Abdulla Mehmeti
Para disa ditësh, një i burgosur shqiptar nga Tetova është rrahur për vdekje në burgun e qytetit të Shtipit. Këto raste të paraqitura përmes kronikave të zeza në mediume është bërë zakon të trajtohen si normale. Por, rasti i fundit me të burgosurin shqiptar i ka alarmuar institucionet të dyshojnë se ai është keqtrajtuar në burg.
Inspektorët e hetuesisë dhe përfaqësuesit e organeve të tjera kompetente, si Avokati i popullit, pas njoftimit të këtij rasti e kanë vizituar burgun e Shtipit dhe kanë hedhur dyshime se viktima është keqtrajtuar dhe nuk është lënduar si pasojë e rrëzimit të tij në dysheme, siç është paraqitur zyrtarisht nga organet e këtij burgu. Nga organet kompetente dyshohet se ai është rrahur nga të burgosurit e tjerë, ose nga gardianët e burgut, sigurisht me porosi të eprorëve të tyre dhe me qëllime të caktuara. Edhe pse burgu është nën video mbikëqyrje, megjithatë rasti nuk është regjistruar, për shkak se kamerat e burgut në ato çaste nuk paskan punuar! Avokati i Popullit ka kërkuar që Prokuroria publike të nisë hetime për këtë rast.
Ky rast nuk është i pari që të burgosurit shqiptarë, sidomos ata për vepra politike, jo vetëm që keqtrajtohen, por edhe varret, vriten, helmohen ose mbyten në forma dhe mënyra të ndryshme, vetëm pse janë shqiptarë. Në shumë raste, ata likuidohen nëpër qelitë e burgjeve vetëm pse posedojnë informata të rëndësishme për krim të organizuar nga organet e pushtetit!
Me qindra shqiptarë e kanë përfunduar jetën e tyre në këtë mënyrë në burgjet e Maqedonisë, që nga pavarësimi i këtij shteti e këndej, pa dhënë askush llogari, edhe pse ata duhet të jenë nën mbrojtjen e institucioneve të shtetit.
Absurdi më i madh qëndron në faktin se mes këtyre rasteve të keqtrajtimeve dhe vdekjeve ka edhe të tilla që nuk i kap as logjika e të marrit, jo më mendja e shëndoshë e njeriut, sepse shumë të burgosur, sipas raporteve zyrtare të organeve drejtuese të burgjeve dhe organeve të hetuesisë, qenkan varrë me tojat e të mbathurave të veta, me pëlhurën e shtrojës, me futjen e kokën në kovën me ujë, duke u rrëzuar nga krevati brenda qelisë, ose duke u hedhur nga dritaret e burgut!
Përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare ende vazhdojnë të mendojnë se janë pjesë e pushtetit, ose janë vetë pushteti! Kush duhet t’ua bëjë me dije se janë bërë gazi i botës, nëse ata vetë nuk e kuptojnë këtë fakt?! Opozita shqiptare? Assesi që jo! Me pak përjashtime, opozita është në gjendje më të rëndë se e përfaqësuesve shqiptarë në pushtetin aktual, derisa ajo jeton me ëndrra që një ditë do të vijë në pushtet dhe do të pasurohen, do të ushtrojnë pushtet si pararendësit e tyre. Populli duhet të zgjohet sa më parë, për ndërtimin e një pushteti më të drejtë dhe më demokratik, për jetë më të sigurt dhe me dinjitet. Asgjë nuk kushton më lirë në këtë shtet se jeta e shqiptarit!
© 2016, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply