Një gjykatë e ka shpallur fajtore ish-Miss Turqinë për shkak se ka ofenduar presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan përmes postimeve në mediat sociale dhe e ka dënuar atë me 14 muaj burgim me kusht.Gjykata të martën e ka shpallur fajtore modelen 27-vjeçe Merve Buyuksarac për ofendimin ndaj një zyrtari publik. Ajo do ta vuajë dënimin me burg nëse e përsërit ofendimin, raporton “Independent”.
Buyuksarac, e cila ishte shpallur Miss Turqia më 2006, ishte ndaluar menjëherë pasi kishte shpërndarë një poezi satirike në llogarinë e saj në Instagram më 2014. Prokurorët e kanë cilësuar atë si ofenduese ndaj Erdoganit, i cili asokohe ishte kryeministër, transmeton Koha.net.
Që kur është shpallur president më 2014, Erdogan ka dorëzuar rreth 2,000 raste të shpifjeve në gjykata në bazë të një ligji që më herët është shfrytëzuar rrallë dhe i cili ndalon ofendimet ndaj presidentit.
Këto gjykime kanë thelluar brengat për keqësimin e lirisë së shprehjes në vendin që dikur është parë si model i demokracisë myslimane.
Leave a Reply