I shtrëngoj duart në bluzën që më ke lënë. Gjëja e parë që ti le në shtëpinë time. E jotja, e imja. Të zhubrosur e vesha herën e parë dhe më rrinte shumë e madhe. Por gjithsesi, më shumë e dua tani. Është fiks në masat tona. Është vjetëruar goxha, por nuk kam ndërmend ta flak. Edhe pse nuk ka më shkëlqimin që kishte në fillim edhe pse ngjyrat i janë zbehur.Kur diçka vjetërohet nuk është nevoja ta flakësh. Por është nevoja të kujdesesh më shumë për të. Ikja ëshët zgjidhja më e lehtë. Kur ke problem është e lehtë të largohesh. Thjesht i mbyll sytë dhe veshët dhe ecën përpara. E vështira është të përballesh me to, të bësh çmos që të gjesh një zgjidhje. T’i vërtetosh vetes në radhë të parë se fjalët që ke nxjerrë nga goja nuk ishin thjesht fjalë të ajrit.
Asnjë betejë nuk është krijur për t’u lënë në mes. Të gjitha duhet të përfundojnë diku. Fitore, humbje, kompromis. Nëse qëndron pa vepruar, gjithnjë do të të mundojë pyetja se çfarë do të kishte ndodhur nëse… Të gjitha do kthehen në skenare të parealizuara nëpër sirtaret e mendjes.
Bashkë u futëm në këtë labirint dhe bashkë duhet të gjejmë një zgjidhje. Fundja, ikja nuk duhet vendosur vetëm nga njëri. Nuk ndahen kështu njerëzit. Pa i vënë gjërat në tavolinë për t’i diskutuar, pa vuajtur. Duhet përpjekje për të kaluar pengesat. Duhet të dëgjosh, të flasësh dhe kryesisht të ndjesh. Të ndjesh ato që me kalimin e kohës i more si të mirëqena dhe harrove t’iu ndesh shijen dhe aromën. I harrove. I le mbrapa.
Nuk ndahen kështu njerëzit, nuk ndahen. Nuk ndahen vetëm. Gjithmonë dy. Dy dashurohen, dy lidhen, dy shkatërrohen. Çift. Kurrë njëri mbrapa dhe tjetri para. Një çast. Një çast mund t’i ndryshojë të gjitha. E dimë shumë mirë këtë që të dy. Nuk kemi sekrete me njëri-tjetrin. Kurrë nuk kishim. “Ke besim tek unë?”- më kë pyetur duke shtrënguar duart e mia. Kisha frikë. “Kam”- të thashë dhe ishte hera e parë që vërtet e ndieja. Nëse kisha për t’u shkatërruar, më mirë le të ishte me ty.
Nuk duhet fytyrat që rrinë përballë njëra-tjetrës të bëhen kurrizë të kthyer. Pa arsye. Dua të qëndrosh. Dua të qëndroj. Qëndro që të luftojmë bashkë çdo vështirësi. Qëndro që t’i sillemi njëri-tjetrit ashtu siç e meritojmë. Lëre mënjanë egoizmin dhe ulu krah meje. Nuk dua të flasësh. Fjalë. Jam ngopur me to. Më the, të thashë. I nxorëm të gjitha ato që mbanim përbrenda.
Mjafton. Jam këtu për të të kuptuar. Rri këtu për të më ndierë. Të përpiqemi të durojmë. Të mbahemi nga ato që dikur na kanë lidhur dhe të krijojmë hallka të reja. Të vlerësojmë të tashmen dhe të ndërtojmë të ardhmen. Dhe më pas le të ndodhë çfarë të dojë. Të paktën mos themi që humbëm nga frika.
“Ke besim tek unë?”- të pyes dhe shtrij dorën drejt teje.
http://www.revistaclass.al


Leave a Reply