respektojmë si gazetare të nderuar, ndaj në emër të familjes Halla, të kërkojmë ndjesë-më drejtohet ai.
Fjala ime ishte gjatë gjykimit të Mozit, që pasi kërkoi falje dhe mësova emrin e shefit të policisë, që kish dhënë urdhrin.
Vendimi i Prokurorisë
Republika e Shqipërisë
Prokuroria e rrethit gjyqësor
Vlorë
Vërtetim
Me anën e të cilit vërtetojmë, se nga ana e Prokurorisë Vlorë, më datë 5.6.1996, është filluar procedimi penal nr. 275 i atij viti.
Ndjekja penale, në kuadër të këtij procedimi penal, është ushtruar mbi ankim, për veprën penale të goditjes për shkak të detyrës, të parashikuar nga neni 237 I kodit penal.
E dëmtuar nga vepra penale në këtë rast, ka qenë shtetësja Zenepe Luka, me profesion gazetare e gazetës “Koha Jonë” për Vlorën.
Procedimi penal ka përfunduar më 9.10.1996, kur materialet e tij, iu kaluan për kompetencë gjykatës së shkallë së parë Vlorë për gjykimin e veprës penale.
Vërtetimi lëshohet pas kërkesës së të interesuarës, për ta paraqitur, kudo që e lejon ligji.
Prokurori i Rrethit
Petrit Cano
Në gjykatë, jo për lajm, por për të falur Mozin
Me vendim të gjykatës së faktit Vlorë, trupi gjykues me kryesuese gjyqtaren Sashenka Jonuzi e deklaroi fajtor Mozi Halla dhe mbështetur në faljen time, e dënoi vetëm me 1 milion lekë gjobë.
Një ulli, ku është goditur gazetarja
Në ditën e 40 vjetorit të diplomimit gazetare, ditë,kur në Vlorë, u organizua edhe Konferenca e gruas gazetare mbarëkombëtare,pikërisht në vendin ku u godit gazetarja, gazetaret nga shumë shtete, mbuallën një ulli.
30 gazetaret e pranishme hodhën nga një dorë dhe, duke përcjellë mesazhin e paqes: Jo dhunë ndaj gazetarëve.
Mbjellja e një ulliri në vendin ku është goditur për herë të parë në krye të detyrës gazetarja e gazetës “Koha Jonë”, Zenepe Luka, ka përcjellë një mesazh të shumëfishtë.
Së pari bima e ullirit në shekuj ka përcjellë mesazhin e paqes, të dashurisë, të respektimit të të drejtave të njeriut.
Tjetra është se personi, që ka goditur gazetaren, dënuar nga gjykata e Vlorës, ka kërkuar ndjesë për gjestin e kryer dhe më e rëndësishmja, që në mbjelljen e ullirit, kanë hedhur nga një grusht dhe, të gjitha gazetaret ardhur nga vende të ndryshme.
Pema e ullirit është ngulur nga gazetarja kineze Uang Lei.
Gazetarja kineze Uang Lei u shpreh: “Po bëj atë që bëri Çu En Lai”
Unë ndjehem shumë e lumtur, që jam këtu mes kolegeve gazetare dhe që m’u dha mua mundësia për të ulur ullirin në tokë. Edhe për popullin kinez, ulliri është shenja e paqes, e dashurisë, e miqësisë, por unë dua të kujtoj një histori që më jepet rasti ta tregoj për herë të parë në Shqipëri.
Në vitit 60-të të shekullit të kaluar, kur erdhi për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ish Kryeministri Çu En Lai, kur u kthye në Pekin, solli me vete një pemë ulliri nga Shqipëria. Ai e mbolli me dorën e tij në shenjë miqësie e dashurie mes popujve shqiptar dhe kinez dhe ky ulli është bërë një monument kulture për miqësinë midis popujve.
Sot unë gazetarja kineze, ju sjell dashurinë e popullit tim, mirënjohjen e gruas kineze dhe mesazhin e gazetareve të Kinës, që duke vlerësuar qëndresën e gazetares Zenepe Luka, përcjellim mesazhin se gazetari nuk mund të preket gjatë kryerjes së detyrës.
Publicistja Vitore Stefa Leka
Përfaqësuese e grave publiciste të shteteve të Europës, të Diasporës në tërësi, teksa hodhi një dorë dhe tek rrënjët e ullirit, u shpreh:
“Ky ulli, do të rritet i shëndetësh, pasi po e mbjellin gazetaret. Koleget e Zenepe Lukës, të ardhura nga Diaspora, nga Amerika, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi,Italia, Serbia deri edhe nga Kina. Ai do të përcjellë brezave mesazhin e forte, se gazetari nuk preket, por njëherësh edhe qëndresën e gazetares Zenepe Luka, që nuk e ndërpreu karrierën, megjithë dhunën e ushtruar ndaj saj dhe familjes dhe në vitet e mëpasme.
Duke hedhur një grusht dhe kanë folur edhe gazetaret Rajmonda Moisiu dhe Eleonora Koka, ardhur nga SHBA, Teuta Demjaha dhe Laura Parpaniku nga Shkupi, Flora Dyrmishi dhe Ajtene Krasniqi nga Kosova, Hatixhe Nelaj dhe Zylfie Duraku nga Mali i Zi dhe gazetare të tjera nga Vlora e Tirana.
Irini Qirjako, Mjeshtër i Madh vendosi në trupin e ullirit të porsambjellë tabelën, ku shkruhej:””Në këtë vend, më 29 maj të vitit 1996, është goditur në krye të detyrës,gazetarja e gazetës “Koha Jonë” Zenepe Luka.
Mesazhi për Berishën
Doktor Berisha, ende po pres përgjigjen e SMS-së
Gazetarja Luka i ka shkruar një mesazh para disa ditësh ish-Presidentitt dhe ish-Kryeministrit Berisha, një mesazh që fatkeqësisht ka ngelur pa përgjigje. Thelbi i mesazhit me kërkesën e Lukës për Berishën është: Më prit të pimë një kafe bashkë, më hiq brengën. Ta kërkoj më tepër si mjek, për një plagë, që fatmirësisht,nuk solli pasojë në jetën time dhe pjesëtarëve të familjes… Ishte data 10 maj 1998, dita e shpërthimit të tritolit në banesën time 18 vjet më parë, por edhe 20 vjet pas dhunës që ushtruar ndaj meje pas zgjedhjeve të 26 majit 1996.
Më tej, Luka sqaron për gazetën DITA: Në këtë maj të trazuar, që ka sjellë ngjarje të dhimbshme në jetën time, kjo vetëm për shkak të profesionit, si gazetare, por edhe një egërsi deri në urrejtje në politikën shqiptare dhe për pasojë, ka elektrizuar të gjithë shoqërinë, i bëra një SMS në celularin e tij z. Sali Berisha, por… ende nuk kam marrë përgjigje.
Teksti i plotë i sms në celularin e Berishës ishte:
“Prof. Sali Berisha. Po të shkruaj sinqerisht, më besoni. Unë e kam mikeshë bashkëshorten tuaj Dr. Lirinë dhe nëse do ta diskutoni me të këtë mesazh, jam e bindur se do t’ju thotë: Ok. Kam një brengë, që dua ta kaloj, duke pirë një kafe me Ju, të bisedojmë sinqerisht, për atë që është përfolur se Ju, kishit dijeni për vendosjen e tritolit në banesën time, plot 18 vjet si sot. E kam brengë, se nuk dua ta besoj,por dua ta dëgjoj nga goja juaj.
Besoj shumë, se duke qenë mjek, do të më ndjeni dhe do ta plotësoni kërkesën time, njerëzore, të sinqertë..
Jam në pritje të kthimit të përgjigjes tuaj. Nëse kjo përgjigje do të vonojë pafundësisht,atëherë dyshimi do të përforcohet.
Unë, e bëra timen Dr. Berisha, pres përgjigjen tuaj.
Zenepe Luka


Leave a Reply